Zbuloni qytetin shqiptar që nuk pati asnjë vrasje gjatë vitit 2016!

Gjatë ditës së sotme Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër zhvilluan analizën vjetore të punës për vitin 2016.
I pranishëm në këtë analizë ishte Drejtori i Rendit Publik Drejtues i Parë Gjovalin Loka, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese. Drejtori i Policisë Vendore Drejtues Edmond Tarkaj, ka vlerësuar punën e bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore si dhe ka theksuar se këto rezultate janë arritur falë angazhimit të punonjësve të policisë, punës në grup, të bashkëpunimit me strukturat e tjera ligjzbatuese por mbi të gjitha falë bashkëpunimit me komunitetin.

Drejtori Tarkaj gjatë fjalës së tij ndër të tjera ka veçuar disa tregues shumë pozitivë për vitin 2016 dhe konkretisht: Në qarkun e Dibrës për vitin 2016, nuk është evidentuar asnjë vepër penale e “Vrasjes”. Gjithashtu po gjatë vitit 2016 nuk është evidentuar asnjë vepër penale e “Tentativës së vrasjes”. Gjatë vitit 2016, janë evidentuar e referuar në Prokurori, 720 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 616 vepra, me një zbulueshmëri 86%.

Gjithsej autorë të proceduar 716, nga të cilët 185 arrestuar, 491 në gjendje të lirë dhe 40 janë shpallur në kërkim. Gjatë vitit 2015, janë evidentuar e referuar në Prokurori, 949 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 809 vepra, me një zbulueshmëri 85.2%. Gjithsej autorë të proceduar 968, nga të cilët 275 arrestuar, 628 në gjendje të lirë dhe 65 janë shpallur në kërkim.

Po gjatë vitit 2016 kemi një ulje të veprave penale në total me 25 % krahasuar me vitin 2015. Kemi një rritje të zbulueshmërisë me 4 % gjatë vitit 2016. Kemi rreth 40 % ulje të veprës penale të vjedhjes së pronës dhe banesave. Janë zhvilluar 4 operacione të koduara, ku janë sekuestruar 156 kg hashash dhe 10 gr heroinë, si dhe 14 armë zjarri e municion luftarak.

Janë zhvilluar e vijojnë të zhvillohen operacionet “Roja e Gjelbër” dhe kundër “Vjedhjes së Energjisë Elektrike” Është punuar për parandalimin dhe përshkallëzimin e konflikteve dhe të dhunës në familje, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, të garantimit të rendit e sigurisë në aktivitete kulturore, sportive e fetare, në mbështetje të institucioneve, etj.

Është bashkëpunuar dhe vijon bashkëpunimi me shkollat për realizimin e programit “Edukimi, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substanca të tjera të rrezikshme. Është garantuar rendi e siguria gjatë gjithë procesit zgjedhor Shtator 2016 në Dibër, etj.

Të gjitha këto falë angazhimit të të gjitha strukturave të Drejtorisë Vendore dhe të Komisariateve në vartësi të kësaj Drejtorie. Drejtori i Rendit Publik Drejtues i Parë Gjovalin Loka, ka vlerësuar rezultatet e arritura për vitin 2016 dhe ka theksuar se këto rezultate duhet t’i ruajmë e t’i përmirësojmë akoma më shumë gjatë këtij viti. Ju falenderoj për korrektësinë dhe profesionalizmin që treguat gjatë procesit zgjedhor Shtator 2016.