Zbulohet skema që përdori Rezart Taçi për të shmangur taksat

Dy ditë pasi prokuroria e Tiranës i komunikoi zyrtarisht akuzat Rezart Taçit për mospagim të taksave, del në dritë skema e përdorur prej tij për të mos t’i shmangur detyrimet financiare. Në qendër të operacioneve të fshehta financiare qëndron kompania “Armo” që Taçi e pati në pronësi deri në vitin 2013 dhe kompania tjetër “Taçi Oil”. Nga hetimet rezulton se “Armo” nuk i paguante detyrimet financiare prej vitit 2009. Bëhet fjalë për 25 miliardë lekë, sipas gazetës Mapo që ka zbardhur një pjesë të skemës.

Tatimet kishin nxjerrë disa herë udhëra për bllokimin e llogarive të kompanisë “Armo” dhe Taçit. Janë rreth 30 të tillë. Por ai ka vazhduar të mos i paguajë taksat. Urdhërat janë rrëzuar, pasi sa herë lëshoheshin, Taçi ofrohej për të negociuar dhe premtonte shlyerjen e detyrimeve.

Por pagesat kanë qenë në vlera minimale, sipas prokurorisë. Rezart Taçi, sipas hetimeve, deklaronte herë pas here se kompania e administruar prej tij nuk kishte mundësi për t’i paguar taksat.

Por hetimet zbuluan një skemë mashtrimi. Sipas prokurorisë, paratë që fitonte nga “Armo” Rezart Taçi i transferonte në llogaritë e kompanisë tjetër “Taçi Oil”, në formë huadhënie. Por më pas i tërhiqte ato edhe nga llogaritë e “Taçi Oil”.  Disa shuma janë tranferuar edhe në llogaritë e tij personale dhe janë tërhequr në të njëjtën kohë kur Taçi deklaronte se “Armo” nuk mund të paguante. Huatë që “Armo” i jepte “Taçi Oilit” ishin më të mëdha sesa detyrimet që “Armo” u kishte organeve tatimore qëndrore dhe atyre vendore në komunën Qendër të Mallakastrës.

Rezart Taçit akuzat iu komunikuan në mungesë në Gjykatën e Tiranës. I pranishëm ishte vetëm avokati i tij, pasi Taçi gjendet jashtë vendit.

Ish-bosi i naftës po përballet me një hetim intesiv edhe në Zvicër. Lapsi.al mësoi në mes të dhjetorit se ai u ndalua dhe u mor në pyetje nga autoritetet.

Ai është në telashe në Zvicër për shkak të një hetimi të nisur që prej vitit 2014 nga prokuroria Publike e Kantonit të Gjenevës, pasi dy kompani të huaja, panamezja “Wallis Trading INC” dhe ajo hollandezja “Trafigura Beheer Bv” kanë depozituar një kallëzim penal për “Mashtrimi”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Falsifikim të vulave dhe i stampave ose të formularëve”.

Taçi mësohet se ka pasur marrëveshje tregtare që prej vitit 2009 me dy kompanitë e lartpërmendura, marrëveshje këto që sipas autoriteteve Zvicerane kanë sjellë dëme ekonomike në miliona euro ndaj tyre. Dy kompanitë kanë si aktivitet tregtar energjinë dhe naftën.

Sipas informacioneve të lapsi.al, prokuroria e Gjenevës, në datën 5 maj 2014, ka dërguar në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri një letërporosi, duke kërkuar ndihmë nga homologët shqiptarë, pasi një pjesë e veprimtarisë kriminale dyshohet se Taçi e ka kryer në vendin e tij, Shqipëri.