Zaev i përgjigjet Gruevskit

Lideri i LSDM’së, Zoran Zaev, i është kundërpërgjigjur liderit të VMRO-DPMNE’së, Nikolla Gruevski, duke i thënë se liria për të gjithë qytetarët po vjen.

Në një postim në Facebook, Zaev ka thënë se shumica dërmuese e qytetarëve, në zgjedhjet parlamentare, votuan për ndryshimin, dhe kjo, sipas tij, është e vështirë të pranohet nga partia e Gruevskit, shkruan Express.

“Të nderuar qytetarë, Mos lejoni që të bini pre e provokimeve nga kushdo, përfshirë edhe atë që për 10 vjet qeverisi me Maqedoninë. Koha e tij ka mbaruar.Institucionet duhet të përfundojnë punën e tyre në pajtim me kushtetutën dhe ligjet. Vendimet e gjykatës nuk përcakton se kush formon qeverinë, por ato janë të rëndësishme për shkak të vërtetës dhe fakteve. Shumica dërmuese e qytetarëve, mbi 600 mijë njerëz votuan për ndryshime. Ndryshimet do të ndodhin, pasi ky është proces i pandalshëm edhe pse VMRO-DPMNE e ka shumë të vështirë që ta pranojë një gjë të tillë. Ndryshimi është i shëndetshëm për çdo vend, edhe për Maqedoninë”, shkruan Zaev, raporton Express.

Zaev i ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje dhe për sjellje dinjitoze.

Ai ka thënë se liria më në fund është duke ardhur në Maqedoni/

“Liria është duke ardhur për të gjithë qytetarët, për ata që votuan për ndryshimin dhe për ata që ishin përkrah Gruevskit. Maqedonia do të vazhdojë rrugën e saj. Do të ketë jetë për të gjithë”, shkruan Zaev.

Sot, Gruevski ka kërcënuar se partia e tij nuk do të pranojë rezultatet zgjedhore, nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim për rimunërimin e votave.