Ylli Alla: “Familja e shёndoshё nё emigrim, produkt i vlerave shqiptare”

Nga Esmeralda Sadikaj

Ndryshimi i sistemeve shënon eksodin modern të shqiptarëve drejt perëndimit. Censura nuk mundi ti groposë ëndrrat për një jetë më të mirë .
E si mund të ishte ndryshe për njerëz të patrembur dhe ambicioz. Largpamësia dhe objektivi për ti dhënë familjes një jete më të mirë bën që të përballoj çdo sfidë të jetës.
Ai nuk u ndal së kërkuari më të mirë. Ndoshta nuk e kishte menduar se një ditë do të ishte punëdhënësi mbi 50 punëtorëve kur u gjend në Londër. Kishte patur një “përvoje” si emigrant edhe në shtetin fqinj Greqi, por Anglia kishte hapësira dhe mundësi që as që mund të përfytyroheshin andej.
Ai është Ylli Alla, që arriti t’i bëjë ballë vështirësive të jetës duke themeluar një kompani ndërtimi në Britaninë e Madhe. Pas qëndrimit për disa kohë në Greqi, në fushën e ndërtimit, merr rrugën drejt Britanisë. Punon për rreth katër muaj si një punëtor në një kompani ndërtimi. Duke parë mundësitë e pafundme që gjendeshin për njerëzit guximtar dhe të vullnetshëm, u shkëput që aty për plane më të mëdha për veten. ‘Fillimi nuk ishte i lehtë, pasi kisha lënë familjen në Shqipëri dhe nuk kisha njohuri të gjuhës angleze,’na tregon z.Ylli.

Motivet e largimit nga Shqipëria të Yllit, të një ish të persekutuari të regjimit komunist, ishin për të rimëkëmbur një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tij. Objektivi kryesor fillestar ishte se si mund të përshtatej me ambientin e ri, si mund të fitonte të ardhura për të ndihmuar familjen.
Edhe pse nuk kishte një arsim përkatës dhe nuk kishte njohuri të gjuhës angleze, të cilën e përvetësoi shpejt, arriti të depërtojë në botën e biznesit. Sipas tij, të bësh biznes në Angli është shumë lehtë, mjafton dëshira dhe vullneti, si dhe përkushtimi.
Në kompaninë e ndërtimit ‘D & R Building Ltd’ punësoi të njohur shqiptar të specializuar në fushën e ndërtimit, por edhe punëtor të tjerë të kombësive te ndryshme. Kompania ka një shtrirje në Londër, por edhe jashtë saj. Merret me ndërtime të reja dhe rikonstruktime. Është një kompani që nuk ka nevojë për reklamime, pasi ka kontaktet e saj, website-n e vet dhe e njohur për shërbimet mjaft cilësore që ajo ofron.
Ylli veçse ka ngritur një biznes, ka krijuar edhe një familje që mund ta quanim pa hezitim perfekte. Është babai i katër fëmijëve, dy vajzave dhe dy djemve. Një familje me një raport të tillë çdokush do ta ëndërronte. Djemtë i ka të moshave 19 dhe një vjeç, ndërsa vajzat 14 dhe 10 vjeçe. ‘Për të qënurit prind ka dy aspekte: të paturit vështirësi dhe mos të paturit vështirësi.
Për mua nuk ka qenë e vështirë të jem një prind.
Mendoj se nëse ke një jetë familjare dhe ke ndihmën e pazëvendësueshme të bashkëshortes, nuk është aspak e vështirë të jesh prind,’ shprehet biznesmeni Alla.
Ai i vë rëndësi dialogimit mes prindërve dhe fëmijëve; jo-imponimit të dëshirave të prindërve tek fëmija, por arritja te një konsensus. Meritat e kësaj familjeje, Ylli ja atribuon bashkëshortes së tij që ka qëndruar më pranë fëmijëve në rritjen dhe edukimin e tyre.
Tre fëmijët e mëdhenj vazhdojnë studimet këtu, dhe prindërit janë të kënaqur nga arsimimi i tyre, por pa harruar vlerat shqiptare. Sipas Yllit, vetëm duke mbajtur si bazë vlerat shqiptare mund të kesh një familje, e mbi të gjitha një familje të shëndetshme.
Krahas traditës e kulturës vendase, ata u kanë mësuar fëmijëve traditat e zakonet shqiptare, gjuhën tonë shqipe. ‘Arritja e suksesit me ndershmëri, në bazë të përgatitjes personale dhe profesionale, mbajtja e fjalës së dhënë, respektimi i tjetrit e shumë vlera të tjera janë thelbësore që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë duhet t’i dinë dhe të jenë të kompletuar,’ thekson Ylli.
Domosdoshmërisht, duke u nisur nga këto virtyte, ndjenjat e atdhedashurisë janë të rrënjosura në personalitetin e Yllit.
Edhe pse e braktisi atdheun para 17 vitesh, për një jetë më të mirë, ai nuk e ka harruar atë. Shkon shpesh në Shqipëri me familjen për të kaluar pushimet, për të shijuar bukuritë e vendit, por edhe për t’u çmallur me familjarët dhe të afërmit e tjerë.
Atdheu për të lindja dhe rilindja e tij. Aty ka parë dritën e parë të diellit, aty ka mësuar mjaft gjëra, por aty ka gjetur shpresën se gjërat mund të përmirësohen, nuk ka vdekje pse gjërat nuk po shkojnë mirë, kështu le të rilindim.
Shkëndijat e rilindjes kur njeriu gjendet poshtë shpirtërisht, i gjeti në Shqipëri, por ato e udhëzuan drejt Britanisë së Madhe. Ylli, mund të jetë një shembull për të gjithë ne, që mos të demoralizohemi kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç ishin planifikuar.
Në jetë ka rënie e ngritje, por kurrë dështim, nëse jemi të motivuar, kemi dëshirë për të punuar dhe vullnet për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat tona.
Mesazhi që dëshiron të përcjell Ylli tek bashkëkombësit e tij kudo që ndodhen është i thjeshtë: “Jini fleksibël. Për të arritur gjërat që dëshironi, nuk mund t’i arrini vetëm nëse do të punoni në vende me poste zyrtare. Unë e nisa rrugën time, si një punëtor i thjeshtë e sot jam drejtuesi i kompanisë sime. Ëndrrat në jetë realizohen me dëshirë, punë, durim dhe lodhje.
Nuk ka kënaqësi më të madhe, të shijosh frytet e punës tënde! Dhe kjo të shijon më tepër kur je lodhur shumë për ta arritur! Por, për të arritur këtu mos nëpërkëmbni vlerat me të cilat jeni rritur dhe edukuar.
Në jetë nuk është e rëndësishme vetëm karriera, por edhe familja. Karriera ndoshta edhe të braktis, ndërsa familja kurrë. Ajo është pranë jush në ditët e mira dhe të këqija.
Ndërtoni familjen mbi vlerat shqiptare, kudo që ndodheni. Vlerat shqiptare janë trashëgimia që nuk do të ketë shterim nëse do të përçohen brez pas brezi. Dhe mbi të gjitha jetoni!’