Xhaka: Sa e vështirë të luash kundër Shqipërisë

Granit Xhaka vihet në siklet kur flitet për Shqipërinë. Prishtinasi e konsideron mjaft të vështirë përballjen me Kuqezinjtë e aq më shumë për faktin se në Evropian do të luajë kundër vëllait të tij, Taulantit. Sidoqoftë, premton se do ta bëjë më të mirën për Zvicrën si profesionist që është, duke uruar që shqiptarët dhe zviceranët ta kalojnë fazën e grupeve
Granit Xhaka është vënë në mes të dy zjarreve. Mesfushori prishtinas e pret me përtesë të madhe ndeshjen ndaj Shqipërisë, pasi sa herë që luan me Kuqezinjtë vihet në siklet, duke e pasur parasysh se edhe vetë është shqiptar.
Ai e përfaqëson Zvicrën dhe shorti deshi që në Kampionatin Evropian, i cili do të jetë historik për Shqipërinë, të përballet me vëllain e vetë, Taulantin, që luan me ekipin e Gianni De Biasit.
Ky takim do të jetë i rrallë, pasi nuk kishte ndodhur në të kaluarën që dy vëllezër të luajnë në Evropian kundër njëri-tjetrit. 23-vjeçari, i cili gjendet në Kosovë për pushime, i ka shprehur për “Zërin” emocionet që ndien për ballafaqimin me Shqipërinë.
Për të, kjo nuk do të jetë hera e parë që luan ndaj Kuqezinjve. Sidoqoftë, ai premton se në fushë do të bëjë më të mirën për skuadrën helvetike.
“Jo vetëm kundër Taulantit që është e vështirë të luaj, por edhe kundër Shqipërisë. Kemi pasur ndeshje me Shqipërinë edhe para dy vjetësh dhe ka qenë shumë e vështirë. E tash kur është edhe vëllai im që luan për Kuqezinjtë, do të jetë edhe më e vështirë. Megjithatë, ne jemi profesionistë dhe duhet të luajmë”, ka thënë Xhaka