VV kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur jo legjitim takimin e nesërm në Bruksel të kryeministrit Isa Mustafa, me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Deputet i VV-së, Rexhep Selimi, kërkoi që të ndalohen këto bisedime më një shtet i cili ka në mbrojtje të vet shefin e Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviqin, i cili është i përfshirë në krimet serbe kundrejt popullatës civile në Kosovë.

Në një konferencë për media deputetët VV-së, Glauk Konjufca e Rexhep Selimi, thanë se Qeveria nuk i ka bërë publike temat të cilat do të bisedohen nesër në këtë takim, si dhe nuk kanë marrë leje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Deputeti Glauk Konjufca tha kryeministri nuk ka paraqitur asnjë platformë në Kuvend dhe nuk ka marrë asnjë mendim nga deputetet.

“Mustafa dhe Thaçi po shkojnë në dialog me Vuçiqin dhe Daçiqin pa lejen e kuvendit të Kosovës dhe pa prezantuar kurrfarë qëndrimesh, platforma apo qëllime të caktuara. Nuk ekziston deri tash asnjë dokument zyrtar në Kuvendin e Kosovës e madje as në Qeverinë e Kosovës, sa i përket agjendës së dialogut. Takimi i nesërm po zhvillohet tinëz qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, prandaj mund të thuhet se ky takim që po ndodh në Bruksel është jo-legjitim dhe i papranueshëm”, tha Konjufca.

Me këtë gjë, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mustafa po e vazhdon Qeverisjen e keqe të Hashim Thaçit, duke e anashkaluar plotësisht Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se Mustafa është vetëm një zëvendësim i Thaçit.

Po ashtu, ai tha se është e padrejtë që deputet të marrin apo kuptojnë nga mediet se tema të bisedimit në Bruksel do të jenë drejtësia dhe emigrantët të cilët po e lëshojnë Kosovën.

“Po çfarë serioziteti ka kjo Qeveri, shtrohet pyetja kur kryeministri i vendit, çështjet më të rëndësishme për shtetin tonë nuk vjen që t’i trajtoj në Kuvend. Ndërsa deputet e marrin vesh për temat që do të trajtohen në dialog vetëm nëpërmjet medieve. Kjo që po ndodh është pikërisht avazi i Qeverisë së shkuar, e cila kuvendin e ka kthyer në një dikaster të ekzekutivit. Qeveria e Kosovës nuk ka platformë për bisedimet me Beogradin”, tha ia.

Deputet i VV-së, Rexhep Selimi, kërkoi që të ndalohen këto bisedime më një shtet i cili ka në mbrojtje të vet shefin e Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviqin, i cili është i përfshirë në krimet serbe kundrejt popullatës civile në Kosovë.

“I njëjti është marrë në mbrojtje nga shtetit Serb dhe Qeveria e Serbisë me të cilën tashmë po vazhdohen bisedimet e kryeministrit tonë me Qeverinë e Serbisë, pra, Serbia është e njëjta, kjo Serbi e Vuçiqit është e njëjta sikurse Serbia e Millosheviqit përball Kosovës dhe shqiptarëve. Dhe ndërkohë të mendohet se në këto rrethana dhe në këto kushte të vazhdohen bisedimet e Kosovës me Serbinë, do të duhej thjeshtë të ishin të papranueshme dhe po ashtu forcërisht e kundërshtueshme… Më lejoni t’i ndaj me ju disa nga urdhëresat që i ka dhënë ky njeri. Pra është urdhërdhënia direkt për vrasjen e shqiptarëve në Drenicë, sipas dokumenteve zyrtare të Ushtrisë Jugosllave me numër 121-1/99, e klasifikuar si sekret ushtarak, tepër sekret”, tha Selimi.

Ai, po ashtu tha se ka edhe shumë arsye të tjera pse duhet të ndërpriten bisedimet Kosovë-Serbi sa më shpejt që është e mundshme, sepse, sipas tij, çdo marrëveshje e deri tanishme me Serbinë ka qenë antikushtetuese dhe të dëmshme për Kosovën.

Bisedimet Kosova-Serbi, do të vazhdojnë nesër në Bruksel, në mes të Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.