Vrasja e tre vajzave, caktohet data e gjyqit për nënën Edlira Copa

Gjykata në Lecco të Italisë ka vendosur të fiksojë datën e çelje së procesit të shqyrtimit gjyqësor për 37 vjeçaren Edlira Copa e cila akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj 9 marsin e kaluar. Por mbrojtja ligjore e të akuzuarës, thotë se nuk mund të ketë një gjyq ndaj saj pasi konsiderohet si e paaftë mendërisht. Edlira Copa do të paraqitet në gjykatën e Lecco, qytet ndër më të pasurit në veri të Italisë, më 24 mars të këtij viti, raporton korrespondenti i NOA. Datën e nisjes së gjyqit e caktoi gjyqtari Massimiliano Mercaldo. Avokati i të dyshuarës, Stefano Spreafico, tha se Edlira Copa përballet me akuzën e vrasjes së trefishtë në rrethana rënduese për shkak të cilësive të veçanta të viktimave. Por, avokati shtoi se sido që të jetë puna, një proces gjyqësor ndaj klientes së tij nuk mund të ketë. “Edlira Copa nuk mund të procedohet me gjyq pasi nuk ishte e vetëdijshme nga ana mendore kur kreu vrasjen e Simonës 13 vjeçe, Keisit, 10 vjeçe dhe Sidny-t, tre vjeçe”, – tha avokati Spreafico.

“Kur kreu këto vrasje, Edlira Copa ishte krejtësisht jashtë këtij realiteti, u bë pre e një mendjeje të sëmurë, të papërgjegjshme dhe për rrjedhojë është e pafajshme”, tha avokati Spreafico. Sipas mbrojtjes, Edlira nuk mund të dënohet me burgim nga gjykata. Por ajo mund të dënohet që të kalojë vite të tëra në një strukturë të mbrojtur, ndoshta klinikë psikiatrike. Çmohet se Copa është rrezik për veten dhe të tjerët, ndaj duhet mbyllur në zonë psikiatrike të izoluar, siç është burgu psikiatrik “Castglione delle Stiviere”. Ndërkohë, ish burri i Edlira Copës, Bashkim Dobrushi, është përgatitur për t’u kthyer përfundimisht në Shqipëri. Mësohet se para se të bëhet një vit nga tragjedia e 9 marsit që pllakosi familjen e tij, Bashkimi do të jetë në Shqipëri, i shoqëruar nga prifti Angelo Cupini. Tre vajzat që u vranë nga e ëma, prehen në Shqipëri, pasi iu shua jeta që në vogëli nga ajo që i solli në këtë botë.