Vllaznia, shtyhet gjetja e një trajneri të ri

Telashet s’kanë të sosur te Vllaznia. Skuadra shkodrane, e cila ka patur probleme të mëdha financiare muajt e fundit, për momentin vazhdon të mbetet pa trajner, pavarësisht se nga ana e drejtuesve teknik po bëhet përpjekje për të gjetur një drejtues për stolin e kuqebluve. Këtë të Mërkurë ishte programuar një mbledhje e bordit drejtues ku do të diskutohej dhe vendosja e trajnerit, një kërkesë që ishte bërë me ngulm nga ana e drejtorit sportiv, Armir Grima, që aktualisht ka drejtuar skuadrën në stol.

Por mbledhja është shtyrë nga kryetarja e Bashkisë pa asnjë arsye konkrete, sic pretendojnë pranë klubit Vllaznia. Vetë Grima dëshironte që të zgjidhej brenda kësaj dite emri i trajnerit që ai planifikonte dhe lojtarët për fazën përgatitore dimërore, që do t’i jepnin një fytyrë më të qartë ekipit për pjesën e mbetur të sezonit, por kjo nuk ndodhi sipas parashikimeve. Sipas burimeve pranë klubit shkodran mbledhja e radhës e bordit është parashikuar më datë 15 Janar, por realisht në atë moment do të jetë shumë vonë për trajnerin e ri që të punojë në kushte normale duke qenë se nuk do të mund të kryejë dot një fazë të plotë përgatitore.

Video Player

00:00
01:08