VIDEO/ Brenda banesës ku humbi jetën nga zjarri fëmija 4-vjeçar

Policia e Tiranës nisi hetimet për zjarrin e rënë dje në një apartament në Unazën e re në Tiranë. Ndërkaq, pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse fëmija ka ndërruar jetë nga asfiksia, apo nga flakët.
Policia e kryeqytetit nis hetimet për shkakun e zjarrit, të ndodhur në banesën e kryefamiljarit Amarildo Nezha, në zonën e Unazë së re, ku për pasojë gjeti vdekjen djali i tyre 5 vjeçar.
Burimet thonë se pritet zbardhja e raportit të Inspektoriatit Qendror Teknik për shkakun e zjarrit që më pas organi i akuzës dhe policia të vazhdonin me veprimet e tjera hetimore.
Sipas policisë bombola e gazit ishte e vendosur në ballkonin që ishte përshtatur si kuzhinë. Në momentin e shpërthimit, soba me gaz ishte në punë.
Nga dëshmia që polica i ka marrë Barie Nezhës, nënës së fëmijës që humbi jetën, ajo ka qenë duke larë foshnjën e saj 8 muajshe në tualet. Ndërsa djali 5 vjeç, Andi Nezha ndodhej në ballkon.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se është derdhur gjella që më pas ka fikur flakën. Kjo gjë nuk është vënë re nga mamaja e viktimës. Ndërkohë që ajo, merrej me foshnjën e saj, shtëpia mbushej, me gaz.
Ajo që po heton policia dhe Inspektoriati Qendror Teknik është se kush e shkaktoi zjarrin më pas. Ndërkaq, pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse fëmija ka ndërruar jetë nga asfiksia, apo nga flakët.
Zjarri ra në katin e 7-të të një pallati. Në momentin e zjarrit në banesë ka qenë Baria së bashku me dy fëmijët e saj. Ajo ka nxituar të nxjerrë foshnjën e saj jashtë banesës, dhe në këto momente nga presioni i shpërthimit të gazit, mbyllet dera e blinduar. Kjo gjë pengoi familjarët të futen sërish në banesë për të shpëtuar djalin e tyre 5 vjeçar. Ndërsa Amarildo Nezha, babai i viktimës ndodhej në një dyqan  afër banesës.
Video: