Veliaj i dorëzon Kristo Frashërit titullin “Qytetar Nderi”

Paraditen e sotme, Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nderuar me titullin “Qyetarë Nderi” akademikun Kristo Frashëri. Nga një ndjenjë personale dhe respekti për figurën e historianit, Veliaj ka vendosur t’ja dorëzoj vetë në dorë Profesor Frashërit. Çmimi ishte akorduar që në vitin 2012 nga Bashkia Tiranë.

Vonesa për marrjen e titullit nga akademiku i njohur duket se ka lidhje me ish kryebashkiakun, Lulzim Basha, i cili edhe pse Këshilli Bashkiak që në 2012 e kishte ngarkuar t’i jepte titullin prof. Frashërit, Basha kishte refuzuar ta bënte këtë gjë.

Në emër të qytetarëve të Tiranës, nderojmë Prof. Dr. Kristo Frashëri me titullin “Qytetar Nderi” për kontributin e çmuar në evidentimin e vlerave historike të qytetit të Tiranës. Kam privilegjin e madh t’ju ofroj titullin e nderit, të shpallur me vendimin Nr. 6, datë 23 Mars 2012 dhe t’ju garantoj të gjitha të drejtat e patjetërsueshme, që burojnë prej tij”, thuhet në titullin e firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Prof. Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dhe monografi shkencore, që trajtojnë ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Historiani Frashëri mban shumë vlerësime, ndër të cilat janë dhe “Mjeshtër i madh” dhe “Nderi i Kombit”.