Vdes foshnja nga i ftohti, reagojnë Basha dhe Bashkia e Tiranës

Një foshnje tre muajshe e komunitetit rom ka humbur jetën dje në orët e para të mëngjesit. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se foshnja me inicialet M. M., ka ndërruar jetë si pasojë e të ftohtit, në barakat e romëve në zonën e Shkozës. Trupi i foshnjes u dërgua në morgun e kryeqytetit për t’iu nënshtruar autopsisë, ndërkohë që policia punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Komuniteti rom i kërkoi Bashkisë së Tiranës të mundësonte ceremoninë mortore të foshnjës për shkak të pamundësisë financiare të familjes.

Po ashtu, banorët shprehen se gjatë këtij viti, 5 foshnje të këtij komuniteti kanë ndërruar jetë. Qibatie Mehmeti, e ëma e e foshnjës, u shpreh se vajza e saj ndërroi jetë nga i ftohti, teksa flinin. “Ishte ora 3 e natës kur unë u ngrita për t’i dhënë vajzës gji, por ajo nuk reagonte fare, ishte akull e ftohtë dhe trupi i ishte nxirë i gjithi. Lajmërova komshinjtë për t’a dërguar fëmijën me ambulancë në spital, por ambulanca nuk erdhi dhe as mjekët”, u shpreh nëna e foshnjës së vdekur. Po gjatë këtij muaji, më datë 19 dhjetor, një tjetër foshnje ndërroi jetë për shkak të ftohtit në Durrës, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”.

Basha: Të varrosim qeverinë

Pas vdekjes së foshnjes 3-muajshe në barakat e komunitetit rom në Shkozë, si pasojë e të ftohtit, ka reaguar  kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Përmes një postimi në “Facebook”, Basha thotë se nuk duhet të hapet më asnjë varr për foshnje që vdesin nga i ftohti: “Ka ardhur koha që të varrosim kërmën e hajdutëve që i thotë vetes qeveri. Në harkun e pak ditëve, dy foshnje dhe një grua kanë humbur jetën nga i ftohti. Nuk ka asnjë reagim nga qeveria apo bashkia. Asnjë reagim, asnjë ngushëllim, asnjë masë nga kokoshi i Surrelit e as nga kastraveci i Tiranës. Mosreagimi i tyre është vetëkallëzimi i kësaj qeverie kriminalisht të papërgjegjshme”, u shpreh kreu i opozitës.

Bashkia e Tiranës: Nuk ishim në dijeni

Pak orë pas vdekjes së foshnjes 3-muajshe në barakat e romëve në Shkozë, Bashkia e Tiranës ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të rastit në fjalë. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Arbjan Mazniku, familja rome ishte shpërngulur para pak ditësh në Tiranë dhe bashkia s’ka qenë në dijeni për situatën. “Familja është shpërngulur në Tiranë para pak ditësh nga Peqini.

Në asnjë mënyrë njerëzore apo institucionale, bashkia nuk ishte vënë në dijeni në asnjë kohë më parë për situatën në fjalë, që të reagonte”, është shprehur për media Arbi Mazniku. Ndërkohë, Mazniku iu përgjigj edhe kreut të PD-së, Basha, i cili reagoi menjëherë pas ngjarjes. “Basha s’lë rast pa kërcyer vallen e vdekjes. S’di se si del dhe bën kukuvajkën e vakive. Qytetarët e dinë realitetin dhe nuk besoj se janë të gatshëm ta falin kur ai bën politikë me një rast të tillë. S’është momenti i duhur për të bërë politikë”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.