Vasjan Lami, aktori që bën profesorin e Joneskos të flasë shqip 

 

Nga Flori Slatina

 

Vasjan Lami është një nga brezat që ka lënë gjurmë në teatër dhe eksploruar me role të vështira në botën e aktrimit në vendin tonë. Personazhet dhe veprat që ka vendosur në skenë kanë sjell gjithmonë një risi dhe emocion të papërsëritshëm në teatër. Në një intervistë për “Koha Jonë”, aktori Vasjan Lami rrëfen emocionet dhe rrugën sesi ju besua roli kryesor në veprën e dramaturgut Jonesko. Ajo që e bën të ndihet në vetvete shumë i sigurt drejt këtij profesioni ka qenë fakti i të qenit gjithmonë i përkushtuar në punë. Vasjan Lami ka lindur në Tiranë në maj të vitit 1957. Në vitin 1978 diplomohet në Akademinë e Arteve, dega e Dramës si Aktor dhe në gusht të atij viti emërohet  në Teatrin Kombëtar, ku vazhdon ende të punojë prej 33 vitesh. Gjatë kësaj periudhe ka realizuar  një galeri rolesh, jo vetëm në teatër, por edhe në film. Deri tani ai ka në arkivin e tij artistik mbi 80 role.

Teatri Kombëtar sjell një ndër kryeveprat e Joneskos në skenë, ku ju është besuar dhe roli kryesor. Personazhi si ju duket profesionalisht, është interesant dhe e keni realizuar me kënaqësi?

 

Jonesko është një ndër përfaqësuesit më të suksesshëm të teatrit absurd të shekullit  XX si Sarti, Beketi apo Mrozhek. Jonesko është një francez me origjinë rumune, ka lindur në Rumani, ku ka kaluar dhe adoleshencën, e më pas ka jetuar në Francë, ku ka pasur edhe gjithë krijimtarinë e tij. Ai ka patur fatin e keq, si dhe të gjithë vendet e lindjes, të provojë pasojat e dhunës dhe persekutimit të diktaturës komuniste, të pas luftës së dytë botërore dhe ai e di shumë mirë se çfarë sjell një diktaturë, qoftë ajo fashiste, naziste apo dhe komuniste. Në veprat e tij ai ka bërë apel kundra këtyre diktaturave të ndryshme dhe ky fill i përshkon pothuajse të gjitha veprat e Joneskos. Pra, shpërbërja e njeriut, viktimizimi i tij, krimet me dashje dhe pa dashje që bëhen në sisteme të tilla, ai i ka patur gjithmonë në qendër te veprave të tij. Këto i nënvizova pasi ky ka qenë edhe objeksioni i vënies në skenë, të kësaj vepre në Shqipëri nga regjisori Frantz Helmer. Kur mu propozua ky rol, gjëja e parë që më tërhoqi ishte kompleksiviteti i karakterit të këtij personazhi. Duhet ta dini se çdo aktor, gjëja e parë që sheh tek personazhi që i ofrohet, është se sa situata dhe momente të ndryshme emocionale dhe psikologjike, kalon personazhi. Pasi kjo e bën atë më interesant dhe njëkohësisht edhe më të vështirë. Profesori i “Leksionit”, mendoj se është tipik i atyre personazheve që realizon kërkesat dhe ambiciet e aktorit. Pra, padyshim që e pranova me kënaqësi dhe duke marrë parasysh edhe sfidën dhe punën e madhe që do të duhej për të bërë atë që do të dëshiroja. Për të realizuar këtë personazh, nuk di nëse do ju dukej interesante, do t’u tregoj me pak fjalë se ku u mbështeta dhe çfarë drejtimi pata.  “Leksioni” mbahet si një ndër veprat më të mira të Joneskos e shkruar në vitin 1950, ku subjekti ka në qendër të tij një Profesor, i cili u jep leksione nxënëseve në shtëpinë e tij. Trurin e këtij Profesori e ka në dorë shërbyesja e tij, ajo është personifikim i ideatorit dhe udhëheqësit të kësaj ideologjie, ndërsa  Profesori është vegla dhe ekzekutuesi i kësaj ideologjie. Profesori fillimisht duket tepër paqësor dhe i devotshëm në mësimdhënie, por më pas shohim se ai i vështirëson dhe i ka të ndërtuara  leksionet, në atë mënyrë, që të mos perceptohen lehtë nga nxënësit dhe kështu nxënësja, sa vjen dhe vihet më shumë në vështirësi, deri sa vjen momenti ku Profesori del në thelbin dhe instinktin e tij. Shfaqja përfundon me një fund tragjik pasi ai e vret vajzën. Kjo vajzë është e dyzeta që vritet këtë ditë. Kjo pjesë mbahet si një satirë parodike, dramë komike, apo është një tragjedi e thënë duke qeshur. Në fund të shfaqjes, kur ti sheh se deri ku shkon kjo histori e nisur si një shaka, që shpesh është sa e hidhur, aq dhe  qesharake, tronditesh për atë që ndodh në skenë, pasi kurrsesi nuk do të shkonte mendja tek ai fund. Por këtu mendoj se qëndron edhe vlera e këtij autori me famë botërore, si përfaqësuesi më modern i absurdit të shekullit të XX. E papritura e asaj që ndodh, mënyra për ta thënë të vërtetën, sa esenciale dhe artistike, aq thjeshtë dhe natyrshëm, e dallon këtë autor nga shumë bashkëkohës të tij. Kjo të kujton saktë kohën e komunizmit, ku aq i thjeshtë ishte ekzekutimi i njerëzve dhe aq pa vlerë ishte jeta e tyre, për pushtetarët e kohës, sa që padyshim kur e dëgjon të treguar nga këta personalitete të letrave, të duket e  pabesueshme deri në absurditet  për ata që ishin, apo i dilnin kundra pushtetit. Ndoshta dhe në komunizëm  kaq thjeshtë vinin gjërat, kaq të parëndësishme në dukje ishin edhe eliminimet e nxënëseve, dhe jo pa qëllim autori e ka shkruar në këtë mënyrë. Pra, kemi në mënyrë sinjifikative se çfarë do të thotë autori dhe tendenca e regjisorit Franc Helmer në inspirimin e tij në këtë vënie. Sa për atë, se sa unë kam arritur ti them në mënyrë artistike të gjitha këto inspirime dhe meditime, besoj që të kem realizuar detyrën kryesore të aktorit, të transmetoj tek spektatori domethënien e personazhit të tij.

 

Ju jeni një aktor që keni spikatur në karaktere. Është hera e parë që luani një rol në pjesët e Joneskos?  Ndoshta roli i i Profesorit është një karakter i gjetur për ju?

 

Po ky është i pari rol nga veprat e Joneskos dhe roli i dytë kryesor, që luaj në një pjesë absurde, pas atij të Garibaldit tek “Forca e Zakonit”. Kur mu ofrua Garibaldi, mu duk që do të ishte një punë mjaftë e vështirë, për ta bërë atë personazh të perceptueshëm dhe sidomos të pëlqyeshëm për spektatorin shqiptarë, që pak është mësuar me teatrin absurd. Duhet të keni parasysh, që struktura e një vepre absurde, nuk është e ndërtuar mbi ligjet klasike dramaturgjike. Po ashtu edhe personazhet e tyre, nuk janë të prezantuar dhe zbërthyer si karaktere në formën klasike të dramaturgjisë, që presupozon të respektohet diagrama: prezantim, zhvillim, kulminacion dhe zgjidhje. Ata në shumicën e rasteve merren të mirëqenë, nuk kanë një diagram zhvillimi, përkundrazi; shpesh sillen rrotull një elementi karakterial, derisa edhe vetë mbyten për shkak të mos gjetjes së zgjidhjes. Të tillë personazhe, sa duken të pa ndryshueshëm si karaktere, aq më e vështirë është për aktorin, që në këtë pandryshueshmëri, të gjejë, atë që mund ta bëjë interesant dhe jo monoton e të mërzitshëm për spektatorin. Shpesh spektatorit tonë i ndodh, që vjen në teatër, me dëshirën e mirë dhe kur del shprehet: që ne nuk jemi mësuar me këtë lloj teatri. Por të bësh më të vështirën dhe ta thuash bukur atë, është shumë me e rëndë se të luash një personazh, si vetja. Për fat puna me Garibaldin, ishte një eksperiencë e bukur dhe e vështirë njëkohësisht, por që ishte një bazament, ku unë do të vija themelet për të vendosur “monumentin” e kësaj figure te thyer, të shtruar herë-herë, kapriçioze dhe melankolike, elokuente dhe agresive, përkëdhelëse dhe vrasëse, të Profesorit. Pra mjafton të kujtoni gjithë këto elemente të karakterit që përmenda, për të kuptuar ju, se çfarë pune duhej bërë, për të realizuar të gjitha këto kërkesa.

 

“Leksioni” vjen si një bashkëpunim ndërmjet Teatrit Kombëtar dhe Aleancës Franceze. Për këtë pjesë është bërë dhe një audicion i vogël…

 

Ky bashkëpunim është i treti serioz mes Teatrit Kombëtar dhe Ambasadës Franceze. Bashkëpunimi i parë ishte shfaqja “Berberi i Seviljes” ku ambasada mbështeti ardhjen e regjisorit të shquar bashkëkohor Eric Vigner, i dyti ishte realizimi i performancës së Aktorit me origjinë Shqiptare, Rexhep Mitrovica, në sallën tonë dhe së fundi “Leksioni” me regjisor F.Helmer. Në këtë rast mbështetësit kryesore janë Aleancat Franceze të Shqipërisë, si dhe Ambasada Franze. Regjisori Helmer ka vënë para disa kohësh një shfaqje në Akademinë e Arteve, pastaj me një regjisor gjerman ku luajtën, një aktor italian, gjerman dhe një shqiptar dhe kjo është hera e tretë që vjen në Shqipëri. Përpara se të vinte tek unë Helmer provoi disa aktorë Atë ditë që patëm takimin, pasi ai shfaqi kërkesat që kishte për shfaqjen dhe personazhin , unë pranova. Teatri Kombëtar ka prekur disa nga veprat më të rëndësishme të Joneskos. Nuk ka teatër seriozë në botë, që herë pas herë, mos ta ketë në repertorin e tij Joneskon. Jonesko është një laborator i dramaturgjisë, i karaktereve, i filozofisë që ai ka dhe kjo është arsyeja që ai nuk mungon në repertorët e teatrove botëror.

 

33 vite në teatër dhe në film, një krijimtari e gjatë artistike që numëron një gamë të pafundme rolesh…

 

Kur shikoj ndonjëherë cv-në më duken shumë. Besoj se ka arritur mbi 50 role në teatër dhe mbi 30 role në film. U bë një jetë e gjatë, 33 vjet në Teatër Kombëtar, kam hyrë shumë i ri , dhe tani jam në një moshë “serioze”. Tani e kam të vështirë të numëroj personazhet e hershme, ndërkohë që do të rreshtoja një sërë rolesh që janë më pranë edhe spektatorit. Mund të kujtoj në teatër si: Jasoni nga “ Medea” e Euripidit, Garibaldi nga “Forca e Zakonit” e Tomas Bernar, Pedagogu tek “Elektra” e Sofokliut, të cilët kanë qenë të gjithë të ndryshëm dhe të bukur njëkohësisht. Ndërsa në film, këto 20 vitet e fundit nuk është bërë aq shumë siç bëhej në Kinostudio. Atëherë kishim vërtetë më shumë angazhim në filma, ndërsa tani po bëhet një film në dy vjet, mesatarisht. Filmi i fundit i plotë ku unë kam luajtur ishte “Lule të Kuqe, Lule të Zeza” i regjisorit Mevlan Shanaj.

 

Janë bërë shumë personazhe por tani s’më vijnë ndërmend të gjitha pasi mbahen mend vetëm këto të fundit. E bukura e këtij profesioni është se çdo rol e nis nga zeroja, pra kurrsesi nuk mund të themi, se nuk dua të luaj x rol, se e kam bërë këtë më parë. Sado eksperiencë të kesh dhe sado i talentuar të jesh, nëse ti nuk bën një punë serioze, nuk do të kesh kurrsesi suksesin që dëshiron, për mos të thënë, që mund edhe të dështosh.

Si profesionist, si e shikoni zhvillimin e teatrit dhe kinemasë në Shqipëri?

Teatri për fat të mirë u bën disa vjet që me ardhjen e drejtorit Skrami po bën një politik kombëtare teatrale. Këto vitet e fundit në Teatrin Kombëtar janë vënë shumë pjesë serioze të dramaturgjisë botërore dhe janë ftuar regjisor të huaj, sa kurrë në historinë e tij. Mendoj se kjo politikë e Teatrit Kombëtar, ka qenë shumë produktive,sepse duke sjellë regjisorë të huaj, ne jemi ballafaquar me tjetër gjuhë teatrale, të tjera kërkesa pune dhe janë eksperienca të tilla, që ne na kanë hapur dritare të reja në punën tonë. Për fat, teatrit i është rikthyer spektatori që e do, e njeh dhe e vlerëson. Fakt është që, në disa vepra të fundit të TK, ka qenë e vështire për të gjetur bileta. Spektatori i tanishëm, nuk ha më kokoshka, apo fara kungulli në TK. Celularët po bien gjithmonë e më rrallë gjatë shfaqjes dhe spektatori nuk pyet më: “A është për të qeshur, kjo shfaqja?”

Kangrena e financimeve, ashtu siç kemi dëgjuar edhe artistë të tjerë evropian, ku shprehen se teatri është në fund të vëmendjes qeveritare. Megjithatë shpresa më e mirë për nesër, nuk na bën depresiv. Ndërsa filmi, mendoj se është më në vështirësi se sa Teatri. Filma po bëhen një në dy vjet dhe me përjashtim të disa regjisorëve, si Gj.Xhuvani, F.Koci, A.Minarolli etj, shumë pak po arrin të ballafaqohet me nivelet evropiane. Pra jeni të ftuar në premierën e fundit të TK, “Leksioni”, nga E.Jonesko, me regji të Frantz Hemler, Kostumet dhe dekori Genc Mulliqi , interpretojnë : Vasjan Lami, në rolin e Profesorit, Marsela Lena, në rolin e Nxënëses dhe Natasha Sela në atë të Shërbëtores.

 

 

Postime te ngjashme

About the author: Shef Domi

Facebook: https://www.facebook.com/shefdomi Google Plus: https://plus.google.com/109352065938726181123 Blog: www.thealbanian.co.uk/shefdomi