Transferimi i Erjon Bogdanit në Serie A nën hetim për evazion fiskal

Skandali i ri që ka përfshirë futbollin italian ka në qendër evazionin fiskal të disa prej klubeve më të mëdha të Serie A. Juventus, Milan, Lacio e Napoli janë mes 35 klubeve. Prokuroria e Napolit ka folur me emra të përvetshëm, administratorë e drejtues të lartë klubesh, e futbollistë në Serie A e B. Prokuroria urdhëroi kontrolle në 64 banesa, në operacionin e koduar me emrin “Jashtë loje”. Janë përfshirë në këtë hetim administrator i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ai i Lacios, Klaudio Lotito, ish-presidenti i Juventusit, Zhan-Klod Blank, menaxheri Alesandro Moggi, djali i Luciano Moggit e mjaft emra të tjerë, si trajneri i Modenas, Hernan Krespo, Ezekiel Lavezzi që luajti për Napolin, Diego Milito që luajti për Interin, Adrian Mutu i Juventus e shumë të tjerë. Mes këtyre emrave është edhe ai i ish –futbollistit shqiptar, Erjon Bogdani. Prokuroria e Napolit dhe Guardia Di Finanza po hetojnë edhe transferimin e ish –sulmuesit shqiptar nga Kievo te Çezena.

“Nuk do të hetohet Bogdani, por procedurat dhe ndërmjetësimi i Alesandro Moggit”, sqarojnë mediat italiane. Guardia Di Finanza dyshon se në transferimet e lojëtarëve, personat nën hetim kishin ngritur një sistem për shmangien e taksave me anë të falsifikimit të faturimeve. Deri tani Guardia Di Finanza ka sekuestruar 12 milionë euro, para që klubet duhet të paguanin për tranferimin e lojëtarëve. Hetimet kanë nisur që në vitin 2012, me tranferimin e Ezequel Lavezzi nga Napoli te PSG.