Top story/ Pse Blushi e fitoi betejën në publik? (video)

Sot, një ditë pas paraqitjes së deputetit socialist Ben Blushi në Top Story, pyetja më e natyrshme është: Si doli ai? Sa bindëse qenë tezat kundërshtuese ndaj Ramës? Sa legjitime është kërkesa e tij për të bërë zgjedhje për kryetarin e PS-së që për më shumë se dy vjet po e drejton partinë në mënyrë ilegale dhe pa mandat formal?

Natyrisht që diskutimet për këtë do të vazhdojnë, por ajo që ra në sy dje, në emisionin Top Story, ishte se të tre analistët e panelit të ndërtuar nga Sokol Balla, i dhanë të drejtë Blushit në shqetësimin e tij kryesor, për një PS më të hapur, më demokratike dhe me garë brenda.

Pavarësisht se Minxhozi, Vasjari dhe Mustafa Nano, i bënë vërejtje anësore, si qëndrueshmëria e Blushit për të mbrojtur tezat e tij, braktisja e LMN, mosangazhimi sa duhet në PS, ata ranë dakord që në PS duhet të ketë zgjedhje për kryetarin dhe duhet zgjeruar demokracia e brendshme. Kur mendon se edhe shumë komentatorë të tjerë të shtypit nuk e kanë mohuar këtë kërkesë legjitime të Blushit (madje edhe ata që janë kundër e sulmojnë në aspekte të tjera por nuk guxojnë të dalin kundër garës) del se Blushi ka hedhur një hap të sigurtë drejt strategjisë së tij. Pavarësisht seç ndodh në PS, në publik ai e ka fituar betejën e parë.

Tezat kryesore te Blushit

Ben Blushi, deputeti rebel, ish-miku dhe ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Edi Ramës, tashmë zyrtarisht i del atij përballë. Ai thotë se do të dalë me një platformë të tij dhe shton se beteja e tij është parimore, por a po kërkon ai postin dhe karrigen e Edi Ramës?

Përse Blushi del kundër kryetarit dhe partisë së tij? Çfarë synon lëvizja e tij dhe çfarë do të bëjë ai nëse humbet betejën e tij në kongresin e marsit? Një parti? Apo një libër të ri?

Për t’iu përgjigjur këtyre dhe të tjera çështjeve të aktualitetit politik, këtë të enjte në Top Story ishte i ftuar vetë Ben Blushi, përballë një paneli me analistë.

Ai e nisi fjalën e tij duke deklaruar se kërkon mbajtjen e zgjedhjeve brenda PS-së për të risjellë demokracinë dhe kolegjialitetin dhe shprehu bindjen se nëse do të ishte në krye të partisë, do ta drejtonte atë më mirë sesa Edi Rama.

“Partitë politike janë fuqitë e pushtetit, nëse ato nuk janë demokratike nuk mund të ketë demokraci. Merkeli në maj kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe fill pas tyre mbajti zgjedhjet brenda partisë. Thatcherin e hoqi partia e vet, jo zgjedhësit; Toni Blairin e hoqi partia e vet. Partia të heq kur sheh që nuk jep më garanci që zgjedhjet fitohen. Nuk them që jemi në këtë pikë, por partitë janë fuqia e shtetit. Jemi partia e parë në Europë që perëndimi na ka thënë dekriminalizojeni, sepse ligji kaloi për ne. Por si hynë banditët në Partinë Socialiste? Si hynë këta? Asnjëri nuk hyri vetë, i futi mungesa e demokracisë brenda partisë”, deklaroi Blushi.

“Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun. Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS më mirë se Edi Rama. E bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Shumë njerëz më thonë për çfarë e bën ti këtë? Unë e bëj këtë për njerëzit, e bëj këtë për të gjithë, e bëj se besoj që mund ta drejtoj PS më mirë se Edi Rama, ta bëj një parti demokratike, të hapur, kolegjiale dhe një parti të majtë sepse nuk është ashtu sot”, shtoi ai.

Blushi u shpreh se Partia Socialiste ka humbur identitetin e saj dhe nuk po qeveris si e majtë.

“Të gjithë vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament dhe ato që janë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze. Në 3 vjet varfëria është shtuar dhe ne nuk bëjmë aq sa duhet për të varfërit. Po si mund të bëjmë për të varfërit kur partia ka ose banditë ose të pasur. Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë 10 njeërzit më të pasur në Shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë?”, u shpreh ai.

Blushi tha se Edi Rama ka ndryshuar dhe nuk është më ai që ka mbështetur në vitet 2003-2005, kur edhe mori kreun e partisë.

“Unë kam mbështetur idetë dhe jo njerëzit. Kam mbështetur një parti të hapur”, deklaroi Blushi.

Blushi rezervoi kritika edhe për gjendjen ekonomike dhe reformat.

“Kemi rritur borxhin publik dhe nuk e kemi futur në punë atë. Kemi rritur emigracionin sepse fatkeqësisht nuk ka më shpresë në këtë vend. Qeverisja jonë nuk ka qenë e drejtë në asnjë ditë të saj. Reforma në energji, unë kam qenë mbështetës i saj, por fatkeqësisht dha 3 rezultate: e para, financat e OSHEE nuk janë përmirësuar, e dyta ka qenë selektive. Keni dëgjuar ju ndonjë biznesmeni t’i merren detyrimet?! Jo. Dhe e treta ka rritur çmimin e energjisë për ata që janë më të varfër”, tha ai.

Blushi foli edhe për një “përplasje” me Edi Ramën për listën e deputetëve në Qarkun e Elbasanit në vitin 2013, ku deputeti socialist e kryesonte atë.

“Një nga gjashtë deputetët që votuan Bamirin si president në 2007-n, Rama më tha të fusim në listë, ta bëjmë deputet. Unë i thashë jo. Unë refuzova, por e dini ku është ky njeri sot? Është sot kryetar i Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit. Unë këtë nuk e kam bërë, s’ e kam pranuar dhe nuk e pranoj ta bëj. Unë nuk votoj për Saliun, Rama bën koalicion me banditë. Rama nuk bën zgjedhje sepse Edi Rama nuk do metër, nuk do votimet se ato tregojnë sa veta të mbështesin dhe sa jo”, u shpreh ai.

Por nëse do të merrte kryesimin e PS-së, cili do të ishte vendimi i Blushit në lidhje me koalicionin qeveritar me Metën?

“Ky koalicion dhe Edi Rama janë përgjegjës se nuk po gjejnë dot ekuilibrin e duhur. Koalicioni po prodhon pushtet, por jo reforma. Unë do ta ndryshoj këtë koalicion, do ta bëj më funksional”, u shpreh ai.

Megjithatë, Blushi nuk është për rotacion pushteti PS-PD, por flet për një lloj tjetër rotacioni. Sipas tij, me kosto më të vogël për shqiptarët.

“Nuk them që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj që për shqiptarët sot ka kosto më të lirë dinjiteti, jete dhe politike nëse pushteti ndërrohet brenda PS-së sesa PS-PD. Unë kandidoj brenda PS për të qeverisur më mirë shqiptarët”, tha ai.

Blushi pati kritika edhe për qëndrimin e 21 Janarit.

“Kam qenë më 21 Janar dhe si të gjithë u shpërndamë kur ndodhi. Nuk harroj dy gjëra, ai që i vrau, Berisha i vrau ata në pabesi, i vrau në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me çdo normë morale. Kjo nuk diskutohet. Por atë ditë Edi Rama i thirri njerëzit në protestë dhe iku. Nëse nuk do të ikte, por do kishte dalë në ballë të protestës, ata të katërt nuk do ishin vrarë. Pra, nëse unë thërras njerëzit në protestë, edhe sikur ta di që para meje ka armë, do dal vetë i pari. Edi Rama shet gjëra që nuk shiten, shet gjëra që nuk i bën dot, kështu shiti dhe 21 Janarin”, deklaroi ai.