Tony Blair i ndalohet të përdorë ambasadën britanike në Tiranë

Ish-kryeministri Tony Blair dhe ish-ministrat e tij janë urdhëruar të qëndrojnë larg ambasadave apo rezidencave britanike kudo në botë gjatë udhëtimeve të tij për biznes. Sipas prestigjiozes britanike “The Telegraph” ai nuk mund të përdorë më këto ambiente pa pagesë siç ka ndodhur deri tani. Gazeta sjell një urdhër të Ministrisë së Jashtme Britanike që e ka konsideruar të papërshtatshëm përdorimin e stafit dhe ambienteve diplomatike nga Blair për qëllime biznesi tashmë që ai niuk përfaqëson qeverinë britanike. Ata do të lejohen të përdorin selitë diplomatike dhe rezidencat vetëm për çështje zyrtare.

Gazeta përmend edhe Shqipërinë ku Blair është këshilltar i qeverisë “Rama” prej fillimit të saj. Ai ka vizituar disa herë Shqipërinë për takuar zyrtarë të lartë të qeverisë, por nuk ka informata nëse kjo është bërë për biznes apo si ish-pjesë e qeverisë së Londrës.

Por gazeta shkruan se nuk bëhet fjalë vetëm për përdorimin e resurseve të selive diplomatike, por edhe për informacionin që ati zotërojnë.

“Të mirat që Blair ka shijuar jashtë vendit në selitë qeveritare kanë të bëjnë edhe me informata që ambasadorët zotërojnë siç ka ndodhur në Kanada, Shqipëri dhe Maqedoni. Ai është furnizuar me dokumenta qeveritare duke përfshirë edhe linja diplomatike për ta ndihmuar në udhëtimin drejt Kinës” – shkruan gazeta.

Dokumentat e gjetur nga “The Telegraph” në Libi tregojnë se si Blair qëndroi gjithë natën në ambasadën britanike në Tripoli në vitin 2009, gjatë një nga takimet e shumta me ish-liderin Gheddafi.

Një muaj më pas ai shkoi në Filipine ku përdori rezidencën e ambasadorit britanik në Manila dhe kështu me radhë. Blair ka qëndruar nëpër ambasada megjithëse gjithmonë ka pasur një hotel të prenotuar.