Tiranë, fëmija 13 muajsh gjen vdekje misterioze në çerdhe

Një fëmijë 13 muajsh ka ndërruar jetë në një çerdhe publike në kryeqytet në rrethana ende të paqarta. Vogëlushi S.Prendi, u dërgua në ambientet e Pediatrisë në QSUT Tiranë, nga çerdhja nr.17 në rrugën “Kongresi i Manastirit”, ku ndodhej gjatë ditës së sotme. Nga të dhënat paraprake, mësohet se i mituri ishte dërguar nga prindërit në çerdhen e cila ndodhet në zonën e “Kongresit të Manastirit” në Tiranë, mëngjesin e sotëm. Sipas informacioneve të para në lidhje me këtë ngjarje, fëmija dyshohet se ka ndërruar jetë ndërsa ka qenë duke fjetur. Edukatoret thanë se kanë pikasur se vogëlushi ka qenë duke fjetur gjumë dhe nuk po përmendej. Kjo ka bërë që ata ta dërgojnë në Pediatri.

Nuk dihet ende shkaqet e vdekjes së të miturit, ndërsa aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave që i kanë shkaktuar humbjen e jetës. Trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në ambientet e Mjekësisë Ligjore. Vogëlushit do t’i bëhet autopsia për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes, ndërsa edukatoret janë shoqëruar në polici. Nga të dhënat e para të ekspertizës mjeko- ligjore rrugët e frymëmarrjes kanë rezultuar të pastra duke përjashtuar pistën e mbytjes. Dyshimi kryesor është përqendruar në pistën se fëmija ka ndërruar jetë për shkak të temperaturës së lartë, ndërsa nuk dihet ende nëse vogëlushi ka pasur probleme në pjesën e parë të ditës. Pëllumb Seferi, drejtor i Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve në Bashkinë e Tiranës reagoi sot duke folur për për mediat. Ai tha se fëmija që ndërroi jetë në çerdhen 17, nuk ka patur shenja problematike gjatë ditës së premte. “Edukatoret më thanë që në mëngjes fëmija ishte normal dhe gjatë ditës nuk shfaqi ndonjë shqetësim shëndetësor.Pas ngrënies së drekës fëmijët kanë rënë në gjumë, por gjatë kontrolleve të herëpashershme edukatoret vunë re, se vogëlushit i kishte ndryshuar ngjyra e fytyrës. Menjëherë në këto momente janë njoftuar instancat përkatëse”, tha z. Seferi.

Çerdhet publike të Tiranës janë nën administrimin e bashkisë. Kryebashkiaku i Tiranës. Lulzim Basha pas mësimit të lajmit të ndarjes nga jeta të fëmijës në çerdhe, takoi në morgun e Tiranës prindërit e vogëlushit 13 muajsh.