Tiranë, babai merret peng në sy të fëmijës

Pas 3 orësh policia e Tirnanës ka arritur të lirojë pengun Ylber Keri. Ai u gjet në një lokal në rrugën “Siri Kodra”. Ndërkohë policia ka shoqëruar edhe 12 persona që ndodheshin brenda lokalit, mes tyre dyshohet të jenë edhe tre autorët e pengmarrjes.

Ata do të merren në pyetje deri në zbulimin e autorëve  të vërtetë.

Pengmarrja ndodhi mëngjesin e sotëm pranë shkollës “Bajam Curri” në kryeqytet. 39-vjeçari u rrëmbye në sy të djalit të tij. Ky i fundit, vetëm 7 vjeç, pa të gjithë skenën mes babait të tij dhe pengmarrësve.

Sipas dëshmisë së dhënë në polici, në një gjendje të rënduar psikologjjike, djali tregoi se fillimisht babai i tij pati një debat verbal me tre persona. Më pas ata e kanë marrë forcërisht në një makinë dhe janë larguar me shpejtësi.

Pengmarrja është njoftuar në sallën operative të policisë së Tiranës përmes një telefonate. Në vendngjarje policia ka gjetur djalin 7-vjeçar të pengut, të cilin e kanë pyetur rreth ngjarjes.

Dyshohet se shkak i ngjarjes të jetë bërë një borxh i pashlyer nga Ylber Keri. Raportohet se ai nuk ka pësuar lëndime nga ngjarje. Pritet që policia të zbardhë ngjarjen pas marrjes në pyetje të Kerit dhe personave të shoqëruar në Drejtorinë e Tiranës.