Tirana zyrtare nuk duhet të investohet për Thaçin president të Kosovës

Nga Ndriçim Kulla

Kulla shkruan se do të ishte më mirë për Kosovën që të mos zgjidhej Hashim Thaçi president dhe Tirana zyrtare mund të kontribuojë në këtë drejtim. Situata politike në Kosovë është e tillë që kërkon qasje të tjera më fleksibile, sesa ruajtja me zor e marrëveshjes Thaçi-Mustafa.

Tirana zyrtare, në dukje ka marrë përsipër një rol ndërmjetësimi në krizën politike në Kosovë, mes palëve politike në Prishtinë, me të dërguar të nivelit të lartë që kanë marrë takime me palët. Por me mënyrën si po e luan këtë rol Tirana zyrtare, dashur pa dashur i shërben planit të Thaçit për t’u bërë president vitin e ardhshëm. Kështu, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili shkoi si negociator i nivelit të lartë në Prishtinë, takoi kryetarët e partive opozitare, por nga PDK takoi vetëm homologun e tij, Kadri Veseli, i cili pritet të zëvendësojë Thaçin në krye të partisë, nëse ky bëhet president.

A e takoi Meta Veselin thjesht si homologun e tij, apo edhe si një nga drejtuesit e PDK-së? Nuk duam të besojmë se Meta nuk u takua me Thaçin sepse ky nuk pranoi të takohet me negociatorin e dërguar nga Tirana zyrtare. Në qoftë se Meta nuk kishte siguruar takime paraprakisht me të gjithë aktorët politikë, nuk kishte pse të shkonte në Prishtinë. Fakti që Meta nuk u takua me Thaçin, të jep të kuptosh se Tirana zyrtare e konsideron tanimë Thaçin si një figurë që nuk ka të bëjë me krizën politike aktuale, dhe nuk duhet të investohet për të, pasi ka marrë rrugën drejt Presidencës.

Kështu, Tirana zyrtare ndoshta dhe pa dashur bëhet një faktor destruktiv në politikën kosovare, në vend që të bëhet një faktor konstruktiv. Sepse çështja, nëse Thaçi do të bëhet ose jo president vitin e ardhshëm, ka peshë të madhe në krizën e sotme politike në Kosovë. Verën e kaluar, me afrimin e mbylljes së mandatit të presidentes Jahjaga, Hashim Thaçi deklaroi se ai do të zgjidhet President i Republikës së Kosovës në vitin 2016. Nuk kuptohet se përse bëhen deklarata të tilla prej tij, kur dihet se ekziston një marrëveshje midis partive të koalicionit të sotëm që qeveris Kosovën, që do të thotë se PDK pranonte që Isa Mustafa të bëhej kryeministër, me kusht që LDK të pranonte që Hashim Thaçi të bëhej president në 2016.

Në gusht, menjëherë pas miratimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, njerëz të afërt të Thaçit në PDK deklaruan në media se Kosova do të shkonte në zgjedhje të reja politike, në qoftë se Thaçi nuk zgjidhej president në prillin e ardhshëm. Përse duhej që njerëzit e tij të përsërisnin një gjë, të cilën aleatët e tyre në koalicionin qeveritar, e në radhë të parë kryeministri Mustafa e kanë më se të qartë? Nëse nuk zgjidhet Thaçi President, PDK e quan të shkelur marrëveshjen dhe del nga qeveria, e kështu qeveria bie e vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Thaçi e di se Isa Mustafa nuk e do një skenar të tillë dhe s’ka sesi ta dojë. Por ai nuk e ka hallin te kryeministri Isa Mustafa, por te partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, ata pa miratimin e të cilëve Thaçi e di se nuk mund të bëhet kryetar i Kosovës. Hashim Thaçi u bë garant i votave të PDK për Gjykatën Speciale, duke bërë një marrëveshje të heshtur me ndërkombëtarët se ata nuk do të kundërshtojnë që ai të bëhet president në prill. Por që nga gushti deri në prill kishte akoma edhe shumë kohë dhe shpejt pas miratimit të Gjykatës Speciale tensionet politike në vend që të uleshin u rritën në ekstrem, për shkak të marrëveshjes që qeveria Mustafa-Thaçi bëri për bashkësinë e komunave serbe në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Arrestimi masiv i deputetëve të opozitës, si pasojë e këtij konflikti politik, ka krijuar për Kosovën imazhin e një shteti policor me Thaçin si dorë e fortë që e mban nën kontroll, pavarësisht se ai është vetëm zëvendëskryeministër.

Në këtë situatë, Thaçi kërcënon me destabilizimin e Kosovës, në qoftë se ai nuk bëhet president. Në qoftë se unë nuk bëhem president në prill, atëherë nuk mbaj më përgjegjësi për stabilitetin e Kosovës, u thotë Thaçi ndërkombëtarëve me mesazhet e nënkuptuara që jep. Dhe në qoftë se do të mbahen zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm, u thotë gjithashtu Thaçi ndërkombëtarëve, atëherë ka shumë mundësi që ato t’i fitojë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, dhe atë që do të ndodhë ju e merrni me mend. Ky skenar nuk u pëlqen fare ndërkombëtarëve. Për këtë arsye Thaçi bën shantazh politik, duke konsideruar se ndërkombëtarët sidoqoftë e shohin atë, ish-guerrilasin tanimë të zbutur, si të keqen më të vogël, në raport me radikalin Albin Kurti. Thaçi President nuk është një zgjidhje as për Kosovën dhe popullin e saj, dhe as për partnerët ndërkombëtarë. Partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës iu del ndoshta më mirë që të provojnë Ramush Haradinajn, një figurë simbolike tashmë në Kosovë e konfirmuar për pastërtinë e figurës së tij nga Gjykata e Hagës, ose të menaxhojnë me kujdes Albin Kurtin e ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të parakohshme të mundshme, të shkaktuara nga Thaçi, sesa të ruajnë gjoja stabilitetin politik në Kosovë me zgjedhjen e Thaçit president.

Nëse Thaçi zgjidhet President i Kosovës kjo do të thotë që në Kosovë të kurorëzohet procesi i vendosjes së regjimit të Thaçit, të cilin ai ka provuar tre herë ta vendosë që nga viti 1999. Në fillim si kryetari i qeverisë së përkohshme të Kosovës, në 1999, pastaj si Kryeministër i Kosovës që nga viti 2007 deri në 2014. Hashim Thaçi në postin e Presidentit të Kosovës do të ruajë kontrollin e plotë mbi partinë e tij, kryetar i së cilës është që nga viti 1999, pavarësisht se formalisht do të jetë i detyruar të japë dorëheqjen. Kështu që Thaçi do të jetë njëherësh edhe president, edhe bashkëkryeministër me Isa Mustafën në qeveri. Gjykata Speciale që do të nisë të veprojë në kohën e presidencës së Thaçit, do të gjykojë realisht regjimin e Thaçit, themelet e të cilit ai i hodhi në vitet 1999-2000. Shumë shpejt do të bëhet e qartë se nuk ka kuptim të shkojnë në burg bashkëpunëtorët e Thaçit dhe ky të rrijë i qetë në zyrën presidenciale. Hashim Thaçi është një model burrështetasi që tanimë i ka kaluar koha në Kosovë. Ibrahim Rugova nuk qëndroi më shumë se 16 vjet në politikë, që nga dhjetori 1989 e deri në janar 2006, kur vdiq, e megjithatë për të u tha se qëndroi shumë gjatë në politikë. Hashim Thaçi është në politikë së paku që nga marsi i vitit 1999 kur u bë Kryeministër i Qeverisë së përkohshme, pra ka mbi 16 vjet në politikë. Gjatë kësaj kohe ai ka qenë pa ndërprerje kryetar partie, ka qenë dy herë kryeministër, një herë zëvendëskryeministër. Atë që kishte për të dhënë në politikë për Kosovën, Thaçi tanimë e ka dhënë.

Është koha që Hashim Thaçi të lirojë postin e kryetarit në partinë e tij, jo për të marrë postin e kryetarit të Kosovës, por thjesht sepse në demokraci një kryetar partie nuk mund ta mbajë më gjatë këtë post. Unë mendoj se ai nuk ka asnjë nga cilësitë që duhet të ketë Presidenti i Kosovës së sotme. Ai është një politikan që ka qenë i përzier në konflikte të thella politike dhe nuk ka kredenciale për të luajtur rolin e moderuesit që pritet nga kryetari i shtetit në Kosovë. Thaçi nuk mund të jetë një kryetar shteti që do të mbështesë gjykatat dhe prokurorinë e shtetit në Kosovë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse ai si Kryeministër është i përzier direkt ose me anë të vartësve të tij në shumë afera të korrupsionit të përfolura publikisht, të cilat kërkojnë hetim nga institucionet e drejtësisë, dhe nga Thaçi vështirë se duhet pritur që t’i mbështesë ato. Unë gjithashtu mendoj se Thaçi nuk ka besueshmëri as në marrëveshjet që bën me Beogradin, me ndërmjetësinë e partnerëve ndërkombëtarë, për të cilat askush nuk beson se Thaçi është njeriu i duhur për të nënshkruar dokumentet e pajtimit dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Kjo për arsyen e thjeshtë se tanimë është krijuar një bindje e përgjithshme në Kosovë se Thaçi i bën të gjitha këto për të marrë si shpërblim nga partnerët ndërkombëtarë, të interesuar për arritjen e këtyre marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit, garanci për personin e tij se nuk do të ketë punë me drejtësinë.

Për të gjitha arsyet e mësipërme Hashim Thaçi është Presidenti më i keq i mundshëm për Kosovën. Zgjedhja e tij si President, pas një presidenteje të dalë nga zarfi i famshëm, nuk do ta fashitë konfliktin politik në Kosovë, por do ta acarojë atë në kulm, sepse partitë opozitare do ta konsiderojnë zgjedhjen e Thaçit si kurorëzimin e një koalicioni qeverisës jolegjitim, i cili doli sipas së njëjtës mënyrë që Gjykata Kushtetuese e konsideroi si antikushtetuese në rastin e një tjetër skeme koalicioni politik, por ku mungonte PDK e Thaçit. Zgjedhja e Thaçit president me votat e këtij koalicioni, që sipas logjikës së vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese është antikushtetues, aq më shumë që aktualisht ndodhen të arrestuar nga policia e qeverisë Mustafa -Thaçi shumë deputetë dhe drejtues opozitarë, nuk do të sillte uljen e tensioneve në politikën kosovare, por do të shtonte rritjen e tyre deri në atë pikë ku gjërat mund të dalin nga kontrolli.

Këmbëngulja e dukshme e Thaçit për t’u bërë president, për fat të keq sot dëshmon konkretisht lidhjen e pazgjidhshme të disa njerëzve me pushtetin, veti kjo, të cilën e kam radhitur mes shumë të këqijave historike të individit shqiptar në librin tim të botuar së fundi “Kush jemi ne shqiptarët?”.