Tinka Kurti ka ditëlindjen, mbush 83 vjeç

Aktorja e madhe shqiptare Tinka Kurti ka ditëlindjen sot dhe mbush plot 83 vjeç. Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër.

Më 1947-n u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe. Që viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role.

Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958-n.

Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna te “Çifti i lumtur” (1975), gjyshja te “Zemra e nënës”. Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat.

Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.