Me 153 votat e pozitës socialiste dhe 145 kundër kryeministri grek Papandreu mori mbrëmë votëbesim për kabinetin e tij në parlament. Papandreu fillon sot përpjekjen për krijimin e një qeverie koalicioni.
Një mandat dhe karrierë politike me “thyerje tabush”
Papandreu bëri bilancin e dy viteve të kabinetit të tij me reforma të dhimbshme por të nevojshme për evitimin e falimentimit të vendit, por edhe me novacione (universitetet jo shtetërore, transparenca, afrimi greko-turk, depenalizimi i drogës) për të cilat u etiketua, sikurse tha, si i “papërgjegjshëm”, “antigrek” dhe “aventurier”. “Jo, të gjitha këto nuk ishin aventurizëm” tha Papandreu, i cili duke iu referuar gjerësish dhe karrierës së tij politike të lidhur ngushtë me traditën familjare në “shërbim të demokracisë” foli për “thyerjen e tabuve” por edhe faqen e re që kthen vendi.
Qeveri provizore deri në fund të shkurtit dhe me prioritete të qarta
Në foto, ministri Evangelos Venizelos
Duke përjashtuar edhe një herë zgjedhjet e parakohshme si “katastrofale” Papandreu iu referua gjerësisht prioriteteve të kabinetit të ri qeveritar, që nga kurorëzimi i bisedimeve me troikën për livrimin e këstit të 6-të prej 8 miliardë eurosh dhe marrëveshjen e re të kreditimit dhe deri te arritja e një kompromisi për çështjen e emrit të Maqedonisë apo kërkimet e naftës në detin Egje. Prioritete që tingëlluan si shumë ambicioze për një qeveri provizore, që siç theksoi qartë ministri i Financave Evangjellos Venizellos do të ketë mandat deri në fund të shkurtit të vitit tjetër, kur “vendi do të ketë mbyllur të gjitha çështjet pezull me troikën” dhe do të mbahen zgjedhjet.
Samaras: “nuk marr pjesë dhe e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”
Një kabinet i tillë është i papranueshëm nga opozita e djathtë e Andonis Samaras, i cili me një deklaratë të shkurtër në media ishte kategorisht kundër pjesëmarrjes në të: “Zoti Papandreu hodhi poshtë propozimin tonë në tërësi. Përgjegjësitë që merr përsipër janë tejet të mëdha.
E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet” deklaroi kreu i opozitës së djathtë e cila një ditë më parë, në kulmin e presingut evropian dhe të krizës politike, ishte treguar e gatshme të marrë pjesë në një qeveri të “shpëtimit kombëtar” me kusht që të jetë provizore, disa javëshe, të ratifikojë marrëveshjen e re të kreditimit dhe të çojë vendin normalisht në zgjedhje të parakohshme. Tani, me refuzimin e saj, vihet në pikëpyetje serioze formimi i një qeverie të “konsensusit kombëtar”, të arritur në vende të tjera si Portugalia apo Spanja dhe aq të nevojshme për Greqinë në “buzë të greminës”, duke traumatizuar edhe një herë imazhin e klasës politike greke në sytë e partnerëve si “e papaftë për të krijuar qeveri koalicioni”. “Në qoftë se do të mungojë Demokracia e Re, e kuptoni që e gjithë përpjekja do të jetë e cunguar” nënvizoi kreu i partisë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullos Jorgos Karaxhaferis, i cili kërkoi një “qeveri politike dhe jo teknokratësh” dhe drejtoi edhe një herë apel dramatik për “bashkëveprim” që “të shpëtojë Greqia”.
Në pikëpyetje krijimi i qeverisë së “konsensusit kombëtar”, që hidhet poshtë dhe nga e majta
Vështirësitë për krijimin e një qeverie konsensuale ngjajnë gati të pakapërcyeshme dhe mbetet të shihet në se do të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e dy partive të vogla të spektrit të djathtë, të Demokracisë së Re dhe të Alarmit Ortodoks Popullor, kreu i të cilit Karaxhaferis e kushtëzon me “lëvizjet që do të bëjë Papandreu”. Se e majta e përcaktoi vendin e saj, përballë qeverisë dhe në sheshe, në manifestime siç bëri edhe dje (04.11.) para parlamentit dhe në Selanik, për të shfuqizuar kursin e masave shtrënguese dhe për të kërkuar zgjedhje.
“Keni nevojë për një qeveri koalicioni se keni për të marrë masa më të egra nga ato që keni marrë deri më sot” deklaroi kryetarja e Partisë Komuniste Alega Papariga, e cila kërkoi që “tu jepet fund shantazheve” për këstin dhe mbetjen ose jo në eurozonë. “Populli grek nuk duron më shpëtim të një loji të tillë” deklaroi krei i partisë së majtë SIRIZA Aleksis Cipras dhe kërkoi zgjedhje dhe mandat të ri popullor përmes të cilit të dalë dhe një “qeveri koalicioni me konvergime programatike”.
Në këto kushte mbetet të shihet se sa shumëpartiake do të jetë qeveria e re dhe nëse do të ketë për kryeministër ministrin aktual të Financave Evangjallos Venizellos, siç përflitet. Topi gjithsesi është në fushën e kreut të opozitës Andonis Samaras që do të gjendet para një presingu të madh politik, nga brenda dhe jashtë Greqisë, për të marrë pjesë në koalicionin qeveritar.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Esat Ahmeti
DW


















