(Greqia dhe Serbia e Millosheviçit)
Nga Takis Mihas
KOSOVA
Nga urrejtja për “Frankët”
(vijon nga numri i kaluar)
Oficeri riosh nuk dinte asgjë prej këtyre. Ai thjesht po zbatonte urdhrin që kishte marrë nga shefat në rajonin e policisë, të cilët, nga ana e tyre, po vepronin në bazë të një informacioni të ardhur nga Interpoli ku kërkohej arrestimi i menjëhershëm i serbit.
Ansanini dyshohej si vrasësi i një shqiptari të Kosovës, veprimtar i të drejtave të njeriut, në shkurt të vitit 1990, në Bruksel, ndaj dhe autoritetet belge kishin lëshuar një urdhër arresti për të. Informacioni shoqërohej nga numri i pasaportës së Ansaninit (s’do mend e rreme) dhe fotografia e tij. Sikur t’i kishte pasë ditur të gjitha këto oficeri i ri i policisë në Rodos, me siguri që do të kishte vazhduar rrugën e kish për të parë punën e vet. Sikur të kishte vepruar kësisoj kishte për t’i shpëtuar shefat e tij nga andrallat me Ministrinë e Drejtësisë, madje edhe nga siklete të tjera më të mëdha. Por ja që ai bëri të kundërtën dhe duke vepruar kështu shkoi e i hapi udhën sagës që do të bëhej e njohur me emrin “çështja Ansanin”.
Ansanini u mbyll në burgun e Rodosit dhe më 17 tetor qeveria belge kërkoi zyrtarisht ekstradimin e serbit. Në dhjetor Gjykata e Lartë e Greqisë vendosi t’i hapë rrugë ekstradimit për në Belgjikë. Në këtë pikë çështja dukej e mbyllur dhe e arkivuar. Punë ditësh dhe Ansanini kishte për të marrë aeroplanin që do të shpinte fluturimthi në Bruksel. Të paktën kështu mendonte gjithkush.
Por në minutën e fundit, ndërhyri dora e padukshme e “marrëdhënieve speciale” greko-serbe. E vërteta është që Darko Ansanini dinte shumë rreth veprimtarive të regjimit të Beogradit. Sidomos ai dinte jashtëzakonisht shumë rreth “skuadrave të vdekjes” që kishin vënë në shënjestër veprimtarët shqiptarë kudo në Europë. Po kaq i rëndësishëm ishte fakti se ai ishte në dijeni të disa prej operacioneve në mbrapaskenë të kryera prej disa biznesmenëve grekë tok me kolegët e tyre serbë.
Leonidas Qaziprodromidis na rrëfen historinë e mëposhtme, e cila shpjegon fijet që lidhnin Ansaninin me bisnesmenët grekë:
Një herë gjatë një vizite pune në Beograd, përfaqësuesi i një firme eksporti e pyeti drejtorin e përgjithshëm të kompanisë tregtare serbe me të cilën qenë në marrëdhënie pune se, çfarë masash sigurie lypsej të merrte kompania në mënyrë që të mos vidhej ngarkesa. Serbi, që ishte anëtar i Partisë Socialiste të Millosheviqit, i tha të mos shqetësohej. Paskëtaj i tha se po atë natë do ta merrte me vete të takonte dikë, i cili bëhej garant për mallin e tij. Me të rënë mbrëmja ata shkuan në shtëpinë e Ansaninit dhe u dftuan të hynin brenda. Ansanini e mori për krahu mysafirin grek dhe e shpuri në një dhomë të mbushur me gjithfarë armësh e municionesh. “Jam unë ai që garantoj gjithçka,” i tha Ansanini duke u zgërdheshur vesh më vesh. “Ti s’ke pse e vret mendjen për asgjë.” (2)
Një plan i hollë u përpunua në mënyrë që t’i vihej në ndihmë Ansaninit për t’iu shmangur ekstradimit për në Bruksel. Nga sa thuhet, plani ishte ideuar nga ambasadori jugosllav, Millan Millutinoviq, i cili, kohë më pas, u bë Kryeministër i Serbisë dhe për rolin e luajtur gjatë krizës në Kosovë, u akuzua nga Gjykata e Hagës për krime lufte. Sidoqoftë plani u mirëprit në Athinë mbasi i lejonte autoritetet greke të ruanin “marrëdhëniet tejet të veçantë” me regjimin e Millosheviqit dhe, në të njëjtën kohë, i çlironte nga një barrë aspak e këndshme.
Sipas planit të përvijuar, avokati i Ansaninit në Beograd, Tom Fila (një serb me origjinë greke), bashkëpunoi me prokurorin që e akuzoi Ansaninin me vrasjen e një personi që në realitet nuk ekzistonte. “Ka të ngjarë të jetë hera e parë në historinë e një gjykate që prokurori dhe avokati mbrojtës të konspirojnë së bashku për të akuzuar dikë për një krim që nuk e ka kryer në mënyrë që ta çlirojnë nga akuza për krimet e kryera,” vëren Qaziprodromidis. (3)
Më 10 janar 1996, një gjykatë e nivelit të ulët në Beograd lëshoi një urdhër arresti për Ansaninin për akuzën e shumëtrumbetuar të vrasjes me paramendim. Autoritetet jugosllave vunë në dijeni qeverinë greke po atë ditë, dhe më 14 janar ministri grek i Drejtësisë, firmosi ekstradimin e Darko Ansaninit për në Beograd. Atë që nuk e kishte bërë për një muaj të tërë pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Greqisë për të ekstraduar Ansaninin në Belgjikë, ministrit të Drejtësisë iu deshën vetëm katër ditë për t’iu përgjigjur vendimit të marrë nga një gjykatë e shkallës së ulët në Beograd.
Avokati i Ansaninit në Greqi, Aleksandros Lykurezos (klient i të cilit është edhe i akuzuari për kriminel lufte Ratiko Mlladiq) u shpreh me entuziazëm për vendimin e mësipërm: “Arritëm të kryejmë një mrekulli,” sipas citimit që i bën atij e përjavshmja e Beogradit Vreme. Ansanini mbërriti në Beograd më 25 janar dhe mbasi kaloi një javë në burg u la i lirë. Të gjitha akuzat e ngritura kundër tij ranë, gjykimi u la në harresë dhe shumë shpejt ai u dha pas veprimtarive të veta fitimprurëse.
Ambasadori belg në Athinë, të cilin pata rast ta takoj mbas largimit të Ansaninit, nuk e besonte atë që kishte ngjarë. Sigurisht që ai ishte i vetëdijshëm për “marrëdhëniet tejet të veçanta” që ekzistonin midis Greqisë dhe Serbisë së Millosheviqit. E megjithatë ai nuk mund të pajtohej me faktin se kjo lidhje speciale të shtrihej deri në atë pikë sa t’u vinte në ndihmë gangsterëve të Beogradit për të shpëtuar nga drejtësia ndërkombëtare. Gjendja psikologjike në të cilën ai gjendej pasqyrohej më së miri në gjuhën aspak diplomatike që ai përdori për të përshkruar veprimet e qeverisë greke: “Qeveria belge ndihet thellësisht e hidhëruar dhe e zhgënjyer nga mënyra se si është vënë në lojë nga qeveria greke.” (4)
Një gazetë opozitare në Serbi raportonte se Greqia i hapi udhë kërkesave serbe për dy arsye. E para ishin paratë. Sipas kësaj gazete, autoritetet greke morën 3 milion marka gjermane për ta lënë të lirë Ansaninin. Arsyeja e dytë ishin kërcënimet. Beogradi ua bëri të qartë grekëve se në rast se ata do të ekstradonin agjentin e fshehtë serb në Belgjikë, qeveria serbe do të bënte publike aspektet e ndryshme të angazhimit të Greqisë në luftrat në Jugosllavi, çka do të vinte në një pozitë jashtëzakonisht të sikletshme qeverinë greke në sytë e aleatëve Perëndimorë. (5) Ia vlen të përmendim këtu se qeveria greke kurrë nuk i përgënjeshtroi zbulesat e bëra nga kjo gazetë dhe as që e mori mundimin ta padisë atë.
Darko Ansanin nuk jetoi gjatë që të gëzonte plotësisht frytet e punës së tij. Më 30 qershor 1998, dy vjet mbasi ishte larguar nga Greqia, ai u ekzekutua në lagjen luksoze të Dedinjes në Beograd. Qysh nga ajo kohë kryeqyteti serb është goditur nga një sërë vrasjesh të stilit të qërimit të hesapeve mes bandave, ku vetë Ansanini dikur kishte pasë luajtur një rol të dorës së parë. Vrasësi ose vrasësit e tij mbeten të panjohur, por ka fort të ngjarë të jenë të shumtë ata që kanë marrë frymë të lehtësuar me vdekjen e tij.
Duke gjykuar nga e shkuara dhe dosja e Ansaninit dhe nga mënyra se si autoritetet serbe u sollën për të shmangur ekstradimin e tij në Belgjikë, na e do mendja se nuk tingëllon e paarsyeshme të themi që ai njeri kishte pasë luajtur një rol të rëndësishëm në operacionet e kryera prej forcave të sigurimit të Beogradit kundër veprimtarëve shqiptarë të Kosovës. Sikur Greqia t’ua kishte dorëzuar Ansaninin autoriteteve belge, ka shumë të ngjarë që ato rrjete kishin për t’u ekspozuar. Në këtë pikë mundet veç të spekulojmë rreth arsyeve që shpunë në atë mungesë vullneti nga ana e Greqisë për të bashkëpunuar me partnerët europianë.
Një nga aspektet më interesante të këtyre “marrëdhënieve speciale” greko-serbe ka të bëjë me minierën e Trepçës në Kosovë. Historia e angazhimit grek në punën e minierave është një shembull i qartë i bashkëpunimit të ngushtë që ekzistonte midis shtetit dhe biznesit grek nga njëra anë dhe regjimit të Millosheviqit nga ana tjetër. Në të njëjtën kohë, episodi i Trepçës hedh dritë mbi atë mungesë ndjeshmërie të shfaqur nga pala greke kundrejt interesave të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj të zgjedhur.
Thelbi i historisë janë minierat e Trepçës “guri më i çmuar i pronave të patundshme në Ballkan,” siç e ka përkufizuar në mënyrë aq të goditur gazetari britanik Robert Fisk. (6) Zona e Trepçës është mitra që përmban plumb, kadmium, ar, argjend, krom, manganez, bakër dhe minerale të tjera. Ndërmarrja e njohur me emrin e Trepçës është një konglomerat i përbërë nga dyzetë miniera dhe fabrika që gjenden kryesisht në Kosovë, por edhe në zona të ndryshme të Serbisë dhe Malit të Zi. (7) Në veprimtaritë e tyre prodhuese hyjnë edhe përpunimi kimik dhe prodhimi i një sërë mallrash e produktesh si bateri, bojra etj. Por zemrën e gjithë këtyre operacioneve dhe burimi zanafillor i materialeve të lëndës së parë e përbën kompleksi i gjerë minerar në lindje të Mitrovicës, në veri të Kosovës.
Duke nisur nga viti 1974, kur kushtetuta e re e Titos i dha provincës autonominë, Kosova shtiu në dorë në mënyrë të konsiderueshme kontrollin mbi burimet minerare të provincës. E megjithatë, pas vdekjes së Titos, Beogradi rimori kontrollin mbi minierat dhe nga viti 1981 deri më 1989 e monopolizoi eksportin e mineraleve të Trepçës në drejtim të Rusisë e gjetkë, duke përvetësuar fitimet në valutë dhe naftë e ndërkohë duke i kompensuar kosovarët me energji elektrike dhe forma të tjera pagese në mallra. Ndërkohë minierat ishin ende nën administrimin e shqiptarëve. Në fund të viteve 1980 me integrimin e tyre përfundimtar në sistemin energjetik serb, kosovarët humbën virtualisht kontrollin mbi ekonominë.
Në vitin 1989 si administratorët ashtu edhe punëtorët e etnisë shqiptare u pushuan kolektivisht e u dëbuan nga puna. Në nëntor 1988, sindikata e minatorëve organizoi një marshim në drejtim të Prishtinës që u mbulua gjerësisht nga media, ndërsa në shkurt 1989 minatorët hynë në grevë urie. Një pjesë e mirë e minatorëve dhe drejtuesve të tyre u arrestuan dhe u burgosën. Qysh nga ajo kohë ndërmarrja është drejtuar ekskluzivisht nga Beogradi krejtësisht në mënyrë jo eficiente për shkak të mungesës së investimeve dhe keqmbajtjes. Në shkurt të vitit 1995, Beogradi instaloi një ekip të ri drejtuesish dhe ndërkaq u ndërmor një program “rivitalizimi”. Aty nga fundi i vitit 1996, të gjitha ndërmarrjet prodhuese u shtinë në punë, u rrit gërmimi e nxjerrja i xeherorëve dhe Trepça arriti të eksportojë 100 milion dollarë prodhim, duke e vendosur në krye të të gjitha kompanive eksportuese në ish-Jugosllavi. Gjatë gjithë kësaj kohe, minatorët shqiptarë të pushuar u zëvendësuan në krye me krah pune nga Europa Lindore dhe më pas boshnjakë rob lufte si dhe refugjatë serbë të zhvendosur nga Kroacia dhe Bosnja. (8)
Kompania greke Mytilineos Holding S.A. u fut së pari në lojë në dhjetor të vitit 1995, kur nisi të merret me marketimin e mineraleve. Në maj 1997, kjo kompani nënshkroi një marrëveshje pesëvjeçare me vlerë 517 milion dollarë, e cila i jepte të drejtë kompanisë të shtinte në dorë njëqind mijë ton zink e plumb për çdo vit. Në këmbim kompania greke angazhohej t’i ofronte Trepçës kapital pune, financime, pajisje dhe sasi shtesë xeherori. Gjashtë muaj më pas, Mytilineos Holding S.A., lidhi një marrëveshje shtatëvjeçare me RTB-Bor në Serbi, me vleftë 1.2 miliard dollarë, çka i jepte akses kompanisë në prodhimin e të paktës dyzetë mijë ton bakër në vit. Në këmbim kompania greke do të ofronte financimin e krahut të punës, pajisjet dhe pjesët e këmbimit, si dhe do të merrte pjesë në financimin e modernizimit të shkritores. RTB-Bor e Serbisë është prodhuesi më i madh i bakrit në Europë, jashtë Rusisë.
Është e rëndësishme të kuptohet se Trepça nuk është thjesht një ndërmarrje. Për shqiptarët e Kosovës minierat e saj simbolizojnë vite të tëra shtypjeje dhe shfrytëzimi nga serbët, si dhe akte sfide e rezistence. Siç do të shprehej Burhan Kavaja, një nga udhëheqësit e sindikatës “Trepça është diçka për të cilën shqiptarët janë gati të japin edhe jetën.” (9)
Po Trepça ishte po aq e rëndësishme edhe për serbët – sdomos për regjimin e Millosheviqit, i cili mbështetej në “korporatizmin shoqëror”. Nën këtë sistem, ndërmarrjet shtetërore ose të “privatizuara” drejtoheshin nga miqtë besnikë të udhëheqësit serb – të cilët, në pjesën më të mirë të rasteve, mbanin edhe poste qeveritare duke siguruar kontrollin e nomenklaturës mbi sektorët e ekonomisë dhe tregun e punës. Në hallkat përbërëse të këtij sistemi, Trepça ishte guri më i çmuar i kurorës. Sipas Robert Fiskut, ajo ishte “Falmeshëndet kisha e manastire, varre të Ortodoksisë serbe, mozaikë, afreske dhe anijata bizantine. Falmeshëndet pushteti shpirtëror i Kosovës, ngaqë bash këtu, thellë nëntokë e brenda rropullive të minierave të Trepçës gjendet vlera reale e provincës së rrezikshme të Sllobodan Millosheviqit, copëza më e pasur e pasurive të patundshme në Ballkan, kasaforta e thesarit e pasurive të Serbisë – me rezerva tashmë të provuara në tokë, zink, kadmium, argjend e ar – që shkon e vlen nja 3 miliard paund.” (10)
E vërteta është që analistë si puna e Chris Hedges kanë shkuar deri aty sa të na thonë që lufta në Kosovë, në një shkallë të konsiderueshme, lidhet me atë mungesë dëshire nga ana e Millosheviqit për të hequr dorë nga Trepça. (11) Çfarë atëherë e bënte kaq të veçantë këtë kompani greke që ia kishte dalë të shtinte të dyja këmbët në pjesën më të çmuar të thesarit të perandorisë millosheviqiane? Cila na ishte natyra e vërtetë e marrëveshjes? Cili na ishte ai që ia rekomandoi Millosheviqit kompaninë greke?
Kur e intervistova, në verë të vitit 1999, Presidentin e kompanisë Evangellos Mytilinaios, ai më tha se nuk kishte pasur asgjë speciale apo djallëzore lidhur me marrëveshjet me serbët për Trepçën dhe Borin. Një ditë prej ditësh kishte zbritur në Beograd dhe Millosheviqi, i mbresuar nga aftësitë e tij sipërmarrëse, kishte vendosur ta lejonte të përfshihej në dy nga ndërmarrjet më të çmuara dhe, në të njëjtën kohë, më sensitive.
“Pas marrëveshjes së Daytonit,” më tha Mytilinaios, “dhe për rrjedhojë të ishullimit të mëtejshëm, Serbia ishte një vend i etur për para në dorë. Nuk ishte aspak e vështirë të shkoje atje e t’u thoje: ‘Më jepni shansin të bëj investime dhe të shfrytëzoj burimet e pasura prodhuese të vendit tuaj.’ Kompanitë perëndimore i shmangeshin Serbisë, qoftë për arsye se ndaloheshin nga qeveritë e tyre, qoftë ngaqë nuk merrnin garanci për eksportin.” (12)
Sigurisht jo çdokush e shihte këtë biznes nën këtë dritë kaq të pafajshme. Disa artikuj të shfaqur në shtypin perëndimor shpreheshin se, marrëveshjet e nënshkruara nga kompania greke ishin një mbulesë për skema pastrimi parash, ndërsa Mytilinaios përshkruhej në to si “njeriu i parave” të Sllobodan Millosheviqit. Dhe së fundi, siç shkruante gazeta kosovare Koha Ditore dhe editori i saj më kallzoi kur e takova në Prishtinë në tetor të vitit 1999, Mytilineos bëhej shumë me Mira Markoviqin, bashkëshorten e Millosheviqit. Markoviq udhëhiqte JUL-in, një forcë politike që në të vërtetë ishte partia e biznesmenëve, ndaj dhe shumë prej anëtarëve të saj mbanin poste të rëndësishme qeveritare. Sipas Tim Judah, JUL-i ishte një “mekanizëm i vyer për rrjedhjen e parave publike.” (13)
Mytilinaios i mohoi prerazi gjithë këto histori si spekulime të pabaza: “Në qoftë se Millosheviqi kishte për të qenë një mik i ngushtë dhe në qoftë se ai paskërka qenë në jahtin tim, atëherë unë kisha për ta pohuar një gjë të tillë, siç e kam bërë edhe për Micotaqisin [ish-kryeministri grek]. Por ja që kjo gjë nuk është e vërtetë.” (E vërteta është që me raste Millosheviqi i ka kaluar pushimet në Greqi së toku me mikun e tij të mirë Konstantin Micotaqis dhe ka lundruar e bredhur nëpër ishujt e Egjeut majë jahtesh që u përkisnin personazheve të shquar të elitës së biznesit grek.)
E megjithatë ka edhe disa aspekte të tjera të veprimtarisë së Mytilinaiosit që lypset të merren në konsideratë. Së pari, Mytilinaiosi ka pasë flirtuar me biznesin bankar në Serbi dhe, për një farë kohe, u rrek të shtinte në dorë Bankën Sllavia, një bankë e vogël që ka qenë inaktive qysh nga koha kur humbi licensën për operacione bankare në rrafshin ndërkombëtar, por që ende zotëron njëzet e dy degë. Ai ishte përgatitur të merrte 20-25 përqind të aksioneve të kësaj banke. Së dyti, po ky njeri ishte bashkëkryetar i Këshillit të Biznesit Greqi-Serbi i krijuar në vitin 1998, tok me Bora Vuçiq, njeriun që administronte të ardhurat personale të Millosheviqit. Dhe ç’është më e rëndësishmja, falë zhdërvjelltësisë së saj në adiministrimin e llogarive offshore të Serbisë në kohën që ishte drejtoreshë e degës së Beogradska Banka në Qipro, gjatë luftës në Bosnjë, u parandalua kolapsi total i FRY-it. Vuçiq ishte presidente e Beogradska Banka, e cila zotëronte edhe Bankën Sllavia, deri në çastin e ndryshimit të regjimit në Beograd, në tetor të vitit 2000.
Së fundi, lexuesi duhet të ketë parasysh se industria minerare është kandidati më i volitshëm për pastrimin e parave. Shumëllojshmëria e sasisë së koncentratit të xeherorit, shkallët e ndryshme të nxjerrjes dhe përpunimit tok me koston e tyre dhe luhatjet e çmimit në treg të produktit fundimtar, përbëjnë për vetë natyrën e pështjelltë të të gjithë këtij procesi atë atmosferë të vagullt që lypin skemat e pastrimit të parave. Një shembull kuptimplotë përbën rasti i quajtur i Hamanaqas, aty nga mesi i viteve 1990, në të cilin tregtia e bakrit u përdor për të fshirë fondet e jashtëligjshme që gjeneroheshin nga tregtia e drogës në Azinë Juglindore. (14)
E megjithatë ajo çka na shqetëson neve në këtë rast nuk është aspak sjellja dhe veprimtaria e një kompanie private greke. Ajo çka na shqetëson është politika e ndjekur nga shteti grek. Le të marrim e të përimtojmë disa prej fakteve. Në dhjetor të vitit 1996, ai u emërua në bordin e drejtorëve të kompanisë shtetërore greke të telekomunikacionit, OTE. Emërimi ishte një surprizë e vërtetë: Qyshkur një tregtar xehesh na ishte bërë ekspert në çështjet e telekomunikacionit? Asokohe qeveria mëtoi ta argumentonte se, përzgjedhja e një sipërmarrësi të ri, energjik e të suksesshëm, siç ishte Mytilinaios, kishte për të përmirësuar ndjeshëm imazhin e një kompanie shtetërore në lëngatë. Gjashtë muaj më pas – në qershor 1997 – erdhi e u shfaq një arsye tjetër e mundshme për emërimin e tij: OTE (në bashkëpunim me Stet, grupin italian të telekomunikacionit) përfituan 49 përqind të Telekomit Serb për një çmim prej 1 miliard dollarësh. Siç vinte në dukje Financial Times, ky na ishte “investimi më i madh i huaj për Serbinë dhe në të njëjtën kohë shenjonte aleancën e parë strategjike të OTE-s jashtë Greqisë, çka pasqyronte lidhjet e ngushta ekonomike midis Greqisë dhe Serbisë.” (15)
Gjithsesi nga këndvështrimi i Beogradit marrëveshja kishte më fort të bënte me politikën sesa me ekonominë. Me zgjedhjet presidenciale e parlamentare që qenë shfaqur në gorizontin e atij fund viti, marrëveshja i siguronte Partisë Socialiste të presidentit serb Millosheviq paratë në cash aq fort të nevojshme për të shlyer pagat e disa muajve të papaguara të punonjësve të sektorit publik. “Marrëveshja,” siç vërente Economist, “i shërbeu si paterica regjimit të Sllobodan Millosheviqit.” (16) Sasha Mirkoviq, zëvendëspresidenti i Radios së pavarur B92, cekte të njëjtën pikë: “Efektivisht OTE financoi fitoren elektorale të Millosheviqit në zgjedhjet e vitit 1997. Ajo shkoi e bleu një thelë të majme të Telekomit serb për një çmim qesharak, po e pagoi me para në dorë. Paratë u zhdukën sa hap e mbyll sytë!” (17) Dhe ajo çka është përnjëmend interesante të shenjojmë këtu se blerja e Bankës Sllavia nga Mytilinaiosit kishte për t’u financuar pjesërisht nga Banka Kombëtare e Greqisë, pronë e shtetit.
Një tjetër pikë me leverdi të madhe ku shkonin e puqeshin interesat e biznesit grek, shtetit grek dhe Serbisë ishte ajo e tregtisë së armëve. Nëpërmjet filialit të vet Metka, Mytilineos Holding arriti të sigurojë disa kontrata të majme për prodhimin e nëndetëseve dhe raketave Patriot për forcat e armatosura greke. Në të njëjtën kohë, Metka ishte angazhuar me kompaninë shtetërore jugosllave të energjisë. Në realitet Metka kishte ndërmarrë disa punime ndërtimi në fushën e infrastrukturës dhe të modernizimit të veprave publike në Jugosllavi. (18)
Por le të vimë te pika qendërsore e gjithë kësaj historie; veprimtaria ekonomike e Mytilineosit në Kosovë zuri fill me njohjen dhe mbështetjen e disa qeverive greke, pavarësisht nga protestat e shqiptarëve të Kosovës. Presidenti i zgjedhur Ibrahim Rugova, në mënyrë të përsëritur i kishte paralajmëruar investitorët e huaj përgjatë gjithë viteve 1990 se çdo marrëveshje e arritur me Serbinë dhe që kish të bënte me shfrytëzimin e burimeve në Kosovë duhej të kishte edhe miratimin e tij. Në rast të kundërt marrëveshjet do të konsideroheshin “të pavlefshme e të anullueshme”.
(Vijon)















