LEDIANA STILLO (PAJA)
Çdo art vepron si një sugjestionim mbi muskujt dhe mbi ndijimet […]. Çdo art ka një efekt tonik›› , kështu do të shprehej Niçe në debatin e tij mbi artin. Asgjë nuk është e prerë dhe standarde në art. Rregulli i zhvillimit të tij është esenca që e mban gjallë një vepër në linjën në të cilën është hartuar: sonetet kanë një rregull strikt ndërtimor, i cili nuk do të vlente po aq për vargun e lirë; tragjeditë antike kanë gjithashtu një rregull strikt ndërtimor që sot është thuajse i papërfillshëm.
Kur duam të analizojmë nëse një vepër ka karakter lirik apo nëse ajo është një lirikë e mirëfilltë, fillimisht duhet të dimë se ku qëndron kufiri ndarës mes tyre. Do të thoshim se ka karakter lirik atëherë kur karakteri i subjektit të veprës ka një cilësi dhe sensualitet ekspresionist, kur ka cilësinë e melodiozitetit që e shoqëron atë ose kur ka një derdhje intensive emocionesh të hareshme. Ndërsa lirika i referohet një kategorie të poezisë që shpreh mendime dhe ndjenja subjektive, shpesh në formën e stilit të këngëve, soneteve, apo operave, ose dhe kur bëhet fjalë për një tingëllim të këndshëm të vargjeve të një poezie etj. Distanca midis këtyre dy gjendjeve është shumë e hollë, tepër e sofistikuar për të vendosur një kufi ndarës, madje këtë distance e bën akoma më të vështirë për ta unifikuar Borges tek eseja e tij Muri i madh dhe librat kur pohon se ‹‹Pater që në 1877 pohoi se të gjitha artet priren drejt gjendjes së muzikës, e cila është formë e kulluar, […] kjo afërsi është ndoshta fakti estetik›› .
Lirizmi në gjininë e dramës, si stil, zë fill që në djepin e shkrimeve, madje është i pranishëm tek Homeri, Eskili, Sofokliu, Aristofani etj, por natyra e zhvillimit të veprës nuk është lirikë e mirëfilltë por një formë epike që sundon rrjedhën e saj. Ka vetëm disa momente gjatë zhvillimit të dramave, përgjithësisht monologët apo këngët e koreve, që i shoqërojnë vazhdimisht dramat antike, të cilat kanë elementet ekspresioniste të lirizmit poetik. Tek Odisea mund të veçojmë monologun e Uliksit në rrugëtimin e tij për në shtëpi kur mendon për Penelopën, apo Penelopën teksa është në pritje të tij, pa harruar monologun e Telemakut teksa Athina i ka dhënë urdhër të niset për të kërkuar babanë. Dyshimet që shprehen në këto monologë kanë tendencën të rrisin dramaticitetin akoma dhe më tej duke u shprehur në një gjuhë liriko-epike. Ne këtë prizëm shtrohet edhe monologu i Antigonës kur e di se çfarë fati e pret, ose këngët e korit tek veprat e Aristofanit, Retë dhe Lysistrada, apo vepra eskilore Orestia ku Elektra shprehet:
Dhe mua zemrën dhembja ma drithëroi
Si një goditje kur në gjoks të bie
E lotët si rrëke m’u derdhën sysh
Kur pashë atë cullufe
flokësh të prerë.
Ky karakter është tipik pothuajse për të gjitha veprat dramatike antike, por ky karakter lirik në veprat dramatike fillon të forcohet nga koha në kohë dhe me këtë nënkuptoj kalimin nga veprat antike tek Komedia Hyjnore, në veprat e Shekspirit, Molierit, Gëtes, Hajne, ku shënohet dhe piku më i lartë i këtij karakteri lirik në drama. Tek Shekspiri, shpikja e njerëzimit Bloom mendon se ‹‹historia e lirizmit shekspirian arrin pikën e saj kulmore në tre veprat Romeo dhe Zhulieta – një tragjedi lirike – Ëndrra e një nate vere – një nga lirikat më të fuqishme ndër të gjitha komeditë dhe Rikardi i II – si një ndër veprat më të mira Shekspiriane››. Rikardi i II, sipas Bloom, është kompozuar nga Shekspiri ‹‹si zgjerim i lirikës metafizike e cila duket të jetë e pamundur për një vepër historike, por për Shekspirin gjithçka është e mundshme›› .
Personalisht këtë karakter e shoh të zhvilluar edhe tek Molieri, veçanërisht tek vepra Tartufi ku sarkazma, grotesku dhe metaforat arrijnë të krijojnë muzikalitet në vepër. Por piku i karakterit lirik, madje një lirikë e mirëfilltë, zhvillohet tek veprat e Hajnrih Hajne të cilat janë përdorur edhe nga kompozitorët më të mëdhenj. Anthony Pelan, në studimin e tij Reading Heinrich Heine (Të lexosh Hejnrih Hajne), duke cituar një nga kritikët më të mëdhenj (Kraus) që vepra e Hajne ka pasur pas shpine deri vonë, vë në dukje se ‹‹madhështia e muzikalitetit që ai krijon në veprat e tij e bën të tejkaloje çdo aftësi shkrimtari [...], e sipas Kraus Offenbach [kjo] është muzikë››. Hajne rezulton “lirik”. Si rezultat i kësaj, kthimet e mprehta të vargjeve të tij nuk mund të jenë më shumë se dekorative – sërish Hajne afirmohet, siç shprehet Loos, si një nga krijuesit më modern që dallon hapur mes të tjerëve .
Në gjininë e dramave moderne të pakta janë pjesët që mund të jenë të shkruara në stilin lirik apo të përmbajnë karakter lirik. Deri diku ka një gërshetim të prozës me poezinë tek Beckett në Waiting for Godot, tek Miller në All my sons, tek Strindberg në The father, tek Breht në Mother Courage and her children, tek Ibsen në The master builder, tek Lorka në Bloody marriage etj. Në të gjitha këto drama një ndër personazhet do të recitojë disa vargje që u përshtaten më mirë dilemave, që ata do të mbartin deri në fund të zgjidhjes së dramës. Këto poezi janë mjete shprehëse që rrisin tensionin dramatik dhe i përshtaten më këndshëm teatrit absurd dhe natyralizmit. Ato ofrojnë një kod të dyfishtë përmes personifikimit dhe metaforave dhe, si për rrjedhojë, janë si pikë referimi për zgjidhjen e dramës apo mbartjen e idesë së saj. Për Gassner ‹‹Poezia, mjeti më dominues i dramave të mëdha në kohet antike, i dha rruge dialogut prozaik›› .
Gjithsesi ne nuk mund të themi se lirizmi është një fenomen në gjininë e dramës, pasi jo gjithmonë dramat shoqërohen prej tij. As mund të themi se është një dukuri, pasi jo gjithmonë ndodh, por mund të pohojmë se lirizmi është një përshkrues, një katalizator që e tundon përshkrimin e një drame dhe gjithmonë ndikon pozitivisht në rritjen e tensionit dramatik.

















