Strategjia e re e Mbrojtjes, Shqipëria rrezikon nga agjenturat e huaja

Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Në Draftin e ri të Strategjisë Kombëtare që pritet të miratohet, thuhet se me gjithë tendencën e qartë pozitive, siguria e vendit vijon ende të jetë e varur ndjeshëm edhe nga rreziqe me natyrë të brendshme. “Ato burojnë mbi të gjitha nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilat cenojnë shtetin e së drejtës, institucionet tona kombëtare dhe prosperitetin e ekonomisë. Këto rreziqe komplekse mbartin, gjithashtu, edhe komponentë të jashtëm, duke krijuar sfida të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kohezionin social. Rreziqet e jashtme nuk janë më vetëm konvencionale, por edhe me natyrë hibride, rrjedhojë e veprimtarive të organizatave kriminale ndërkombëtare, grupeve terroriste, forcimit të aktorëve jo shtetërorë, si dhe ndryshimeve klimaterike dhe demografike globale”, thuhet në projektligj.

Ajo që bie në sy është se shërbimet e huaja sekrete rrezikojnë Shqipërinë. “Veprimtaritë agjenturore në Shqipëri mund të kërcënojnë sigurinë e informacionit të klasifikuar dhe përpiqen të ndikojnë mbi vendimmarrjen politike, infrastrukturën kritike, median, ekonominë dhe administratën, kohezionin dhe bashkëjetesën sociale. Statusi i vendit si anëtar në NATO e rrit interesin e shërbimeve inteligjente të huaja ndaj Shqipërisë”, theksohet në draft.
Gjithashtu vend të veçantë në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes zë edhe lufta fetare.
“Ekstremizmi me frymëzim ideologjik, fetar apo nacionalist ushqen veprimtaritë terroriste. Ideologjitë e skajshme mbështeten tek padija, varfëria, mungesa e shërbimeve shtetërore dhe lidhjet e shumëfishta rajonale dhe ndërkombëtare. Këto shkaqe krijojnë terren për rekrutimin e individëve vulnerabël, të cilët marrin pjesë në konflikte ndërkombëtare. Për shkak të prirjes së tij
ekspansioniste, ekstremizmi mund të përbëjnë rrezik për kohezionin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare dhe të rajonit”, theksohet më tej në projektligj.

KLASIFIKIMI I RREZIQEVE
Klasifikimi i rreziqeve është bërë duke shqyrtuar dy parametra kryesorë: gjasat e shfaqjes së rrezikut
dhe pasojat që mund të shkaktojnë për sigurinë kombëtare. Në bazë të kombinimit të këtyre dy
parametrave rreziqet janë klasifikuar në tre nivele. Në nivelin e parë janë grupuar rreziqet që kanë
gjasa të larta shfaqjeje dhe pasoja të larta në rast se materializohen. Në nivelin e dytë janë grupuar
rreziqet të cilat ndërthurin gjasa të ulëta dhe pasoja të larta. Në nivelin e tretë janë grupuar rreziqet

Rreziqet e nivelit të parë
Kategoritë e mëposhtme të rreziqeve kanë prioritetin më të lartë për sigurinë e RSH-së. Gjasat e shfaqjes dhe pasojat e tyre për sigurinë kombëtare vlerësohen të larta.
• Korrupsioni dhe krimi i organizuar;
• Kriza energjetike, që kërcënon sigurinë e furnizimit të RSH-së dhe cenon rritjen ekonomike;
• Mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë individuale dhe
favorizojnë trafiqet e ndryshme;
• Sulmet kibernetike nga aktorë shtetërorë ose jo shtetërorë;
• Degradimi mjedisor dhe fatkeqësitë natyrore; shkatërrimi i mjedisit, shpyllëzimi, ndotja e lumenjve dhe fatkeqësitë natyrore industriale apo të shkaktuara nga ndikimi i njeriut.
Rreziqet e nivelit të dytë
Kategoritë e mëposhtme të rreziqeve përbëjnë prioritet të nivelit të dytë për sigurinë kombëtare. Gjasat e shfaqjes së tyre vlerësohen të ulëta por me pasoja të larta për sigurinë.
• Sulm terrorist, përfshirë edhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, kundër territorit të
RSH-së;
• Shfaqje e një pandemie që kërcënon në masë shëndetin publik të popullsisë;
• Rritje e radikalizmi fetar, që rrezikon vlerat e harmonisë fetare në Shqipëri dhe që mund të shkaktojë tension shoqëror;
• Aktivizimi i një vatre rajonale tensioni me pasoja për sigurinë kombëtare të RSH-së;
• Sulm konvencional ndaj RSH-së ose ndaj një vendi anëtar të NATO-s.

Niveli i tretë
Kategoritë e mëposhtme të rreziqeve përbëjnë prioritet të nivelit të tretë për sigurinë e vendit. Gjasat e shfaqjes vlerësohen më të ulëta se niveli i mësipërm ndërsa pasojat për sigurinë kombëtare më ulëta se niveli i mësipërm.
• Veprimtari subversive spiunazhi kundër interesave të RSH-së;
• Krizë financiare globale ose rajonale, që rrezikon stabilitetin e ekonomisë së RSH-së;
• Pasojat e ndryshimeve klimaterike në ekuilibrat natyrorë të RSH-së;
• Rritje e emigracionit të huaj në territorin e Shqipërisë.