Speciale: Si po trashëgohen dinastitë e biznesit shqiptar

Hajredin Fratari me të bijtë, Donika Mici me vajzën, Muhamet Malo me binjakët, Luljeta Kastrati me fëmijët tregojnë se si po trashëgohet biznesi brez pas brezi…

Nga Deada Hyka dhe Elona Bedalli, Monitor

Ata janë gjenerata e dytë. Të rinj, ambiciozë, të shkolluar jashtë, me ide të qarta, vizion, por mbi të gjitha trashëgimtarë “perandorish” që përbëjnë mozaikun e biznesit shqiptar. Janë krenarë që janë fëmijët e atyre prindërve dhe fjala “hije” nuk i tremb dhe as i vë në pozita të vështira. U përkasin fushave të ndryshme, nga ndërtimi, shitjet me pakicë, fasoni, argjendaria, por edhe prodhimi, argëtimi, etj.

Po flasim për fëmijët e sipërmarrësve shqiptarë që tashmë ia kanë kaluar “frerët” bijve të tyre, të bindur se ata do të vazhdojnë të jenë po aq të suksesshëm.

Dhe përgatitja e kësaj “armate” ka nisur herët, që me edukimin e tyre në shkollat më të mira. Kryesisht i është besuar modelit anglosakson, por edhe atij italian apo përtej oqeanit. Pothuajse të gjithë janë rikthyer për të vazhduar stafetën, por ka edhe raste kur oferta e marrë nga jashtë ka qenë më joshëse.

Përtej vështirësive, milionave të investuara në edukim, mund të themi se tashmë ka nisur të fryjë një erë e re, ajo e fillesave të kulturës së trashëgimisë.

Megjithatë, si çdo gjë, edhe në këtë rast medalja ka dy anë, atë pro dhe kundër të kalimit të trashëgimisë te fëmijët.

Një ekspert i menaxhimit të biznesit, i cili shkruan këshilla, citonte një shembull konkret kur argumentonte rreth kësaj teme: “Kur djali im, ende adoleshent (djali im i vetëm) shprehu entuziazëm rreth marrjes së biznesit tim të financave të korporatave, unë i thashë atij: ‘Në rregull, le të shohim se si kjo do të funksionojë deri në momentin e duhur. Ti ke edhe katër vjet të shkollës së lartë, të ndjekur nga rreth gjashtë vjet universitet (diplomë e thjeshtë dhe MBA), të ndjekur dhe nga tetë deri në dhjetë vjet përvojë pune. Kjo nënkupton se ti do të jesh gati të marrësh biznesin tim pas rreth 20 vitesh. Ka një sërë pasigurish deri atëherë! Do të duash ende ta marrësh biznesin pas 20 vitesh? A do të jem në gjendje të drejtoj biznesin për 20 vitet e ardhshme?’”.

Në botën e pasur, atë që flitet për miliona euro e dollarë ka edhe raste refuzimesh, nga ato të tipit “Thuaj lamtumirë trashëgimisë sime!”, kur prindërit refuzojnë kategorikisht t’ia kalojnë pasurinë e fituar fëmijëve të tyre.

Në një artikull, prestigjiozja britanike “The Guardian” rrëfen për zgjedhjen e John Roberts, administrator i deleguar i “ao.com”, kompani shitjesh online e specializuar në tregtimin me pakicë të pajisjeve elektronike për kuzhinën. Ai vendosi ta dhuronte të gjithë pasurinë e tij (500 milionë sterlina) për bamirësi.

Roberts ishte bërë i pasur, pasi një miku e tij e kishte sfiduar me një sterlinë, duke i thënë se nuk do të arrinte kurrë të krijonte një biznes.

Ky nuk është rasti i vetëm. Edhe në të kaluarën, prindër të pasur e të famshëm patën deklaruar se do të përjashtonin fëmijët e tyre nga e drejta e pasurisë.

Nigella Lawson, gazetare angleze, pasi ishte bërë e pasur, deklaroi: “Jam e bindur për faktin se fëmijët e mi nuk duhet të kenë siguri financiare”.

Ylli i rokut, Gene Simmons, gjithashtu deklaroi se “fëmijët e mi nuk do të bëhen kurrë të pasur me paratë e mia”, ndërsa aktori Jackie Chan tha duke iu referuar djalit të tij: “Nëse është mjaftueshëm i zoti do të jetë në gjendje të bëjë vetë para, në të kundërt do të shpërdoronte të miat”.

Është gjithashtu i vërtetë edhe një fakt tjetër, se ekziston një e mesme e artë, kur bëhet fjalë për fëmijët, të mund t’iu lësh një pjesë të pasurisë.

Mjaft interesant është ky fenomen në ekonominë e dytë më të madhe të planetit, që është Kina. Të rinjtë milionerë, gjenerata e dytë njihen me termin “fuerdai”. Vetëm një në pesë nga këta dëshiron që të trashëgojë pasurinë e familjes.

Ata janë kthyer në një problem të vërtetë social-politik për ekonominë e vendit. Sipas statistikave, 85% e sipërmarrjeve në Kinë janë biznese familjare, themeluesit e tyre po arrijnë moshën e pensionit. Rreth 75% e këtyre sipërmarrjeve do të përballet me çështjen e trashëgimisë në 5-10 vitet e ardhshme, por vetëm një e pesta e këtyre fëmijëve ka deklaruar se do të donte të trashëgonte këtë pasuri. Të tjerët mendojnë për gjëra të tjera, më së shumti sesi të zënë hapësirat e kronikave të stilit të shthurur të jetës. Një rast i tillë është 27-vjeçari Wang Sicong, djali i sipërmarrësit Wang Jianlin, të grupit “Wanda” që është shtrirë sa nga sektori i pasurive të paluajtshme, ashtu edhe në kinema. Madje njihet edhe në Itali pasi bleu kompaninë “Infront” që ka të drejtat televizive të Serisë A në futboll. Aq i mprehtë është bërë ky problem sa është dashur edhe ndërhyrja e presidentit Xi Jinping që i ka kërkuar qeverisë për të ndihmuar këta fëmijë që të mos shpërdorojnë paranë.

Po çfarë ndodh me Shqipërinë? Cilët janë profilet e sipërmarrjeve që tashmë kanë kaluar në duart e trashëgimtarëve ose që ende “ndahet” mes prindërve dhe fëmijëve.

Në duar të sigurta…

Klasa e re e biznesit shqiptar, që lindi pas periudhës së gjatë të komunizmit, krijoi edhe kulturën e sipërmarrjes, shpesh me klishetë e tranzicionit mes dy periudhave, por me guximin për të sjellë diçka të re. Në atë kohë (ata të rinj) nuk mendonin se do të vinte momenti që duhet të përgatisnin edhe një strategji afatgjatë, që duhet të parashikonte edhe se kujt do t’ia linin trashëgiminë. Ekspertët thonë se në fakt kjo është një çështje që çdo sipërmarrës duhet ta mendojë me shumë kujdes, pasi koha jo vetëm kalon shpejt, por rezervon në mjaft raste, edhe të papritura.

Ata thonë se nëse është ngritur një menaxhim profesional, transferimi i pronësisë mund të jetë më i lehtë (megjithëse mbikëqyrja, ose zëvendësimi i menaxhimit, është i mbushur me vështirësi po ashtu). “Në pjesën më të madhe të rasteve, pronarët transferojnë si pronësinë ashtu dhe menaxhimin te pasardhësit. Prindërit, shpesh nuk e kuptojnë se aftësitë që ata kanë grumbulluar gjatë shumë viteve, ndonjëherë dekadave, nuk janë të lehta për t’iu transferuar fëmijëve vetëm në pak vjet. Prandaj ata gjithnjë duhet të pyesin veten nëse kanë bërë një inventar të plotë dhe të ndershëm të kompetencave të kërkuara për pozicionin e shefit, apo çfarëdolloj pozicioni drejtimi që do të donin të merrte fëmija i tyre”, thonë ekspertët e menaxhimit.

Sipas tyre, ndonjëherë kompetencat e kërkuara mund të jenë mjaft të forta, duke filluar nga kualifikimet profesionale në aftësinë për të menaxhuar njerëzit dhe nga aftësitë e shkëlqyera për të shitur në aftësitë për të zhvilluar biznesin brenda industrisë. “Një verifikim i aftësive është gjithnjë më i mirë se kompetencat teorike”, shtojnë ata.

Nga kërkimet e “Monitor” për rastet kur sipërmarrësit ua kanë kaluar kompetencat apo të gjithë menaxhimin fëmijëve të tyre, rezulton se investimet në edukim kanë qenë të larta, në shkollat më të mira perëndimore që garantojnë jo vetëm nivelin e njohurive, por edhe atë të përgatitjes njerëzore. Fakti që shpesh për edukimin e fëmijëve është zgjedhur sistemi anglosakson, tregon se pritshmëritë e sipërmarrësve shqiptarë kanë qenë të larta dhe me këtë, ata kanë kërkuar që të sjellin një ere të re në menaxhim.

Ndërtuesi Hajredin Fratari tregon se përfshirja e djalit të tij në menaxhimin e kompanisë ka sjellë shumë ndryshime, vizion të ri dhe mënyra të reja të konceptimit të ecurisë së biznesit. “Ai shpesh ka ndryshuar edhe projektet e mia”, thotë z. Fratari. Dhe z. Fratari e ka angazhuar djalin e tij me punët e kompanisë qysh kur ai ishte edhe një student në Londër dhe kthehej me pushime në Shqipëri.

Ekspertët thonë se çdo sipërmarrës duhet ta konsiderojë mundësinë të vendosë fëmijën e tij në disa pozicione brenda firmës, përpara se të marrë drejtimin ose pronësinë e firmës. T’i mësojë atij biznesin nga poshtë-lart, marketing dhe shitje, promocion, financë etj. Kjo do t’i mundësojë “pasardhësit” të lëvizë në kurbën e të mësuarit; mund të jetë më pas vetëm një hap larg në funksionin e drejtuesit apo pronarit.

“Do t’ju lejojë gjithashtu të gjykoni nëse fëmija juaj është i aftë që t’ju zërë vendin dhe si do të përshtatet ai me stafin. Jini të kujdesshëm: të marrësh në punë fëmijën do të krijojë një situatë të ngatërruar me stafin, veçanërisht në rast se fëmija po promovohet shumë shpejt. Ju gjithashtu mund të konsideroni ta bëni fëmijën tuaj si drejtues dhe pronar të pakicës, ndërsa ju mbeteni kreu dhe keni shumicën e aksioneve. Një tranzicion gradual lejon një veprim korrektues, në rast se do të ishte i nevojshëm”, thonë ekspertët. 

“Fratari dhe të bijtë”, investimi si një mundësi për të ndryshuar vendin

monitor 711.indd

Ai është një nga ndërtuesit e njohur në vend, që biznesin e tij e ka shtrirë edhe jashtë kufijve. Si inxhinier me përvojë, Hajredin Fratari ka arritur të menaxhojë me sukses kompanitë e i tij. Tashmë ka dalë në “pension”, siç thotë edhe vetë, por ndihmën dhe përvojën nuk e kursen.

Me konsolidimin e biznesit, në mendjen e tij gjithmonë e më shumë po zinte vend çështja se kush do ta vazhdonte rrugëtimin. Vajza e tij, Lediana, është e prirë për politikë, ndërsa djali për shkenca ekzakte. Dhe kjo ishte rruga e arsimimit që ata ndoqën. Djali, Raufi (i cili mban emrin e gjyshit të tij), zgjodhi degën e ekonomisë, ndërsa Lediana ndoqi studimet për politikë dhe integrim europian.

“Me përfundimin e studimeve në Londër, djali u kthye në Tiranë me qëllim që të merrte në ‘dorëzim’ kompaninë”, thotë z. Fratari.

Për djalin e tij, viti i parë kaloi si provë, ndërsa që prej dy vjetësh ka marrë menaxhimin e plotë. “Unë kam dalë në pension, – thotë z. Fratari, – por natyrisht që vazhdoj ta ndihmoj djalin. Ai tashmë po mendon që të thellojë më tej njohuritë e tij në arkitekturë, ku do të kryejë edhe një master”.

Për z. Fratari, tashmë djali ka kaluar çdo provë dhe nuk ka më nevojë të japë tek ai ‘provime’ shtesë.

Tradicionalisht është menduar që biznesi i lihet djalit, por z. Fratari ka menduar që t’ia përshtasë fëmijëve natyrën e biznesit në menaxhim.

“Deri tani, jam i kënaqur nga mënyra sesi fëmijët e mi po menaxhojnë kompanitë. Djali, drejtimin e ndërmarrjes po e bën në një mënyrë krejtësisht tjetër, me koncepte europiane. Ai ka ndryshuar edhe cilësinë e punimeve. Madje është edhe më kërkues. Duke qenë se unë jam familjarizuar me punonjësit për shkak të kohës së gjatë në drejtim, 25 vjet, isha edhe më tolerant. Por, tani nën drejtimin e djalit, ky aspekt ka ndryshuar dhe kjo natyrisht ka rritur performancën dhe cilësinë e shërbimit”.

E në fakt, në biznesin shqiptar, kalimi i menaxhimit nga njëri brez në tjetrin ka sjellë edhe ndryshim të filozofisë së drejtimit.

Por, cilat janë këshillat që ai u ka dhënë fëmijëve? “Gjëja kryesore ka qenë dashuria ndaj vendit të tyre. Vajzës sime, kur bënte shkollën në ‘London School of Economics’ i propozuan që të punonte në Bruksel, por ajo refuzoi duke thënë se investimin që familja e saj kishte bërë do ta kthente mbrapsht duke punuar për vendin e saj. Ndërsa djali mori nën kontroll drejtimin e plotë të firmës dhe ka pasur raste kur ai ndryshoi rrënjësisht edhe projektet që ishin të gatshme”, thotë z. Fratari.

Vajza e tij, Lediana, bie në sy për stilin anglez të brumosur që me edukimin në shkollën e mesme që e ka kryer në Oxford dhe më pas vazhdoi studimet e larta për politikë dhe ato pasuniversitare për politikë të Bashkimit Europian në ‘London School of Economics’.

“Unë e kam ditur që në moshë të hershme që do të profilizohesha në këtë drejtim, natyrisht kam pasur edhe fatin që kjo m’u mundësua nga familja. Çështja e zgjedhjes së degës së profilizimit është një nga më të rëndësishmet dhe të komplikuarat për çdo person. Momenti që po kalonte vendi sugjeronte si nevojë kryesore atë të një kuadri të specializuar, duke qenë se synon të bëhet pjesë e familjes europiane. Janë këto burime njerëzore që do ta ndihmojnë shtetin të ecë në rrugën e tij drejt këtyre organizmave. Ndaj unë bëra këtë zgjedhje, edhe pse mundësitë për të bërë diçka tjetër ishin të shumta. Kur specializohesh për politikat e Bashkimit Europian, të jepet mundësia që të qëndrosh në vende, si Brukseli, por unë doja që investimin që kisha marrë, falë mbështetjes së familjes, ta ktheja në vendin tim dhe të ndihmoja për krijimin e një të ardhmeje më të mirë, por edhe të përmirësimit të imazhit të vendit”, thotë Lediana.

Po çfarë do të thotë për të të jesh pjesë e një familjeje që i përket botës së biznesit? Ajo thotë se ndihet krenare për arritjet e babait, i cili ka ngritur një kompani që ka qenë ndër të parat që ka operuar në fushën e ndërtimit, kur vështirësitë kanë qenë të shumta. “Kur vjen nga një familje ku prindërit janë të suksesshëm në profesionet e tyre, atëherë dhe kërkesat që të shtrohen përpara janë të nivelit të lartë. Pritet një angazhim maksimal dhe rezultatet të jenë po të tilla. Për të arritur këtë, duhet të ekzistojë dëshira nga ana e fëmijëve, si dhe fryma e optimizmit. Në radhë të parë duhet të vlerësohet trashëgimia që të është lënë, por nga ana tjetër nuk duhet të mungojë këmbëngulja për të krijuar profilin tënd individual”, thotë Lediana. Ajo nuk ka ‘frikë’ nga cilësimi si “e bija e babait”, sepse ndihet krenare kur atashohet me figurën e tij, duke e cilësuar pozitive. “Nuk do të doja të largohesha nga emri i familjes sime, por pavarësisht kësaj do të krijoj një profil timin”, thotë Lediana.

Mënyra e të bërit biznes e ndjekur nga babai i saj ka ndikuar në krijimin e disa aspekteve të karakterit, siç është krijimi i besimit që në biznes, ajo e cilëson si një element të rëndësishëm. “Optimizmi, gjithashtu, është një aspekt tjetër që plotëson figurën, pasi jeta ka uljet dhe ngritjet e saj. Në biznes, këto luhatje mund të jenë të shumta dhe shpesh mund të bëhen të rrezikshme nëse kanë të bëjnë me anën financiare. Këto janë disa nga gjërat që i merr nga jeta e përditshme dhe që ndikojnë në formimin e personalitetit”, thotë ajo.

Angazhimi i saj në biznes është deri diku i pjesshëm, ndërsa e konsideron si të vështirë sa i takon mjedisit shqiptar. Ajo e konsideron biznesin si një pjesë të rëndësishëm të shtetformimit, por edhe të gjithë shoqërisë.

Në rrëfimin e saj Lediana përpiqet të jetë modeste, ndërsa i ati thekson se ajo ka shije të hollë dhe me angazhimin e saj arriti t’iu rriste vlerën disa nga ambienteve që prej vitesh nuk jepeshin me qira.

“Për mua biznesi është diçka e bukur, të jep pavarësi, por unë gjithmonë i qëndroj mendimit që nëse kërkon të bësh diçka të mirë atëherë angazhimi duhet të jetë i plotë. Unë kam investuar mjaftueshëm dhe shoh se kontributin tim do ta jap për momentin në fushën e politikës”, thotë Lediana.

Ndërsa menaxhimin e ajo e sheh si aftësi, që individi duhet ta ketë edhe pjesë të tij dhe kjo vlen edhe në fusha të ndryshme. “Teknologjitë ndryshojnë, përparojnë, zhvillohen, por janë burimet njerëzore ato që e bëjnë një biznes të ecë përpara. Investimi tek ata kthehet mbrapsht i shumëfishuar dhe kjo ndodh më shpejt nëse mjedisi është miqësor dhe produktiv. Duhet t’i zgjasësh dorën e bashkëpunimit kujtdo dhe të arrish të krijosh një marrëdhënie reciproke besimi. Kjo vlen në të gjitha fushat”, thotë Lediana. 

Dorina Resnja: Më pëlqen kur më quajnë “Vajza e Donikës”

monitor 711.indd

Ka nisur të jetojë në Itali që në moshën 10-vjeçare, ku ka marrë me radhë edukimin në fushën e komunikimit dhe gazetarisë, Dorina Resnja kthehet para pak vitesh në atdhe, për të punuar krah mamasë së saj, zonjës së këpucëve, Donika Mici dhe më vonë, për të hapur fabrikën e saj, së bashku me të fejuarin Donaton.

“Kur Italia nisi të përjetojë krizë, vendosa më mirë të kthehesha në Shqipëri, fundja kisha një biznes familjar ku mund të gjeja një vend për mua. Ajo është një siguri për jetën”, – tregon znj. Dorina.

Ajo pohon se ndër vite, i ka mbetur emri “vajza e Donikës”, gjë të cilën e pëlqen, pasi përpos të ndjerit krenare për të ëmën, ajo tregon se në Shqipëri është mirë kur ke dikë që të suporton, e për më tepër dikë që ka më tepër eksperiencë se ty në tregun që ke zgjedhur të bësh.

“Ajo është femër në radhë të parë dhe është modeli të cilin dua të ndjek në vazhdimësi”, – thotë Dorina për mamanë e saj, duke pohuar se nuk ka qëllim që ta kalojë këtë model apo të jetë më lart, por thjesht ndihet falënderuese për mbështetjen që i jep.

Dorina tregon se fusha që zgjodhi të bënte pas kthimit në Shqipëri, ka një vështirësi të madhe, që në dukje nuk arrihet të kuptohet. “A kam menduar të heq dorë? Vështirësitë në Shqipëri të bëjnë ta mendosh këtë alternativë, megjithatë në fund të ditës kënaqësinë që fiton nga krijimi i produktit, harron çdo vështirësi”- thotë ajo.

Kur nis të flasë për fabrikën e re që ka hapur, bashkë me Donaton këtë vit, me rreth 70 të punësuar dhe me linjën e këpucëve për gjigantin “Dolce & Gabbana”, ndihet pasioni, siç duket i ushqyer nga e ëma dhe ambicia për të arritur më tepër.

E pyetur rreth ngjashmërive dhe diferencave mes saj dhe mamasë, Dorina tregon se si natyrë nuk ngjajnë aspak. “Kemi totalisht karakter tjetër, mënyra se si mendojmë është ndryshe. Por kemi të mirën, që kompletojmë njëra-tjetrën”- tregon Dorina.

Ndërsa sa u përket ngjashmërive në biznes, ajo thotë se modeli kryesor është ai i Donikës, gjë që është munduar të përthithë dhe përshtatë në punën e përditshme. Ndërsa, tregon që Donika ka një ambicie tepër të fortë që ajo shpreson ta vijojë më tej.

“Unë merrem me pjesën administrative të kompanisë dhe ecejaket në dogana, porositë, evidencat etj., janë pjesë të punës sime për të cilat më dalin vështirësi çdo ditë. Eksperienca e mamasë sime, bashkë me këshillat e saj, me ndihmojnë të kaloj vështirësitë”,- tregon ajo.

Megjithatë, Dorina vijon të thotë që edhe mamaja dëgjon këshillat e së bijës dhe e bija, merr çdo ditë e më tepër nga eksperienca e së ëmës.

Dorina tregon se transparenca ka qenë faktori themelor i të punuarit, mësim nga e ëma, leksioni nr.1 i biznesit që mendon se do ta trashëgojë edhe ajo më tej, në brezat e ardhshëm.

“Transparenca, sjellja e mirë ndaj të tjerëve dhe logjika e mirë në gjërat që bëj e hapat që hedh”- këto elemente kujton Dorina nga këshillat e së ëmës.

Por, nuk kanë qenë vetëm këto këshilla që i janë drejtuar së resë në botën e këpucëve shqiptare. Dorina tregon se pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar, e ëma i ka treguar që të jetë një menaxhere e aftë e parasë, gjë e cila do t’i sillte veçse benefite. Por, të qenët një sipërmarrëse në biznes në Shqipëri mbetet sfidë, vështirësia e së cilës përballohet më mirë kur je ende në strehën familjare. 

Familja Malo, kur binjakët menaxhojnë biznese të ndryshme

monitor 711.indd

Një ish-sportist që u bë biznesmen, por që mbështetjen për sportin nuk e kurseu në asnjë rast. Muhamet Malo bën pjesë tek ajo kategori e vogël biznesmenësh, të cilët kanë prodhuar ide origjinale dhe kanë ofruar shërbime të dobishme.

Fillimi i procesit të ndërrimit të sistemit e gjeti Malon njëlloj si gjithë shqiptarët. I ri, plot energji, por njëkohësisht edhe i pushtuar nga kontradikta midis dëshirës për të fluturuardhe pamundësisë, si rrjedhojë e sistemit komunist. Sikur në vitet e këtij sistemi, atij t’i jepej e drejta e përzgjedhjes së një dëshire, me siguri do të kishte kërkuar vetëm atë që ndodhi në vitin 1990, hapjen e kufijve dhe lëvizjen e lirë nëpër botë. Këtu fillojnë edhe përpjekjet e tij për të siguruar, sikurse thotë ai, më shumë të mira materiale për familjen, nëpërmjet punës e suksesit. I ra kryq e tërthor rrugëve të Turqisë, Rumanisë e Kinës, duke siguruar mallra të ndryshme, kryesisht konfeksione e duke i shitur në treg. Por, vitet kaluan dhe portofoli i tij si sipërmarrës u diversifikua deri sa kulmoi me ndërtimin e teleferikut në Dajt, për të cilin planet e së ardhmes flasin me gjuhën e shtimit të investimeve.

Sot, kompanitë e tij drejtohen nga të bijtë, dy binjakë, vëlla e motër, Enklajd dhe Migena Malo. Megjithatë, edhe djali më i vogël i familjes Malo (sot 20 vjeç), duket se nuk do të rrijë shumë larg këtij profili.

Por, bizneset duket se janë ndarë sipas natyrës. Enklajdi është drejtues ekzekutiv i kompanisë së basteve “Eurolloto”, ndërsa e motra, Migena, është zëvendëspresidente e “Dajti Express”.

Enklajdi tregon se është angazhuar në punët e kompanisë që në moshë të re, kur ka qenë 16 vjeç, nisur edhe nga pasioni që kishte për sportin. Teksa e projektonte veten në krah të babait për të drejtuar bashkë me të, ai vendosi që të arsimohej jashtë dhe pikërisht në Londër, ku qëndroi për një periudhë 5-vjeçare, ku përfundoi arsimin e mesëm dhe atë të lartë për menaxhim biznes. Nuk e kishte menduar në asnjë rast se do të qëndronte larg biznesit të familjes dhe për këtë nuk shpreh asnjë grimcë hezitimi.

Për motrën, Migenën, thotë se iku në Itali në moshën 11-vjeçare. Një pjesë të studimeve e realizoi në shtetin fqinj e pjesën tjetër në Londër, ku për një periudhë qëndruan të dy motër e vëlla. Ndryshe nga vëllai i saj binjak, ajo ka përfunduar studimet e larta për gjuhë të huaja dhe juridik. Ishte ajo që nuk e mendonte se do të kthehej më në Shqipëri, por krijimi i familjes së saj të re e solli për të ndërtuar një të ardhme këtu. Sot, është ajo që menaxhon “Dajti Express”.

“Unë gjithmonë jam angazhuar në drejtimin e ‘Eurolloto’-s dhe në mungesë të Migenës, pjesërisht jam marrë edhe me menaxhimin e kompleksit të Dajtit. Motrës i pëlqen kjo natyrë biznesi, për të është një sfidë”, thotë Enklajdi.

Ai vetë nuk e ndien shumë “peshën” e hijes së babait, pasi përvoja që ka fituar është e gjatë, megjithatë thotë se është e vështirë që të krijohet një profil i pavarur. Për të, këshilla e babait ka qenë gjithmonë që në biznes duhet të jetë gjithmonë i ndershëm dhe të punojë shumë.

“Babai ka ndjekur një strategji, duke na lënë të lirë, pa na dhënë shumë këshilla në mënyrë që ne t’i mësojmë vetë ku janë vështirësitë dhe të arrijmë që të gjejmë vetë zgjidhjet. Ai na ka dhënë shumë besim, deri diku ndoshta edhe më shumë se ç’duhet. E natyrisht kemi mësuar nga gabimet, duke u bërë më të fortë”, thotë Enklajdi.

Ai thotë se kompania ka investuar ndjeshëm në imazh, por tregun ku operon konsiderohet i vështirë për shkak edhe të informalitetit. “Ne e kemi mbështetur sportin në shumë disiplina, kjo edhe për faktin se babai ka qenë vetë sportist. Ne shpresojmë se me disiplinimin e tregut të mund të operohet në kushtet e barazisë”.

Enklajdi kujton se gjatë përvojës së tij nuk kanë munguar momentet e vështira, por asnjëherë nuk është menduar që të hiqet dorë nga biznesi.

“Problemi ynë më i madh gjithmonë ka qenë legjislacioni. Ne jemi përpjekur që të funksionojmë brenda rregullave. Megjithatë, sfida ime është që biznesi të zgjerohet jashtë Shqipërisë, duke futur ofrimin e shërbimit online të basteve edhe në Europë. Ky lloj biznesi po shkon drejt internetit dhe kjo do të jetë edhe sfida ime. Europa mbetet ëndrra ime, duke qenë se në rajon jemi prezent, si në Kosovë dhe Maqedoni”, thotë Enklajdi.

Edhe në planet e motrës së tij, Migenës, është zgjerimi. Plani vlerësohet ambicioz, me krijimin e një qendre të mirëfilltë rekreacioni, për ski, argëtim, spa, por edhe me ndërtimin e një hoteli të ri, duke u kthyer në një qendër të rëndësishme të rajonit.

Këtu nuk përjashtohet edhe përfshirja e një investitori të huaj që do të ndihmonte me përvojë në fushën e turizmit.

Kastrati Jewellery: Fëmijëve iu mësoj të jenë korrektë

monitor 711.indd

Luljeta Kastrati, Bledar Kastrati dhe Dorela Kastrati. Një trinom që i shërben të gjithë ardashësve përmes një vitrine të hapur prej 10 vitesh… Zonja Luljeta tregon për “Monitor” se, që prej hapjes së Kastrati Jewellery në shtator të 1995, është përpjekur që me emrin shqiptar të ofrojë atë çka i mungonte tregut. Biznesi lindi si pjesë e një domosdoshmërie dhe që më pas u munduan që të krijonin frymën dhe kulturën e nevojshme për masën, gjë të cilën nuk mundi të mos e përjetonin edhe dy fëmijët, në rritje asokohe.

Luljeta pohon se nuk ekzistonte një skemë e paramenduar për atë që fëmijët do bashkëmenaxhonin dhe më vonë, merrnin në dorë drejtimin. Përkundrazi, kjo ka ardhur sipas saj, hap pas hapi. Megjithatë, shkollimi i Bledarit, si nisje në shkencat juridike dhe më vonë, me specializim në Amerikë për Gjeomologji, GIA, tregon prirjen për të kaluar nga një pikënisje e rinisë, në afrimin në fushën e biznesit familjar. Ndërsa, vajza Dorela mban peshën e financës dhe menaxhimit, nga ku buron edhe edukimi i saj.

“Me kalimin e viteve, filloja të mendoja: mundet që në vazhdimësi ne të jemi kështu? A mundet t’i përfshij fëmijët e mi në këtë biznes të ndërtuar me aq mund? Kjo pyetje të vjen në mënyrë instiktive”- tregon znj. Kastrati.

Fëmijët pohojnë se përkushtimi i prindërve bëri që të çelet një dritë në mendjet tona.

“Forca dhe pasioni që ata tregonin na bëri të mendojmë: pse të mos vazhdojmë hapat e tyre?”

A duhet promovuar biznesi familjar dhe nxitur në familje? Luljeta Kastrati tregon se fusha specifike në të cilën ndodhen, ajo e bizhuterive, kudo nëpër botë, trashëgohet me breza.

“Me rritjen e biznesit, ke nevojë për persona të tjerë mbështetës, por të cilët duhet të jenë shumë të angazhuar në këtë fushë. Kur e shikon këtë te fëmija, gëzimi është më i madh”, – thotë znj. Kastrati.

Vështirësitë e të bërit sipërmarrje në Shqipëri kjo familje i përkufizon si disa: mungesa e turistëve, ekonomia e ulët e shqiptarëve, si dhe tregu informal; mirëpo duke cituar shprehjen e urtë të popullit “bashkimi bën fuqinë”, trinomi i Kastratëve mundohet të japë përkushtimin e duhur që të ruajë këtë model biznesi familjar.

Znj. Kastrati thotë se “tre janë ‘mësimet’ e mëdha që dua t’u trashëgoj fëmijëve të mi: përkushtimi, dashuria dhe korrektësia”.

Histori të ngjashme

Fuqia dhe pasuria shpesh vijnë dorë për dore dhe po ashtu, mund të kalojnë nga brezi në brez. Jo krejtësisht e ndryshme monarkitë e vjetra, biznese të mëdha kalojnë nga një anëtar i familjes tek tjetri, duke krijuar kështu një cikël përjetësimi brenda një rruge gjenealogjike.

Jo rrallë, në Shqipëri hasim biznese të vogla që kryesisht u trashëgohen fëmijëve. Dikur, këpucarët, farmacistët, argjendarët trashëgoheshin nga njëri brez në tjetrin, duke u ruajtur kultura, emri dhe tradita. Mirëpo, me kalimin e viteve, të shumtë ishin fëmijët që iu shmangën kësaj rruge gjenealogjike, në përpjekje për të ndërtuar emrin e tyre, për të ndjekur një ëndërr apo në rastin e bizneseve të vogla, për të marrë një shkollim tjetër.

Në traditën shqiptare, bizneset e mëdha familjare priren që të përfshijnë fëmijët në to. Rastet nuk mungojnë:

Ikja e Dritan Hoxhës, Vjollca Hoxha dhe të bijat:

Krijimi i Top Albania Radio, më vonë i TCH dhe në vijim planet e tjera ambicioze për të arritur standardin e kërkuar me punë, ngulm dhe ëndrra. Shkëputja e tij nga jeta i ri i la stafetën së shoqes, nga A deri në Z. Ndërsa me rritjen e të bijave, shikojmë gjithnjë e më tepër angazhimin e tyre në “perandorinë” e trashëguar nga i ati. 

Luan Leka, EHW dhe të bijat larg

Për themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të një prej kompanive më të mëdha të përpunimit të mishit dhe prodhimit të sallameve në vend, historia ka ecur në kahun e kundërt. Dy vajzat e tij kanë zgjedhur që të jetojnë dhe të punojnë jashtë Shqipërisë, njëra në SHBA (Nju Jork) dhe tjera në Angli (Londër). Eda, ish-administratorja e “Qafshtama EHW GROUP” pak vite më parë zgjodhi të pranonte një ofertë të mirë në SHBA dhe tashmë vazhdon të jetojë aty. Në një intervistë të gati tri viteve më parë dhënë për “Monitor”, ajo tregonte se një drejtues i ri i suksesshëm duhet të jetë në gjendje të zbatojë një model perëndimor menaxhimi, në një realitet lokal siç është Shqipëria, duke iu nënshtruar pjesërisht rregullave të këtij realiteti.

Pirro Argjendari, tradita dhe menaxhimi nga e bija

Në mbretërinë e shumë emrave shqiptarë, Pirro Argjendari krijoi vendin e tij në këtë biznes, në krah të të cilit prej më shumë se 2 vitesh është e bija, ndihmesa e së cilës, bashkuar me një sfond edukimi anglosakson, është të sjellë frymën e re, mbështetur në traditën e vjetër.

Hasnije Kasneci dhe i biri, Aba Center

Një ndër qendrat tregtare kryesore në Tiranë, ku drejtuesit kanë projektuar dhe përfshirë fëmijët e tyre në menaxhim. I tillë është rasti i ABA Center. Dhjetë vjet përvojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar zonjën Kasneci për të parë me një sy më realist tregun shqiptar. Përvojat e mëparshme dhe koha në dispozicion do ta ndihmonin të angazhohej plotësisht për administrimin e kësaj qendre tregtare, duke kontribuar në të njëjtën kohë me të gjitha aftësitë që mund të ketë një grua ambicioze. Në këtë përvojë e ndihmon edhe djali i saj, Kreshniku.

Gener 2 dhe familja Ulaj

Kompani e njohur e ndërtimit në Tiranë, biznes që drejtohet dhe menaxhohet nga anëtarët e familjes Ulaj, ku dhe z. Bashkim mban postin drejtues.

Behar Male dhe e bija

Ai vjen nga një sektor siç është ndërtimi, por ka edhe përvojë të gjatë akademike. Si administrator i përgjithshëm i TID Albania, ai dallohet për korrektësinë dhe saktësinë në punë, si dy aspekte që i ka veçuar gjithmonë. E bija, drejton qendrën “Nobis”, duke treguar kështu se suksesi nuk ka ardhur rastësisht.

Shefikat Ngjela dhe të bijtë

Ajo është një nga gratë e suksesshme të botës së biznesit. Të dy fëmijët i ka angazhuar në menaxhimin e sipërmarrjes. Djali i saj, Teodori, administron ‘Bar Austria’, ndërsa vajza, Ersi, ka profilin e financieres. Ajo ka tentuar të hyjë edhe në botën e modës, duke u bërë pjesë e pasarelave.

Balkan Sport, ekskluziviteti i veshjeve të sportit, bashkimi baba e bijë

Klodiana Kumi, në krah të të atit në biznesin familjar, i cili ka bërë të mundur sjelljen dhe tregtimin në Shqipëri të markave të sportit Adidas dhe Reebok. Ata tregojnë se menaxhimi brenda familjes është një çelës që zgjidh dhe parandalon çdo vështirësi.

Stefan Pinguli dhe e bija

Emri i së bijës është një nga markat e njohura të birrës, e prodhuar në vend, por Stela nuk ka zgjedhur të futet në këtë sektor, pasi i është dedikuar krijimit. Ajo drejton një agjenci marketingu, duke ndihmuar kompaninë të ketë një imazh cilësor.

Gjoka Konstruksion: Si babai, edhe i biri

Nga i ati tek i biri, biznesi i ndërtimit vijon të mbetet në formën më të mirë, sidomos në momentet kur menaxhimi bëhet bashkërisht. Ata nuk i gjen të dy në zyrë, ose i gjen fare pak, por më tepër në terren, duke u përpjekur që të prekin me dorë punën e përditshme dhe gjithashtu, të gjenden më pranë punonjësve, të shumtë në numër. Rrok dhe Erind Gjoka, tregojnë se bashkëmenaxhimi është shumë i frytshëm në drejtim dhe madje, krijon një besim që nuk e gjen, veçse në familje. “Fusha e ndërtimit është tejet specifike dhe kërkon angazhim, përkushtim dhe rregullsi”, – pohojnë ata, gjë që e kanë kultivuar dhe përpiqen ta ruajnë, po në familje.

*Marrë nga Monitor. Në foton kryesore vajzat e Donika Micit, Dorina, Egeria dhe Elisa. Marrë nga faqja në FB.