Sot nis viti i ri shkollor në Shqipëri

Sot nis viti i ri mësimor 2014-2015 në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në Shqipëri. Janë 32 mijë vogëlushë që do të shkojnë sivjet ne klasë të parë, ndërsa në total numërohen 540 mijë nxënës që nisin sot shkollën.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka uruar nxënësit për ditën e parë të shkollës.

“Më një emocion të veçantë ju drejtohem juve, 32 mijë vogëlushëve dhe prindërve tuaj. Ju nisni një jetë të re, jetën shkollore në klasën e parë me urimet më të mira, por dhe me garancinë se rruga e dijes do të jetë e sigurt, do të jetë çdo ditë e më shumë e përafruar me atë të bashkëmoshatarëve tuaj në çdo vend tjetër të përparuar,” tha Nikolla në urimin e saj ndër shtoi se viti shkollor 2014-2015 është një vit i veçantë, i cili përkon me fillimin e një sërë reformash që do të prekin sistemin arsimor në tërësinë e tij.

Ministrja iu drejtua edhe mësuesve ndërsa shtoi se roli i tyre është jetik në realizimin e objektivave reformuese.

“Ndaj dhe mbështetja jonë në drejtim të forcimit dhe mbrojtjes të dinjitetit të mësuesit do të jetë parësore. Mësuesi është shkolla dhe shkolla ka në duar fëmijët, dritën e syve të çdo prindi dhetë ardhmen e shoqërisë sonë,” tha Nikolla.

Ajo shtoi se reforma e kurrikulës që bazohet në kompetenca me fokus reformimin thelbësor të teksteve dhe të mjeteve shkollore; zgjerimi i përmasave të dixhitalizimit të procesit të nxënies, shkolla si qendër komunitare, karta e performancës së shkollës, përmasa e re e edukimit fizik dhe shëndetësor të fëmijëve etj, janë hapa me të cilët po ndërtojmë një shkollë ku kryefjala është cilësia.