Sondazhi në Greqi – pjesa më e madhe e qytetarëve duan euron

Pjesa më e madhe e qytetarëve të Greqisë nuk duan që të rikthehen tek dhrahmia por dëshirojnë të kenë euron si monedhën e tyre.

Kështu thuhet në një sondazh të publikuar dje nga “Metron Analysis”, ku thuhet se 84 për qind e grekëve duan valutën monetare euro, ndërsa 12 për qind janë në favor të dhrahmisë greke. Sondazhi vjen teksa vendi po tenton që të arrijë një marrëveshje për reformat me kreditorët e saj ndërkombëtarë.

Sondazhi tregon se ndonëse një shumicë e grekëve duan të mbajnë valutën evropiane, 55 për qind e të anketuarve kanë thënë se vota “Jo” në referendumin e fundjavës së kaluar, ishte zgjedhja e duhur.

Shkaqet kryesore që grekët nuk duan të ndryshojë valuta e tyre, janë të lidhura sidomos me dy arsye:

E para ajo e frikës nga abuzimet që mund të përsëriten. Kur në vitin 2001 u largua dhrahmia, pati një abuzim të shfrenuar nga bizneset me konvertimin në euro dhe rrumbullakosjen e çmimeve me tendencë rritjen dhe njerëzit u zhgënjyen.

Arsye e dytë është biznesi, sidomos ai turistik. Greqia ka turistë nga e gjithë bota dhe një konvertim valute do të mund të ishte problematik dhe deri frenues për turizmin.