Sokol Cahani Të fillosh nga e para…

Nga Majlind Goge

I vetëdijshëm për vështirësitë e largimit nga vendlindja dhe ardhjes në një shoqëri të panjohur, Sokol Cahani mbërriti në Londër në vitin 1995, pak kohë pasi kishte mbaruar studimet për Aktrim ne Akademinë e Arteve ne Tirane.

“Nuk erdha me mendjen për të punuar si aktor, -shpjegon ai, – pasi në këtë profesion gjëja kryesore është fjala, pra gjuha, dhe unë në atë kohë nuk e zotëroja gjuhën angleze.” Si të gjithë emigrantët e tjerë, bën punë të ndryshme dhe njëkohësisht fillon të njihet me bashkatdhetarë të tjerë e të krijojë shoqëri të reja. “Atëherë komuniteti shqiptar ishte më i pakët, dhe duke u ndodhur në një qytet të madh si Londra, me shumëllojshmëri kulturash, shoqërimi dhe bashkëpunimi me njëri -tjetrin ishte i natyrshëm dhe i domosdoshëm. Një nga pikat kryesore të takimit ishte lagja Bayswater.”

Sokoli rrëfen se mbresat e para nga Londra kishin të bënin me madhësinë e saj, popullsia e përzierë, si dhe kontrasti mes bukurisë dhe pastërtisë së zonave të pasura dhe ndërtesave të zymta dhe varfëria në zona më pak të mirëmbajtura. “Më bëri gjithashtu përshtypje që gjithandej në Londër ka me të vërtetë shumë ndërtesa të stilit të vjetër, dhe kur u vura këtë në dukje miqve të mi, ata më thanë se anglezët janë fanatikë të ruajtjes së të vjetrës dhe kjo është një nga pikat më tërheqëse të Londrës dhe Britanisë.”

Pasioni…

Por pasioni për artin dhe aktrimin nuk ishin mbyllur bashkë me diplomën e Akademisë në sirtar…”M’u desh të bëja shumë punë të ndryshme, – rrëfen,- por pas një farë kohe vendosa t’i kthehem ëndrrës sime”.

Për t’u kompletuar profesionalisht, meqë në Tiranë kishte studiuar kryesisht teatrin, frekuentoi disa kurse për aktrim ekrani. Më pas filloi bashkëpunimin me një agjent aktrimi dhe gjithnjë e më shumë u rritën angazhimet në projekte të kompanive të produksionit angleze dhe shqiptare. Tanimë në karrierën e tij shënohen tituj filmash të metrazheve të ndryshme, ku zakonisht atij i është dhënë roli kryesor.

Sokoli veçon si ndër më të rëndësishmit deri tani filmin “Besa” të regjisorit Astrit Hyka, dhe “Krimet e një babai”, realizuar nga Ben Perry. Por edhe bashkëpunimet më të hershme me regjisorin Hykaj në filmat “Kjo jetë” e “Varësja”, apo “Busulla” të drejtuar nga Bujar Alimani, e “To be or not to be” nga Valon Jakupaj, etj, kanë qenë gjithashtu përvoja të çmuara që kanë themelosur emrin e tij në botën e aktrimit.

sc1Tani është duke përfunduar xhirimet e filmit “Jewel of the Balkans” me regjisor Richard Lipman, ku përsëri ai ka rolin e protagonistit. “Nuk ka qenë e lehtë, – thotë Sokoli, i cili ka dy djem, njëri 8 dhe tjetri 2 vjeçar- pasi në të njëjtën kohë isha edhe prind, dhe të gjithë kryefamiljarët e dinë sa e vështirë është të balancohen jeta familjare me detyrimet e punës” . Për të, pa mbështetjen e familjes nuk do t’ia kishte dalë mbanë në këmbënguljen e tij për realizimin e dëshirës së hershme të aktorit profesionist.

Përcjellje vlerash…

Çdo vit Sokoli kthehet me familjen në vendlindje, për të pushuar dhe çmallur me të afërmit e shoqërinë. Por edhe për të brumosur tek djemtë e tij ndjenjën e prejardhjes, identitetit dhe të gjuhës shqipe.

“Fëmijët e mi kanë lindur dhe po rriten në Londër, – thotë ai – por ne flasim vetëm shqip në shtëpi. Çdo prind gjithmonë do më të mirën për fëmijët e tij dhe kjo nuk është e lehtë të arrihet, është një lloj profesioni më vete dhe nganjëherë dyshon nëse po e bën siç duhet”.

Ai arsyeton se në një metropol si Londra mund të ndeshësh njerëz të të gjitha kombeve, kulturave dhe mentaliteteve, por çdo situatë duhen mbajtur parasysh vlerat që na dallojnë ne shqiptarëve. “Atdheu për mua është gjithçka, – thotë ai, – në atë vend jam rritur e burrëruar. Vendlindja dhe origjina është shumë e rëndësishme dhe nuk është e rastit që zakonisht këtu në Londër pyetja e parë që të bëhet është “nga jeni ju?”.

Dhe krenarinë për Shqipërinë, ne duhet t’ua edukojmë edhe fëmijëve, bashkë me virtytet tona si ndjenja për punën, ndershmëria, bujaria, rëndësia e fjalës së dhënë, respekti për të tjerët, veçanërisht më të moshuarit.

Si dhe përkrahja për të pamundurit, duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës”.

Në këtë aspekt, për aktorin shqiptar, është për të ardhur keq që ndjenja e komunitetit dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve të Londrës nuk është në nivelin që duhet. “Kur kam ardhur unë 18 vjet më parë, shqiptarët këtu ishin më të paktë, por ishin më të mbledhur, e tani në vend që të ketë më shumë bashkëpunim, ka ndodhur e kundërta.

” Shpesh ka recituar poezi të autorëve të njohur shqiptarë në koncerte e tubime, dhe vëren se tani nuk është ajo gjallëri dhe ndjenjë afërsie e komuniteti si më parë. “Sido e kudo që të jenë,,- përfundon ai, – ne shqiptarët në Britani nuk duhet të harrojmë njëri-tjetrin, nga kemi ardhur, të mos harrojmë gjuhen e zakonet tona.

Të duam familjen qe është baza e çdo gjëje dhe të respektojmë shtetin dhe ligjet e vendit këtu. Dhe të studiojmë sa më shumë sepse vetëm kështu mund të përparojmë në këtë vend ku jetojmë dhe vetëm kështu mund të bëhemi ambasadorë të mirë për vendin nga vijmë”
Tanimë në karrierën e tij shënohen tituj filmash të metrazheve të ndryshme, ku zakonisht atij i është dhënë roli kryesor, si “Besa”, “Krimet e një babai”, “Kjo jetë”, “Varësja”, “Busulla”, “To be or not to be”, “Jewel of the Balcans”, etj, që kanë themelosur emrin e tij në botën e aktrimit