Skandali në Durrës, thellohen shkeljet pranë zbulimeve arkeologjike

Mbrëmjen e djeshme dhe të sotme, gjatë punimeve për ndërtimin e sheshit “Veliera” në qytetin e Durrësit, është mbushur me beton rruga përbri dhe lart gjetjeve arkeologjike.

Në vendimin e Gjykatës Administrative Durrës (bashkëlidhur në fund), argumentohet se nuk duhet mbuluar me beton pjesa e shtuar me (gurë) çakull, përbri “Torrës Veneciane”, por siç raportoi Amfora.al, më datë 20 shkurt, firma që po zbaton projektin derdhi beton në rrugën që kalon përbri “Torrës Veneciane”. Këtu është mbuluar edhe një fragment i murit rrethues të qytetit, që është në “mëshirën” e betonit.

Ndërkohë, këto dy net, pas protestës së katërt të qytetarëve të Durrësit për ndërprerjen e punimeve, është shtruar me beton rruga pranë gjetjeve arkeologjike.

Betoni i hedhur mbulon vijimin nëntokë të mureve të zbuluara, duke mos lejuar gërmimin direkt për zbulimin e godinës disashekullore.

Megjithëse vendimi i Gjykatës Administrative i ndalon punimet në këtë pjesë të sheshit, ato kanë vijuar, duke shkelur kështu edhe sigurinë teknike, me mungesën e ndriçimit dhe punën gjatë orëve të mbrëmjes.

Sa ligje janë shkelur?

  1. Vendim i Gjykatës Administrative Durrës, për pezullimin e punimeve në zonat e sipërpërmendura;
  2. VKM-ja e vitit 2011, “Për administrimin e zonës arkeologjike A dhe B në qytetin e Durrësit”, që nuk lejon ndërtimet në zonën arkeologjike A;
  3. Ligji Nr. 9048, i vitit 2003, “Për trashëgiminë kulturore” që ndalon vazhdimin e punimeve pas gjetjes së gjurmëve apo objekteve me vlerë arkeologjike dhe etnografike;
  4. VKM Nr. 172, datë 02.06.1961 “Për nëntokën e Durrësit”, që Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë Durrës e ka shkelur, me dhënien leje për të ndërtuar në këtë zonë arkeologjike A dhe të njohur për nëntokën e pasur me objekte arkeologjike.

Zyra e Përmbarimit Durrës

Më datë 24 shkurt, Zyra e Përmbarimit Durrës (që ndodhet përballë sheshit ku po kryhen punimet) ka nxjerrë një urdhër (bashkëlidhur në fund), që detyron Bashkinë Durrës të ndërpresë punimet në vendin ku janë gjetur zbulimet arkeologjike (sesioni i pallatit)”.

Urdhri ka afat lënie kohë ndaj bashkisë 5 ditë e ndërkohë që kanë kaluar 4 ditë nga lëshimi i tij, punimet dhe pompat e betonit nuk kanë ndalur së punuari edhe përgjatë orëve të mbrëmjes.

Çfarë thonë arkeologët?

Drejtuesit e sondazheve arkeologjike thanë se nuk parashikohen gërmime arkeologjike në këtë fazë (në pjesën e shtruar me beton), por nëse më vonë do të vendoset për të gërmuar, nuk është pengesë betoni”.

Por megjithëse betoni është shtruar mbi vazhdimin nëntokësor të mureve të zbuluara kjo rrugë mendohet të shërbejë provizorisht për kalimin e automjeteve ndërkohë që do të hapet tuneli nëntokësor për kalimin e tyre e më vonë kjo rrugë do të shërbejë për kalimin e këmbësorëve. Duke sjellë kështu rrezikun e dëmtimit të objekteve arkeologjike nga pesha e automjeteve, pasi ato gjenden pak centimetra nëntokë.