S’ka marrëveshje me Eurogrupin, Greqia refuzon ofertën e shpëtimit të BE

Greqia ka refuzuar ofertën e shpëtimit të Bashkimit Europian duke e quajtur absurde dhe të papranueshme. Edhe në raundin e dytë të bisedimeve të mbajtur në Bruksel, mes ministrave të financave të Greqisë dhe vendeve të tjera të BE-së nuk u ra dakord mbi zgjatjen e programin e shpëtimit.

Minsitri grek i financave, Janis Varufakis, publikoi në rrjetet sociale draft-propozimin e eurogrupit me korrigjimet e tij pikërisht në pjesën ku kërkohej zgjatje e programit ekzistues për disa muaj, deri sa të arrihej një marrëveshje tjetër mes palëve.

Dukshëm i zhgënjyer me sjelljen e kolegut të tij, shefi i Eurogrupit, Jerun Dajselblum, tha se Greqia tani ka vetëm një javë kohë për të kërkuar zyrtarisht shtyrjen e programit ekzistues, i cili është mjaft fleksibël.

“Tani hapin e radhës duhet ta ndërmarrin grekët. Ata duhet të vendosin nëse do të kërkojnë shtyrje të programit ekzistues. Kemi kohë edhe një javë, por vetëm kaq. Nëse vjen kërkesa, do ta shohim, do të analizohet nga institucionet dhe më pas do të vendosim për një takim tjetër të premten”, u shpreh Dajselblum.

Trojka kërkon që të mos ndryshohet programi i shpëtimit prej 240 miliardë eurosh, i cili përfundon në 28 shkurt, pa të cilin Greqia do të mbetet me arka bosh. Ndërsa Greqia kërkon një program të përkohëshëm tërësisht të ndryshëm, me borxhe afatshkurtra që do të furnizojnë me fonde buxhetin e shtetit për disa muaj.