Shqiptari që flet 7 gjuhë: Sa vështirë të luash kundër atdheut

Ai është një nga lojtarët më të mirë të ekipit të Leverkusenit në Gjermani dhe pretendent për një titull me ekipin e tij.

Admir Mehmedi, 24 vjeç, në një intervistë për gazetën Bild, thotë se ata synojnë të marrin një titull që këtë vit.

“Pse jo? Duhet të jemi më sulmues. Kupa është ëndrra jonë e madhe. Janë akoma dy ndeshje deri në Berlin. Kemi një shans të madh kundër Bremenit”.

Pas Berlinit vjen Europiani, ku Mehmedi do luajë kundër “shqiptarëve të tij”, shkruan Bild.

“Unë jam shqiptar nga Maqedonia, një nga gjashtë lojtarët me origjinë shqiptare në kombëtaren zvicerane. Të gjithë donim të shmangnim Shqipërinë gjatë shortit. Do jetë shumë e vështirë të luash kundër atdheut tënd”.

Por në Francë nuk do ketë asnjë problem me gjuhët.

Mehmedi flet shtatë gjuhë të huaja.

Si ka mundësi?

Mehmedi qesh: “Duhet të falenderoj prindërit e mi, që janë zhvendosur shumë. Kur isha dy vjeç, erdhëm në pjesën italiane të Zvicrës. Nëse do punoja si përkthyes pas karrierës në sport, nuk do ishte problem për mua”.