Shqiptarët të pambrojtur nga abuzimet me karburantet

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka faktuar atë çfarë flitet prej vitesh tashmë në Shqipëri. Institucionet shtetërore janë të paafta për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet me cilësinë e kaburanteve.

Konkluzioni vjen nga një auditim i bërë nga viti 2011 deri në qershor të vitit 2015 në Inspektoratin Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), institucioni shtetëror që është i ngarkuar me ligj për të garantuar cilësinë e kraburanteve.

Por ja çfarë vëren KLSH mbi punën e këtij inspektorati: “Mbrojtja e konsumatorit shqiptar në drejtim të furnizimit me naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre me cilësi brenda standardeve nga inspektorati Shtetëror Teknik industrial (ISHTI) është e mangët, për shkak të kuadrit rregullator të pashkërenduar dhe harmonuzuar mirë për funksionimin e këtij institucioni; të burimeve njerëzore të patrajnuara, të patestuar, të pakualifikuara dhe të keqmenaxhuara”.

ISHMI apo ish IQT, i vënë shpeshherë në qendër të akuzave ka reaguar duke thënë se ka kryer kontrolle të vazhdueshme. Por sipas KLSH këto kontrolle kryhen nga punonjës jo profesionistë, për pasojë të paaftë për të zbuluar abuzimet.

Nga viti 2011 deri në vitin 2014, sipas KLSH, janë tregtuar në këto kushte në vendin tonë 859 765 ton naftë dhë në vitin 2014 janë përpunuar në dy rafineritë brenda vendit 300 000 ton naftë. KLSH i kërkon këtij Inspektorati të marrë masa të menjëhershme dhe të përgatisë një strategji afatmesme për uljen e numrit të pikave të karburanteve, me qëllim që të rritet kontrolli.

Për cilësinë e karburanteve konsumatorët dhe disa shoqata në mbrojtje të tyre kanë patur vazhdimisht ankesa. Kësaj situate, sipas prokurorisë shqiptare iu shtuan vitin e kaluar edhe shitja e 4.4 milion litrave naftë e papërpunuar nga biznesmeni Ardian Xhillari, i shpallur në kërkim.

Por dyshimet janë se edhe kompani të tjera kanë vepruar në këtë mënyrë, duke tregtuar në vend naftë të papërpunuar, e për pasojë me cilësi të dobët.

Fakti se në vend janë tregtuar nëpër pikat e kraburantit 4.4 mijë litra naftë e papëpunuar është një tjetër tregues i paaftësisë së ISHTI –t për të kontrolluar tregun.

Kryeministri Rama lajmëroi vitin e shkuar nisjen e një operacioni të gjerë kundër abuzimeve në tregun e karburanteve, të ngjashëm me atë kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Por për këtë operacion nuk është folur më prej muajsh dhe tregu vazhdon të jetë i njëjtë.