Shqiptarët e burgosur në Greqi, kërkojnë ndihmë

Një i dënuar shqiptar në burgun e Malandrinos denoncon në A1 Report dhunën fizike dhe psikologjike që ushtrohet nga gardianët grekë ndaj të burgosurve shqiptarë.

I dënuari Krenar Kureta ka kontaktuar përmes telefonit me A1 Report duke bërë publike hyrjen në grevë të të burgosurve shqiptarë për trajtimet dhe kushtet çnjerëzore që ata hasin në burgun e Malandrinos, ndërkohë që shton se u është bërë presion nga ana e gardianëve për të dalë nga greva e urisë.

Në lidhjen e telefonike Kureta bën të ditur se thuajse në të gjitha burgjet e Greqisë ka probleme me shqiptarët, për ta nuk ka mjekë, kushtet janë çnjerëzore dhe se qëndrojnë disa persona në një qeli.

Kureta, i dënuar me burgim të përjetshëm për trafik narkotikësh në Greqi shprehet se nuk lejohen të takojnë të afërmit apo të dalin nga burgu me leje. “Autoritetet greke nuk i përfillin të drejtat dhe kërkesat tona.”- shprehet Kureta.

Më tej ai bën të ditur se përpara se t’i drejtohej për ndihmë redaksisë së A1 Report ka tentuar të kontaktojë me Ministrinë edhe me Avokatin e Popullit, por askush nuk i është përgjigjur.