Shqipja gjuhë zyrtare në të gjithë Maqedoninë nëse opozita vjen në pushtet

Udhëheqësi i partisë opozitare socialdemokrate në Maqedoni, Zoran Zaev ka paralajmëruar se do të vendosë me ligj në gjithë territorin e Maqedonisë gjuhen shqipe si gjuhë të dytë zyrtare, nëse partia e tij vjen në pushtet.

Zaev deklaroi për televizionin vendas Nova se as në lokalitetet ku shumica e popullsisë është maqedonase, qytetarët nuk humbasin asgjë nga dygjuhësia.

“Tani ka ardhur koha të përcaktojmë se çfarë shteti do të ndërtojmë në të ardhmen”, tha ai.

Zaev pret që të marrë vota edhe nga popullata shqiptare, pa marrë parasysh nëse do të ketë koalicion me ndonjë parti politike shqiptare ose jo.

Madje, sipas tij, Lidhja Socialdemokrate ka pritshmëri që të fitojë më shumë vota se ndonjë parti shqiptare.

Deklarata e tij për dygjuhësinë ngjalli reagime nga elementë nacionalistë të cilët kundërshtuan idenë duke thënë se dygjuhësia do të thotë edhe dykombësi.

Gjithë këto vite, as Marrëveshja e Ohrit dhe as pakte të tjera nuk janë respektuar kurrë plotësisht duke bërë që shqipja të mos jetë gjuhë e dytë zyrtare në të gjithë vendin edhe pse shqiptarët përbëjnë të paktën 25 deri 40 për qind të popullsisë së Maqedonisë.