Shqipëria në Euro 2016, votim për sloganin e autobusit

Siç është tashmë traditë në çdo eveniment madhor, gjatë përfaqësimit të tyre edhe në Euro 2016, Kombëtaret pjesëmarrëse do të kenë autobusë të personalizuar, për lëvizjet në stërvitje, hotele apo në stadiumet ku do të luajnë.

Dhe për ta ruajtur këtë ligj të pashkruar, UEFA publikoi edhe hapjen e konkursit për sloganët që do të vendosen në mjetin me të cilin do të transportohet secila skuadër.

Këtu hyjnë në lojë tifozët shqiptarë, që në hapësirën dedikuar Kampionatit Europian në faqen e UEFA-s, në seksionin “Fan Zone”, mund të regjistrojnë sloganin me të cilin mendojnë se Kombëtarja duhet të përfaqësohet në evenimentin në Francë.

Një slogan që mund të jetë ” Një Komb, një Kombëtare”, si ai që përdoret gjërësisht nga tifozët në stadiume. Për të krijuar një ide, në Europinain 2012 në autobusin e Spanjës shkruhej “Një motiv për të jetuar, një arsye për të ëndërruar. Rroftë Spanja”.

Italia përdorte sloganin “Ta ngjyrosim Europën të kaltër”, ndërsa Holanda thirrjen: “11 luanë, miliona tifozë. Së bashku jemi të fortë”.

Votimi për sloganin ku të gjithë tifozët e Shqipërisë mund të marrin pjesë me një regjistrim të thjesht ka nisur prej datës 11 Dhjetor. Më 18 Prill 2016 do të përzgjidhet edhe lista e shkurtër me pesë finalistë, ndërsa slogani fituesi që do të shoqërojë Kombëtaren kuqezi kudo në aventurën në Francë do të bëhet publik më 2 Maj 2016.