Shqipëria ekspozitë në Gjermani, Kumbaro: Arti lidh shqiptarët dhe gjermanët |FOTO

Shqipëria prezantoi për herë të parë ekspozitën e pikturës dhe vizatimit në mjediset e Parlamentit të landit të NRW-së. Pjesë e kësaj ekspozite ishin dëshmi të historisë dhe të artit bashkëkohor shqiptar, me 43 punë të plota. Në këtë organizim merrnin pjesë personalitete të larta të politikës dhe kulturës, Presidentja e Parlamentit të Landit të NRW-së, Carina Godecke, kryeparlamentari Ilir Meta dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Godecke u shpreh se Shqipëria për shumë gjermanë “është një vend bosh në hartë”. “Edhe pse marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë në partneritet të ngushtë, ka ende shumë vend për përmirësim. Kështu, mund të ndërtojmë ura bashkëpunimi në kulturë”, tha presidentja.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se, gjuha e artit dhe kulturës është gjuha që lidh shqiptarët dhe gjermanët. Ndërsa iu përgjigj presidentes Godecke duke thënë: “Ne kemi ardhur për të mbushur këtë vend të bardhë me ngjyra të ndritshme. Njolla e bardhë e moskuptimit mes kulturash na bën më shumë të angazhuar, të punojmë për kulturën dhe ta promovojmë këtu, në zemër të Evropës. Besojmë se ngjarje të tilla do të marrin udhë pas angazhimit kulturor të firmosur mes dy qeverive, një ditë më parë në Berlin”. Kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se për të ishte një kënaqësi dhe privilegj që me rastin festës kombëtare shqiptare te gjendej i ftuar në Parlamentin e landit të NRW.

Ekspozita me rastin e festës kombëtare shqiptare ishte pjesë e aktiviteteve të organizuara në këtë land, nën moton “Nëntori shqiptar në landin e NRW”. Kjo ekspozitë titullohet: “Shqipëria përmes syve të brezit të artistëve 1912 – 2015” dhe do të qëndrojë e hapur deri më 4 dhjetor. Pjesë e këtij organizimi ishin edhe ministri i Diasporës së Kosovës, Valon Murati, ambasadori shqiptar në RFGJ, Artur Kuko, konsullja e Nderit, Anduena Stephan, artistë dhe të ftuar të tjerë.