Shpellari zbulon ndjenjat në Eksperimental

“Mbroni shpellarin” është monokomedia që vjen premierë sonte në mbrëmje, vënë në skenë nga Inis Gjoni, nën interpretimin e Romir Zallës. Kjo shfaqje, të cilën regjisorja e ka parë si terapi në çift, synon të sheshojë keqkuptimet mes meshkujve dhe femrave

Përse meshkujt, ndryshe nga femrat, nuk kanë ndjenja? Është ky një nga keqkuptimet mes dy gjinive që monokomedia “Mbroni shpellarin” , e cila vjen premierë më 17 dhjetor në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, kërkon ta qartësojë .

Meshkujt në fakt kanë ndjenja, porse ndryshe nga femrat, kanë mënyrën e tyre për t’i vënë në pah…

Këtë do të përpiqet të përcjellë aktori Romir Zalla në shfaqjen prej 1 orë e dhjetë minuta, nga bisedat e përditshme me miqtë e deri te bisedat e shtratit. Gjithçka vjen si përpjekje për të zgjidhur luftën e vazhdueshme mes gjinive.

Gjatë këtij monologu të mprehtë të shkruar nga komediani amerikan, Rob Becker, del se në fakt meshkujt kanë ndjenja, por i shprehin në mënyra ndryshme. Vepra në plan të parë trajton “vuajtjet e meshkujve” të kohëve moderne, të cilët çdo ditë e më shumë po dominohen nga femrat dhe ankesat e tyre, të cilat mendojnë se meshkujt në ndryshim prej tyre s’kanë ndjenja, duke i bërë këta të fundit të ndihen “seks i dobët”. Ndryshimi mes burri dhe gruas është i vogël por bën diferencë të madhe, burrat që priren të jenë gjahtarë në të gjitha aspektet e jetës, ndërsa femra moderne, ashtu si edhe parahistorikja, vazhdon të kërkojë siguri.

U deshën të vinin vitet ‘ 90, që meshkujt të kuptonin se ndryshimi i femrës dhe kërkesave të saj ishte faktik dhe i pakthyeshëm.

Meshkujt dhe femrat janë të ndërtuar psikologjikisht ndryshe e për të bashkëjetuar duhet gjetur rruga e mesme.

Këtë vepër, regjisorja Inis Gjoni e sheh si një terapi në çift, madje më e efektshme sesa seancat e këshillimit. Kjo vepër në çdo koncept trajton klishenë, rrëmujën dhe lidhjen moderne. Nuk fajëson askënd, porse analizon dhe reflektimin ia lë publikut.

Regjisorja Inis Gjoni ka rrëfyer se është njohur me këtë pjesë për teatër dy vite më parë, ndërsa pas një viti e gjysmë mungesë ajo i rikthehet teatrit, kohë që ajo thotë se e ka kaluar në kërkim të veprës së duhur.

Kur autori Becker vendosi të krijojë këtë vepër, kishte studiuar më parë tri vite antropologji, mitologji, biologji e psikologji. Për herë të parë “Mbroni shpellarin” është vënë në skenë në ’91 dhe ka qenë shfaqja që është dhënë më shumë në historinë e Brodueit. Vetë autori e ka luajtur 700 herë me radhë, ndërsa më vonë është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Në shqip është përkthyer enkas për vënien në skenë nga Artur Lena. Kjo vepër është vënë më parë nga regjisori Spiro Duni.

Do të jetë një shfaqje, për të cilën regjisorja thotë se mund të qeshësh e të qash njëherazi. Gjuha që autori ka zgjedhur është arma e fundit që burrat kanë ndaj lëvizjeve feministe.

Komedia sjell këndvështrimin mashkullor dhe rreziqet e të qenit mashkull, burrë dhe bashkëshort në ditët e sotme dhe shihet si një thirrje mashkullore për bashkëpunim dhe mirëkuptim dhe si një mjet për të shpëtuar martesat në ditët e sotme. Shfaqja do të jetë në skenën e Teatrit Eksperimental deri më 20 dhjetor.