Shorti i Euro 2016, kështu funksionon

Të shtunën në orën 18:00 do të hidhet shorti për Euro 2016, që do të startojë më 10 Qershori në Francë. Kampionati Europian do të marrë formë në Paris. Një formulë e gjitha e re drejt finales së 10 Korrikut në Stade de France të kryeqytetit francez.

Në fakt, në këtë edicion është kaluar nga formula me 16 skuadra me 24 vende pjesëmarrëse, me fituesen e turneut që fiton të drejtën të marrë pjesë në Kupën e Konfederatave.

Shorti me 23 përfaqësueset e kualifikuara, të cilave u shtohet edhe Franca si vend organizator do të funksionojë me ndarjen në katër vazo, në bazë të koeficientit të UEFA-s. Prej aty do të formohen gjashtë grupet me nga 4 skuadra.

Franca pozicionohet automatikisht në grupin A, ndërsa pesë skuadrat e tjera që cilësohen koka serie janë Spanja kampione në fuqi, Gjermania kampione e botës, Anglia e vetmja që i fitoi të gjitha ndeshjet kualifikuese, Portugalia e Cristiano Ronaldos dhe Belgjika, kryesuese në renditjen e FIFA-s. Në short këto pesë skuadra do të shpërndahen nga grupi B deri në F.

Me të njëjtin mekanizëm do të përcaktohen edhe grupet e skuadrave që ndodhen në vazon e katërt, ku debutues të tjerë historikë përveç Shqipërisë janë edhe Uellsi, Irlanda e Veriut, Islanda dhe Sllovakia. Në këtë vazo janë edhe Turqia dhe Republika e Irlandës.

Më pas, gjatë shortit do të përcaktohen grupet e skuadrave të vazos së tretë, të cilat janë Republika Çeke, Suedia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Hungaria.

Të fundit që do të hidhen në short janë skuadrat e vazos së dytë, ku kundërshtari më i rrezikshëm është Italia, por rivalët e tjerë janë me peshë në kontinent: nisur nga Rusia dhe Zvicra, për të vijuar me Austrinë, Kroacinë dhe Ukrainën.

Megjithë rritjen e numrit të finalisteve në Europian, jashtë turneut janë emra si Holanda, Bosnja dhe Danimarka, e eliminuar nga kuqezinjtë e De Biasit.

Zgjerimi në Euro 2016 bën që përveç dy të parave në grupe të kualifikohen edhe katër të tretat më të mira. Kjo bën që kalimi i grupeve të duket më i arritshëm, me të gjitha skuadrat “big” që kanë shanse të mira të jenë në fazën e 1/8-ave të turneut.