Shkupi ri-zgjoi diasporën shqiptare

The Albanian

Me dhjetëra protesta janë paralajmëruar të zhvillohen këtë fundjave nga Çikago, New York  Londër, Bruksel Vjenë, Berlin e deri ne vendet skandinave apo Turqi.

Ky rizgjim i diasporës vjen pas protestave të shqiptarëve të Maqedonisë dhe duhet theksuar se që prej para luftës së Kosovës nuk është parë një organizim i tillë.

Solidarizimi me shqiptarët e Shkupit është njëra prej pikave që i bashkon mërgimtarët shqiptarë, por këto protesta po duken edhe si ri-kujtesë sidomos për klasën politike shqiptare në Ballkan, se Diaspora vazhdon të jetë, të ekzistojë, të gjallojë, duke dëgjuar në çdo moment “zanin e nanës”.

Këto protesta janë një ri-kujtesë se mërgata shqiptare nuk është e përfaqësuar, madje  shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë akoma nuk u është e njohur e drejta e votës, e madje asnjë “gjysëm haberi” nuk ka për ta në këtë drejtim, përveç rasteve kur del ndonjë lajm i shpejtë se diaspora e paska rrudhur edhe më shumë qesen, që paskan humbur disa miliona të parashikuara për diasporën nga një Ministri në Kosovë e të tjera si këto.

Sot asnjëra nga shtetet shqiptare nuk ka një statistikë të saktë mbi numrin e shqiptarëve në diasporë, ndonëse qeveria e re e Tiranës nuk e ka parë të arsyeshme ngritjen e një Ministrie për Diasporën siç e ka Kosova, maje nuk dihet nëse ka ndonjë institucion apo qoftë zyrë të shtetit shqiptar (desk)  që të merret me  këtë punë. Kryeministri Rama në të vërtetë ka premtuar të drejtën e votës së mërgimtarëve shqiptarë, por duket se akoma nuk është kujtuar për ta, (edhe në takimin e fundit me ambasadorët në Tiranë diaspora aq më tepër e drejta e votës, thuajse nuk u përmend). Çuditërisht për këtë nuk u kujtua as ish-krye-mjaft-isti Veliaj që atëbotë reklamonte pa ndërprerë planin e tij për votimin e diasporës dhe sot ka postin e Ministrit të Rinisë.

Nga ana tjetër tek diaspora nuk shihet ndonjë përçapje apo angazhim, edhe pas dështimit të ca iniciativave me peticione online për të drejtën e votës, apo pas humbjes së madhe të kuqezinjve në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

Por edhe tek shqiptarët e Kosovës apo Maqedonisë duket një shpërfillje totale e të drejtës së votës për zgjedhjet atje, pasi ata nuk kishin një kandidat të tyrin për të cilin të votonin apo vendet e rezervuara në parlament.

Gjithsesi duket se Shkupi e ri-zgjoi diasporën nga kjo përgjumje dhe shpresohet se ky nuk do të jetë rizgjim i përkohshëm, por organizimi dhe angazhimi i tyre, do të mbërrijë deri në “parlamentet” shqiptare dhe diaspora do të ketë  përfundimisht përfaqësuesit e tyre.  thealbanian.co.uk