Shkodranët njohin paraardhësit, Fototeka “Marubi”, 500 mijë negativë në proçesin e dixhitalizimit

Shkodranët dhe jo vetëm, zbulojnë historinë dhe nostalgjinë në fototekën “Marubi”. Lançimi dixhital i 100 mijë fotografitë e para u kanë shfaqur historinë e të parëve, familjeve të njohura shkodrane, dokumentuar përmes aparatit fotografik.

Ata që formësuan këtë website tregojnë të veçantat, por edhe vështirësitë e një pune që ka mbyllur vetëm fazën e parë.Brenda muajit shkurt 2016, kësaj faqeje do t’i shtohen edhe 60 mijë fotografi të reja. Kjo pasuri kombëtare numëron 500 mijë negativë të cilët janë futur në procesin e dixhitalizimit.

Fototeka kombëtare “Marubi” e cila jeton pazgjidhshmërisht me Shkodrën prej vitit 1856 lançoi në tetorin e 2015-s projektin e muzeut virtual me fotografi dixhitale që mund të shikohen përmes internetit. Projekti vlerësohet si një kontribut i çmuar në memorien e kombit.

Për herë të parë iu dha mundësi publikut që përmes një klikimi të thjeshtë në internet të gërmonte për të gjetur rrënjët e të parëve, në 40 mijë fotografitë e para të publikuara, nga 100 mijë që parashikon projekti në fazën e parë të tij.

Emocione dhe kujtime për të afërmit e larguar nga kjo jetë përfshinë pasardhësit e familjeve që ishin fotografuar në studiot e Marubit.
Sipas Drejtorit të Fototekës Marubi, Luçiano Bedeni, me arkivimin, katalogimin dhe dixhitalizimin e arkivit fotografik të kësaj pasurie kombëtare Shkodra dhe Shqipëria u pasurua me një prezantim fisnik.
Kureshtja për fotot e paraardhësve prej gjysmës së dytë të shekullit të XIX dhe fillim shekulli i XX pushtoi rrjetet sociale, të cilat u mbushën me fotografi të shkrepura nga aparati i dinastisë “Marubi”.
Regjisori Gjovalin Stefa, ndërsa shfleton albumin e vjetër me foto të familjes të bëra nga “Marubi”, shpjegon dhe lidhjet që ka patur me pinjollët e fotografisë.
Janë foto të bëra shumë vite më parë, në natyrë apo në studio, unike për kohën.
Në familjen e Gjorgj Kacarozit dhe aktores Rita Gjeka emocionet nga projekti “Marubi Virtual”, ndërthuren në harmoni me shpalosjen në tabletet e kohës moderne.
Janë foto të nënës, babait, apo nga ngjarje të shënuara të familjes që i kanë rikthyer nostalgjinë përmes kujtimeve.
Ndonëse shumë foto humbën gjatë internimit të familjes Kacarozi nga regjimi komunist, disa kanë mundur t’i shpëtojnë kohës.
Sistemi dixhital ua ka rikthyer në duar, ato portrete që dikur ua zhdukën pa të drejtë.
Në banesën mbi 200 vjeçare shkodrane të Engjëll Çekës janë ruajtur falë albumeve të Marubit, shumë foto të pjestarëve të kësaj familje patriote.

Kryefamiljari rrëfen se mes portreteve të të parëve, ka gjetur të publikuar në websajtin e fototekës edhe një violinë të Stradivarit që ata e përdornin në gëzime familjare.

Por ajo që i gëzon edhe më shumë këto familje të vjetra të Shkodres është fakti se përveçse fotografitë mund t’i shohin, në një të ardhme të afërt edhe mund t’i blejnë, si një vlerë që historike-kulturore për t’ua përcjellë brezave.

Për Fototekën Marubi, viti 2016 pritet të sjellë të tjera surpriza.
Muzeu i rrallë i Marubit pritet të inagurohet në 3 mujorin e parë të vitit të ri.
Janë plot 157 vite histori të qytetit dhe jo vetëm, që gjatë vitit 2016 do të prezantohen përmes gjysëm milioni lastra dhe negativësh.