Shiu rrit nivelin e hidrocentraleve, por ai i Fierzës mbetet i mbyllur

Shtimi i ndjeshëm i reshjeve në orët e fundit po jep ndikimin e tij pozitiv në rritjen e rezervës energjetikës në kaskadën e Drinit.

Korporata Eelektroenergjetike Shqiptare (KESH) në një komunikatë për media bën me dije se po e shfrytëzon këtë situatë, duke i trajtuar prurjet nëpërmjet ngarkimit maksimal të mundshëm të agregateve të veta dhe njëkohësisht duke ulur me rreth 75 për qind importin e energjisë elektrike të kontraktuar për periudhën 2-15 janar 2016, për ta rimarrë në një kohë të përshtatshme gjatë javëve në vijim. Sipas KESH-it, shtyrja në kohë e importit të energjisë nuk do të sjellë kosto.

“Në kushtet aktuale me prurje të mëdha dhe pas reduktimit të importit, KESH-i po prodhon (me kapacitetet gjeneruese të hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës) për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë vendas dhe njëkohësisht për të optimizuar bilancin energjetik mes KESH-it dhe KEK-ut në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të shkëmbimit. Me përjashtim të rasteve kur sistemi do të ketë nevojë për më shumë energji, hidrocentrali i Fierzës do të mbahet i ndalur me qëllim grumbullimin e rezervës ujore dhe lehtësimin e veprimeve operacionale për menaxhimin e situatës në dy HEC-et e tjerë”, sqaron KESH-i.

Përveç administrimit të riskut hidrologjik në kaskadën e Drinit, KESH-i po administron dhe rrezikun hidrologjik që vjen nga HEC-et e vegjël, private dhe koncesionarë, të cilët kanë katërfishuar kapacitetin e prodhimit të energjisë brenda 24 orësh (nga 50 MW në mbi 200 MW).

Sipas të dhënave zyrtare të Sektorit te operimit dhe monitorimit te kaskadës, në orën 13:00 niveli i hidrocentralit të Fierzës ishte 277.89 metra (1.4 metra më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet janë rreth 1800 m3/sec (nga rreth 130 m3/sec 24 orë më parë). Në Koman, niveli ishte 173.35 metra (1.8 metra më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet anësore janë rreth 600 m3/sec (nga rreth 120 m3/sec 24 orë më parë). Ndërkohë në Vaun e Dejës niveli ishte 75.02 metra (0.2 metra  më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet anësore rreth 440 m3/sec (nga rreth 270 m3/sec 24 orë më parë).