Shitet për 28 milionë dollarë Ferrari 290

Një makina Ferrari e vitit 1956, e drejtuar nga kampioni i Botës në Formula 1, Juan Manuel Fangio, është shitur në ankandin e zhvilluar në RM Sotheby për një vlerë prej 28 milionë dollarësh.

Në këtë ankand, përveç Ferrarit 290 MM, dolën në shitje edhe makina Porsche e Janis Joplin dhe Pontiac që i përkiste Roy Rogers.

Në fakt, Ferrari 290 MM është një model i rrallë, pasi “Kokëkuqja” italiane prodhoi vetëm 4 të tilla. Me këtë automjet, në vitin 1956 Eugenio Castellotti garoi në garën Mille Miglia, ku ai doli edhe fitues, ndërkohë që Fangio u rendit në vendin e tretë. Një vit më vonë, në 1957, Castelotti po me këtë makinë fitoi garën Buenos Aires 1000 km, i ndjekur nga Luigi Musso dhe Masten Gregory, transmeton T.CH.

Makina Ferrari 290 MM, përpara se të dilte në ankand, ka qenë prej 34 vitesh pjesë e koleksionit të Pierre Bardinon. Sipas drejtuesve të RM Sotheby, pronari i ri i kësaj makine është një koleksionist evropian.