Shitësit me pakicë: Festat e varfra, bien ndjeshëm shitjet

Në atmosferën e festave të fundvitit, ku pjesa më e madhe e njerëzve bëjnë gati dhuratat dhe ushqimet, për dreka dhe darkat, që vetëm shqiptarët ofrojnë, shitësit me pakicë në kryeqytet “ankohen” për rënie të ndjeshme të blerjeve.

Shitësit pranë tregut të njohur me emrin “Tregu Çam”, në kryeqytet tregojnë se, me afrimin e festave, u munduan të përzgjedhin artikuj festivë, ndër të cilat fustane dhe pelerina të kuqe, shalle, aksesorë të tjerë, por që kërkesa për blerje ka qenë shumë më e ulët se vite më parë.

Një shitëse prej më tepër se 5 viteve tregon për Monitor se fundjavën e Krishtlindjeve ka bërë më pak shitje se sa në një javë normale të vitit.

Ajo ia atribuon këtë ndryshim pamundësisë së shqiptarëve, ekonomisë së dobët të reflektuar gjatë gjithë vitit, përforcuar me kërkesën gjithnjë në rritje të të bërit ulje.

“Nuk mundemi të bëjmë ulje se fitimin e kemi aq të vogël, kemi rikthyer këtë vit edhe mallra të një viti më parë, nga pamundësia për të bërë furnizime të mëdha”– pohon ajo.

Një tjetër sektor që, sipas shitësve ka parë rënie të madhe të blerjeve është ai i lodrave për fëmijë.

Të shumtë ishin shitësit që tregonin për Monitor se, pavarësisht se u munduan të merrnin disa lloje lodrash për variacion, kërkesa për blerje ka qenë shumë e ulët dhe pjesa më e madhe e këtyre artikujve, kryesisht sezonale, po mbetet stok.

Sipas tyre, edhe kërkesat për artikuj të tillë si fishekzjarrë apo kapsolla ka rënë shumë.

Disa nga artikujt që kishin pasur shitje këtë vit, sipas vëzhgimit, ishin mbulesat e tavolinave festive (të kuqe, me drerë, babagjyshë etj) dhe ajo që bënte më tepër diferencë se një vit më parë, ishte mungesa e kërkesave për fustane të kuq (apo edhe aksesorë të tjerë të tillë).

Sakaq, dyqanet të konsideruara si “luksi” në rrugët kryesore tregtare si Myslym Shyri dëshmojnë sërish këtë rënie të fuqisë blerëse sipas tyre, krahasuar me një vit më parë ku përgjithësisht njerëzit blinin rroba apo aksesorë për festën e fundvitit, si dhe bënin dhurata për të dashurit e tyre.

Ndërsa shitësit në supermarketet më të mëdha në vend pohojnë se blerjet e ushqimeve po arrijnë pikun këto ditët e fundit, sidomos në raste ku ofrohen edhe promocione.

Megjithatë kur i referohen një artikulli që shitet për këto festa, si panetoni apo shportat me ëmbëlsira, ata tregojnë se ka pasur më pak blerje se një vit më parë, kur dhe furnizimi për to bëhej me më shumë artikuj.