Shell blen aksionet e Petromanas në Shpirag për 45 milionë dollarë

Burimi i naftës në Shpirag ka kushtuar sakaq dhjetëra milionë dollarë dhe deri tani nuk ka rezultat, por rezervuari ku pritet të shpohet një pus tjetër mund të ndryshojë panoramën e industrisë së naftës në Shqipëri.

Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë

Kompania Petromanas njoftoi dje se ka vendosur të shesë pjesën e saj të aksioneve të aseteve të saj në SHhqipëri te gjigandi ndërkombëtar i naftës Shell. Sipas kompanisë, të 25 për qind e aksioneve të saj u shitën për 45 milionë dollarë.

Transaksioni, megjithëse i parëndësishëm nga pikëpamja ekonomike për shqiptarët, sugjeron se Shell vijon ta konsiderojë zbulimin e Shpiragut si një aset të vlefshëm dhe me perspektivë të mirë.

Të njohur si Blloqet 2 dhe 3, Shpiragu dhe Molishti, këto dy blloqe të zbuluara fillimisht nga Oxidental Petroleum shumë vite më parë, supozohet se mbartin përkatësisht 233 dhe 142 milionë fuçi ekujvalente të naftës respektivish.

Lajmi për blerjen e aksioneve të Petromanas nga Shell u përshëndet dje edhe nga Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, i cili e konsideroi atë “lajm të mirë”.

Puse të thella

Shpiragu u shpua fillimisht në vitin 2001 nga Oxidental Petroleum dhe pusi arriti në thellësinë 5,200 metra, një thellësi shumë e madhe kjo duke pasur parasysh se burimet aktuale të naftës që shfrytëzohen në Shqipëri kanë thellësi relativisht të ulët ku shumica bie në brezin e 300-700 metrave thellësi dhe ku pusi më i thellë i hapur më parë arriti në rreth 3,700 metra.

Pusi i vitit 2001, jo vetëm që zbuloi një burim të ri nafte në Shqipëri, por ai u shpall edhe zbulimi i parë i naftës së lehtë.

Gjithsesi, pasi realizoi prodhim për test duke arritur në 400 deri në 1200 fuçi në ditë, (një fuçi është e barabartë me rreth 159 litra naftë), Oxidental vendosi ta braktisë zbulimin si pa leverdi. Në atë kohë, disa ekspertë shqiptarë besonin se pusi në fjalë, nëse do të hynte në prodhim, do të sillte rritje të konsiderueshme të prodhimit, i cili në atë kohë qe në minimumin historik që pati parë Shqipëria.

Vetëm në vitin 2012, kompania Petromanas arriti një marrëveshje me holandezen Shell dhe vendosi të shpojë një pus të dytë. Kostoja e shpimit të pusit Shpirag-2 u rrit për shkak të vështirësive të ndryshme të hasura gjatë shpimit, nga 31 milionë që e planifikuar në fillim, në 70 milionë.

Pusi arriti me vështirësi në thellësinë 5,553 metra dhe filloi testimin e prodhimit duke realizuar prodhim deri në 1,500-2,200 fuçi naftë në ditë. Sa për krahasim, Bankers Petroleum gjatë vitit të kaluar realizoi prodhim mesatar ditor prej 20 mijë fuçish. Pusi Shpirag-2 konfirmoi se në këtë basen gjendet naftë e lehtë, ndryshe nga nafta e Patos Marinzës, e cila është e rëndë.

Pavarësisht kësaj, pusi nuk shfrytëzohet për prodhim komercial, por kompania ka vendosur të shpojë një pus të tretë të quajtur Shpirag-4 dhe një të katërt, të quajtur Molisht-1. Shpirag-3 është planifikuar të jetë deri në 6,743 metra i thellë. Nëse del me sukses, ai mund të prodhojë deri në pesë mijë fuçi naftë në ditë, një rritje me 25 për qind nga prodhimi i Bankers Petroleum.

Shqipëria aktualisht takson naftën e nxjerrë nga nëntoka me rentë minerare në masën 10 për qind, ndërsa supozohet se pas rekuperimit të investimit, kompania koncesionare do të duhet të paguajë një normë tatim-fitimi në masën 50 për qind.

Një lidhje italiane?

Petromanas argumenton se burimi i Shpiragut ka ngjashmëri të madhe me disa burime nafte të zbuluara në fund të viteve 1980 në Italinë e Jugut dhe se kjo sugjeron se bëhet fjalë për një zbulim me “përmasa të mëdha”.

“Ngjashmëria nuk e rrit probabilitetin e suksesit në Shqipëri, por gjithsesi rrit përmasat potenciale të zbulimit,” sugjeron kompania në një prezantim për klientët e saj.

Në fund të viteve 1980, në Itali u zbuluan dy fusha nafte, Val d’Agri me madhësi të vlerësuar në 420 milionë fuçi naftë ekujvalente dhe Tempa Rossa me madhësi të vlerësuar 200 milionë fuçi.

Legjenda e lundrimit mbi naftë

Në kohën e komunizmit, një teori që qarkullonte mes inxhinjerëve të naftës thoshte se nafta e zbuluar aktualisht është një migrim i një burimi më të madh nafte që duhet të gjendet diku në thellësi. Që kur Shqipëria hapi dyert për kompanitë e huaja në fushën e kërkimit të naftës pas rënies së komunizmit, shumë kompani kanë shpenzuar disa qindramilionë dollarë në hapjen e puseve në pjesë të ndryshme të jugut të Shqipërisë si dhe në det.

Shumë shpesh, Shqipëria është bombarduar me lajme mbi mundësinë e ekzistencës së burimeve të stërmëdha të “zbuluara” por që në fakt rezultuan vetëm lajme spekulative.

Në vitin 2008, një Manas, njoftoi se sipas vlerësimeve të pavarura, në një basen mes Durrësit dhe Koplikut mund të gjenden deri në 3 miliardë fuçi naftë dhe 3 trilionë metra kub gaz. Në fakt, përveç njoftimit, naftë nuk kishte. Disa kompani të tjera ndërkombëtare janë larguar ndërkohë nga Shqipëria pasi shpimet e tyre nuk nxorrën rezultat.

Të vetmet burime nafte aktualisht në shfrytëzim, janë ato të zbuluara më parë.