Shaqiri: Nuk më emocionon Shqipëria

Xherdan Shaqiri ka hapur dyert e shtëpisë së tij për gazetarët e të përditshmes zvicerane Blick.

Mesfushori shqiptar Për herë të parë ka ftuar gazetarët e të përditshmes zvicerane, Blick, në shtëpinë e tij në rrethinat e Mançesterit në Angli ku ka folur për tema të ndryshme, edhe për ndeshjen me Shqipërinë në Euro 2016. “Nuk e doja shortin me Shqipërinë. Kryesisht për shkak se do kishte qenë më emocionuese nëse do luanim me një kundërshtar të ri. Me Shqipërinë e dimë se çfarë na pret”, ka thënë Shaqiri.

“Natyrisht se familja ime do të më përkrahi mua, por do jetë një ndeshje speciale për të gjithë. Megjithatë, unë distancohem pak nga kjo temë”, ka thënë ndër të tjera Shaqiri.

Shqiptaro-zvicerani i cili luan për ekipin e Stoke City, fiton 9.5 milionë franga bruto në vit, kontrata më e mirë që ka nënshkruar ndonjëherë një sportist zviceran, shkruan Blick.

Futbollisti i Stoke Cityt, qe ka thënë se ndihet mirë te Kombëtarja zvicerane dhe do të pensionohet aty, ka folur edhe për Shqipërinë, duke thënë se ata asnjëherë nuk u interesuan për të deri në momentin kur Zvicra insistoi që ai të luaj për kombëtaren e tyre.

“Jo, nuk do merrem me këtë. Ndjehem shumë mirë në kombëtaren zvicerane”, është përgjigjur shkurtimisht Shaqiri kur është pyetur nëse do të luaj për Kosovën pas prnaimit në FIFA.

“Kur isha me kombëtaren U-18 të Zvicrës, ata nuk më njihnin. Kur isha 18 vjeç, isha pjesë e kombëtares zvicerane. Vetëm atëherë kjo u bë temë diskutimi në Shqipëri”, ka thënë Shaqiri.

“Unë kam lindur në vitin 1991 në Kosovë. Babai im kishte kohë që punonte këtu në Zvicër në ndërtim. Në vitin 1992 arriti të na tërhiqte të gjithëve. Erdhëm në një shtëpi sharmante, e cila ngrohej akoma me dru. Mbaj mend se kur ishim fëmijë, nëse qëndronim shumë brenda, bëhej shumë nxehtë. Kohezioni i ngushtë i familjes sonë është i jashtëzakonshëm edhe sot. Kjo është arsyeja pse kam blerë dy banesa pranë njëra-tjetrës, për të qenë bashkë sa më shumë të jetë e mundur”, ka thënë ndër të tjera Shaqiri në këtë intervistë për Blick.