Samiti si dëshmi e përçmimit të diasporës

Petrit Kuçana

Rezulton mëse e mjaftueshme periudha katër mujore, qëkur u mbajt i ashtuquajturi samit i diasporës, për të hequr çdo mëdyshje tek secili pjesëmarrës se ishte thjesht një “show off” .

Krejt qesharake rezultojnë ftesat “miqësisht Edi Rama”, kur tashmë skeptikët e ndjejnë që nuk ishin as më shumë e as pak se “mbushës sallash” në një regji perfekte, si iluzion që përçonte mesazhin e madh për ndjeshmërinë e qeverisë shqiptarë,” për të zgjidhur” hallet e mërgimtarëve.

“Të përdorur” mund të ndjehet gjithsecili, qoftë edhe ithtarët apo përkrahësit e parezervë të kryeministrit, të cilët nuk shikojnë qoftë edhe ndonjë vendim-veprim sado populist, apo qoftë edhe elektoral që mund të prodhohej, si rrjedhojë e mbajtjes së atij samiti.

Befasia e shprehur e kryeministrit për pjesëmarrjen e gjerë, (mbi 1000 pjesëmarrës) duket se pas katër muajsh rezulton gati si një besëprerje.  Lajm-prodhuesit  për samitin “historik”, rezultojnë të shterpëzuar  megjithëse kryeministri Rama është përpjekur të ri-përsërisë “deklaratën” e huazuar nga një Parti në Kosovë, për pasjen e konsullatave të përbashkëta me Kosovën. Rezultat konkret nuk ka.  Gjithçka vazhdon në normalitetin e vet.

U premtua për zhvillim institucional, por nuk rezulton të ketë asnjë lajm për këtë, qoftë edhe përbashkimi i disa nëpunëse nga dikastere të ndryshme, se krijimi i Ministrisë së Diasporës vazhdon të mbetet “impossible mission”, për arsye që vetëm ata i dinë. Ekziston vetëm një faqe interneti por që çdonjëri që i hedh lehtësisht dallon se nuk ka asnjë përditësim. Samiti u bë, Rama bëri historinë, lajmi mori dhenë anë e mbanë globit dhe u kry.

Çdo “i interesuar” për ndonjë lajm nga ai samit, do të mjaftohet me faktin se ministra dhe zv/ministra bëjnë vizita gjithandej, siç kanë ardhur edhe në Londër, por vetëm diaspora mungon në agjendat e tyre.  Madje i anashkalojnë tërësisht emigrantët, duke ndjekur vijën e kryeministrit i cili ka qenë të paktën dhjetë herë në Londër, por që asnjëherë të vetme nuk denjoi t’i begenisë mërgimtarët, qoftë për të zhvilluar ndonjë bisedë me ta…(para apo pas samitit)

Emigrantët mund t’u sillnin shumë kokëdhimbje ministrave halleshumë dhe kohëpak, nëpër qendrat e metropoleve të ndryshme botërore. Mbase bën përjashtim Greqia, ku mërgimtarët e atjeshëm konsiderohen si prodhuese e drejtpërdrejt votash që mjaftohen “vënia në dispozicion të disa autobusëve kuptohet me bileta falas  (së paku).

Asnjë strategji nuk u lançua qoftë për përfshirjen e diasporës ekonomike, kuturore, institucionale dhe merret me mend se asnjë institucion nuk mban asnjë përgjegjësi, pasi shumë prej tyre kanë qenë thjesht bashkë-organizatorë sipas urdhrit të kryeministrit. As që bëhet fjalë për të drejtën e votës të premtuar “me zë dhe figurë” nga Kryeministri Rama kur ishte në opozitë, por që na rezultokan se qenkan të paregjistruar dhe për katër vite nuk paskërka qenë e mundur që të bëhet gjë, por që me patjetër në të ardhmen do të bëhet ndonjë gjë…

Sot e kësaj dite nuk dihet se sa u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë organizimi i këtij samiti, dhe megjithë kërkesat e shumta të dërguara nga ne, apo emigrantë të tjerë gjithçka vërtitet tek kakofonia e institucioneve të shumta që morën pjesë në organizmin, që nga kryeministria, disa ministri si dhe dikastere të shumta të pushtetit lokal. (Ndoshta duhet një institucion i tërë që të llogarisë qoftë edhe shpenzimet e këtij shpenzimi)

Rinasi si pikëbashkimi i të gjithë mërgimtarëve shqiptarë, vazhdon të mbetet me tarifat më të larta në rajon, natyrisht aeroporti i vetëm duke mos ndryshuar shabllonin thjeshtësisht të dhimbshëm se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka linja low cost. Duket e turpshme që Mali i Zi, që ka banorë sa gjysma e Tiranës ka dy aeroporte, dhe Aeroporti i Kukësit, Gjirokastrës, Vlorës  etj, mbeten thjesht tekste për  të plotësuar  ndonjë kronikë ku mund të flitet për turizëm.

E drejta e votës mbetet një premtim që do të përsëritet me patjetër, që në zgjedhjet e ardhshme, ku “nuk do të guxohet” të flitet shumë për të drejtën e përfaqësimit.

Asnjë fjalë për “përparësitë” e atyre mërgimtarëve që duan të investojnë më vendlindje, e atyre që duan të kthehen të japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës, por që janë thjesht të pamundur “në duelin” e luftës së bërrylave me ithtarët e partive të pushtetit, pavarësisht shkollave që kanë mbaruar apo CV-ve që disponojnë.

Asnjë fjalë për ndonjë projekt qoftë edhe për  “meritorët” që përfaqësojnë denjësisht vlerat më të mira shqiptare në botë, fitues çmimesh dhe medaljesh që bëjnë krenar çdo shqiptar.

Po ka një zhvillim; Shërbimi konsullor online që patjetër duhet përshëndetur si risi teknologjike, por të gjithë ata mërgimtarë që jetojnë në perëndim e shohin si krejt të natyrshme, që e kanë edhe ambasadavat e vendeve të treta, dhe që duket si “argument qesharak” për “përkujdesjen ndaj mërgimtarëve”.

Po çfarë po bëhet për përfshirjen e diasporës, lobingjet, afrimin e trurit, shfrytëzimin e potencialeve  të mërgimtarëve shqiptarë, që nga ata që ligjërojnë nëpër universitete e deri tek sipërmarrësit e suksesshëm etj etj?

Po rezulton që këto nuk mund t’i bëjnë ambasadat, që nuk janë në gjendje të shtojnë në agjendën e ministrave një takim formal ose jo me emigrantët…dhe që fatkeqësisht shërbimi diplomatik vazhdon të konsiderohet si “vend i mirë pune”, ndonëse përfituesit e këtyre vendeve të punës mbijetojnë me £20 në ditë, por që shkollojnë fëmijët e tyre…

Katër muaj pas samitit çdo përsiatje reflektimi për ata mërgimtarët që mbushën rrugët e Tiranës apo sallat e “show”-ve nën përkujdesjen e kryeministrit,  me çantat e kuqe të samitit, merr ngjyrimet e përçmimit.  E ata më kot mëtojnë të gjejnë ndonjë të re nga samiti, ku webi i samitit ka mbetur i ngrirë pa asnjë përditësim, apo faqja në facebook mbi samitin, nuk  është e denjë as sa “funpage” e ndonjë katundi të përhumbur të Shqipërisë…