Rusia i redukton gazin Serbisë, krizë në marrëdhënie

Serbia mund të përballet me një krizë të furnizimit me energji elektrike, kjo pasi partneri i saj më i madh ekonomik dhe politik, Rusia, ka vendosur t’i ulë me 28% furnizimet me gaz. Sipas mediave serbe, shkak për këtë vendim është bërë refuzimi i kryeministrit Aleksandar Vuçiç për shlyerjen e borxheve ndaj Rusisë.

Mësohet se gjatë vizitës në Beograd, presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar qeverisë serbe shlyerjen e një borxhi prej 200 milionë dollarësh deri në mars të vitit 2015, por kreu i ekzekutivit Vuçiç e ka kundërshtuar një kërkesë të tillë.

Vuçiçi e ka cilësuar të padrejtë dhe të pavend nga ana e kreut këtë ultimatum të shoqëruar me uljen e sasisë së gazit që vendi merr nga Rusia.

Sipas të përditshmes “Danas”, Serbia pritet të paraqesë notë proteste për uljen e furnizimit me gaz. Në muajin gusht, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti një grup pune për të shqyrtuar shitjen e Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS) kompanisë ruse “Gazprom Neft”. NIS u privatizua në dhjetor të vitit 2008, si pjesë e një pakete marrëveshjesh energjetike midis Serbisë dhe Rusisë, e cila u përfundua gjatë qeverisë së Koshtunicës.

Kjo mund të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, aq më shumë në një kohë kur perëndimi po i përsërit me ngul Beogradit që t’u bashkohet shteteve perëndimore që i vendosën sanksioneve ekonomike e politike Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe krizës së shkaktuar në Ukrainë.