Rusi, ekzekutohet lideri i opozitës

Politikani rus, Boris Nemtsov, një prej figurave kryesore të opozitës, është qëlluar për vdekje me armë zjarri në Moskë, raportojnë mediat ruse.

Agjencia e lajmeve ruse “Interfax” shkruan se, Nemtsov është qëlluar në shpinë me katër plumba në qendër të Moskës, pranë Kremlinit. Ekzekutimi i tij ndodhi pak orë pas thirrjeve për protesta kundër luftës në Ukrainë.

Në një intervistë të kohëve të fundit, ai kishte shprehur hapur kundërshtitë e tij ndaj luftës në Ukrainë, por në anën tjetër ndjehej i frikësuar nga një eleminim i mundshëm.

Kremlini ka thënë se Putin dënon vrasjen, por deri tani nuk ka pasur asnjë deklaratë publike të tij.

Thorbjorn Jagland, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dënoi vrasjen, duke shkruar në Twitter: “Jam thellësisht i tronditur për vrasjen e udhëheqësit kryesor të opozitës. Autorët duhet të dalin para drejtësisë”.

Bëhet e ditur se politikani ishte duke lëvizur në këmbë, bashkë me një femër, në momentin kur është qëlluar nga persona të paidentifikuar.

Nemtsov, 55 vjeç, shërbeu si zëvendëskryeministër në kohën e presidentit të ndjerë, Boris Jelcin, në vitet ’90. Ai u shqua si një reformator ekonomik, ndërsa shërbeu për një periudhë edhe si guvernatori i qytetit Nizhny Novgorod.