Rudina Xhunga këshillon një udhëtim shqiptar që nuk duhet humbur

Ajo është një nga rrugët më të bukura në Shqipëri. Rruga e Juglindjes, ose e Rilindjes. Asaj të Frashërllinjve, Petro Nini Luarasit, Jani Vretos.Andej nga janë të gjithë, Përmet, Kolonjë, Leskovik, Rehovë, Borovë, deri në Korçë, është Shqipëria e të mëdhenjve. Atyre që e treguan me penë dhe mbrojtën me pushkë. Ka kaq shumë histori në aq pak kilometra, sa çdo rrugë e meriton një muze. Do të duhej të ndërtohej muzeu i bektashinjve, i kuzhinës, i gjahut, i lashtësisë, i rilindësve, i natyrës, i të kaluarës së mrekullueshme të rrugës më të pazakontë shqiptare.Nëse nuk ke vendosur ende, ku të shkosh për pushimet e dimrit, ai është destinacioni që ju sugjeroj.Shko në Përmet, për të pirë kafe, raki dhe provuar glikonë e arrës. Po i ke qejf glikotë, ndalo edhe në Leskovik, se gjen gliko fiku të egër, te Ludhi Mici.

Në Përmet, glikotë më të mira i bëjnë gratë e lagjes së vjetër. Nuk ka vend më të bukur, për të shijuar glikonë në një oborr gjithë lule.Po ke kohë, shko në teqenë e bektashinjve. Aty e sheh gjithë zonën në pëllëmbë të dorës. Po ke ende kohë dhe makinë të mirë, shko patjetër në Frashër. Ndërsa për të shkuar në kishën e Leusës, merr ose një mushkë, ose në këmbë. Me makinë, nuk ta këshilloj. Për të fjetur, shumë keni dëgjuar për mikpritjen e përmetarëve, por unë hotel të mirë, nuk kam parë në Përmet. Ndaj vazhdo rrugën. Po të besh rrugën e vjetër të Leskovikut, andej nga dogana, do të të duket se një këmbë e ke në Greqi, një në lumë. Makinën prapë, mirë do të qe, ta kishe të mirë, se është rrugë pa rrugë. Por ndërkohë, do të shohësh vreshtat e bukura të Ekrem Bardhës, që të kuptosh nga del vera e mirë Bardha.Kur të arrish në Leskovik, që ka mbetur, si dikur, i paprekur, po do të kujtosh, ç’kemi lënë pas, ndalo për një kafe dhe vazhdo se ke rrugë përpara. Që ta shijosh duhet të jetë ditë. Besoj hyn te rrugët më pak të mirëmbajtura të Shqipërisë, po aq edhe të rrezikshme, por nuk kam parë shoferë të pakujdesshëm, asaj rruge.

Të gjithë, respektojnë njëri tjetrin. Dhe të huajt me biçikleta, motorë dhe kamper, që ia dinë lezetin, rrugës më të bukur të Shqipërisë. E bukur sa nuk tregohet. Tani që ka ardhur dimri, por jo bora, vjeshta ka mbetur ngrirë në ato pemë, atë asgjë dhe gjithçka që të çon në një rrugë që s’ka fund. Derisa sheh të vetmin vend ku mund të ndalosh. Farma Sotiraj, 20 km pasi lë Leskovikun. Aty ndalo dhe rehatohu, në një nga shtëpizat e vogla të drurit. Pastaj provo gatimet e Jonidës, gruas nga Myzeqeja, që e shndërroi në parajsë, atë ish rezervat peshku. Kur u martua, gjeti burrin dhe kunatin që piqnin peshq për shokët. Erdhi ajo dhe e ktheu në oazin mes hiçit. Bashkë me kaubojsin e saj, siç i thërret të shoqit, kanë ndërtuar një fermë, ku mund të kalosh dhe muajin e mjaltit, po dëshiron. Ndërsa një ditë është shumë pak, për të parë gjithçka.Të nesërmen, pasi të kesh ngrënë, patjetër petullat me mjaltë dhe çaj, nisu për rrugë prapë. Ndalo, të lutem në Borovë. Ka ende njerëz që të tregojnë historinë e asaj dite korriku, kur fshati u dogj, bashkë me banorët, nga gjermanët.

Koha ka varrosur lagjen kodër, por jo kujtimet. Sipër saj është ndërtuar një monument i madh, që duhet parë dhe mos ik pa pirë një kafe dhe pa takuar priftin e fshatit.Pastaj vazhdo në Ersekë, dhe rrugës, bëj foto, që të besosh edhe vete, kur aventura të mbarojë, se ku ke qenë dhe çfarë ke parë, e nuk është duke të shtuar, asgjë, kujtesa, nga mrekullia e asaj zone.Në të dalë të Ersekës, ke Rehovën. Ti do më besosh, vetëm kur të vesh, se nuk po të tregoj për një fshat francez, që e kam parë, mbrëmë në film. Por për fshatin më të bukur shqiptar, që më kanë zënë sytë, ndonjëherë.Çati mbi çati, rrugica me gurë të vjetër, oborre me luleborë, një kishë, një muze, një kafe, Nikoleta, që të mbush me arra, me petka, pastaj Vangjeli që të tregon gjithë historinë, pastaj nga një shtëpi pritëse të sjellin byrek. Kemi bërë ta kemi, po sot nuk kishte turistë, – të thonë. Janë mësuar, të presin autobusë me të huaj që ia dinë kimetin, fshatit të vogël, që i ka jashtë njerëzit e dashur, por brenda gjithë dashurinë  e shtëpisë. Banorët e Rehovës, i premtuan fshatit, që lanë pas, se do ktheheshin çdo vit e çdo vit do të ringrinin nga një shtëpi. E mbajtën fjalën.

Çfarë mrekullie kanë ndërtuar, që nuk kam fjalë ta tregoj, veç dëshirë t’ju ftoj, ta shikoni vetë.Kur të lini Rehovën, mos harroni të hani drekë, te Sofra Kolonjare dhe porosisni, dhallë, që e bëjnë vetë me dybek. S’keni ç’bëni, do të hani, në këtë rrugë sa për gjithë dimrin. Nuk hahet gjëkundi, tjetër, si këndej.Dhe kur të shkoni në Korçë, mos harroni të shkoni te Life Gallery. Gjithçka keni dashur t’i ketë një hotel, është aty. Merr një dhomë dhe bëhu gati për surprizat e kuzhinës, që do të lerë pa mend, jo vetëm për çfarë ha, por sidomos, ku e ha. E di që ata të Boboshticës, do më thonë, kur ta lexojnë: Po, ti, mos trego vetëm vende, për kë ka lekë, po edhe këtë kuzhinën tonë, ku vijnë të gjithë. Dhe kanë të drejtë. Por, në Korçë, është e kotë të të tregoj ku të shkosh. Aty, nuk di, ku të mos shkosh. Çdo kafe, restorant, rrugicë, oborr, rrugë, pemë, park, është një vend që duhet prekur e parë, për të kuptuar vetë, si mbahet një qytet, si pastrohet, përmirësohet dhe kthehet në qytetin më të bukur shqiptar.

Përdora shumë superlativa, por, jo për të shtuar e zbukuruar, vetëm për mungesë fjalori, që të tregojë, çfarë ju pret, kur të udhëtoni në rrugën e Juglindjes së Shqipërisë. Tani është e bukur, vetëm për shkak të natyrës dhe historisë. Por nuk kam dyshim, se ashtu si Jonida, bëri një mrekulli, në një rezervat peshku, se është e zonja, e mençur, duarartë dhe e talentuar, gjithë ajo zonë, do të rilindë, për t’u shndërruar në një nga destinacionet më tërheqëse të vendit. Unë e shoh. Ngaqë e dua dhe e besoj. Dhe mezi pres të vijë dita, kur do mbushet me turizëm dhe turistë, zona e njerëzve të mrekullueshëm, që dikur sollën Rilindjen, tani do të sjellin diferencën. Atë që bën Ndryshimin e Madh.

Rudina Xhunga