Rrush e kumbulla me taksat, Edi Rama 530 milion leke për pritje- përcjellje

Kush ia admiron sqimën, me të cilën Edi Rama organizon pritjet dhe përcjelljet, duhet të dijë se ato kanë kushtuar plot 53,186,547 lekë të reja, ose 530 milion lekë të vjetra për vitin që shkoi. Një shumë marramendëse që është paguar nga taksat e shqiptarëve. Kanë qenë gjithsej 90 aktivitete, të organizuara në vitin e shkuar dhe të regjistruara në buxhet si “pritje-përcjellje”.

Me një llogari të thjeshtë rezulton se çdo 4 ditë, qeveria organizon pritje dhe përcjellje. Në përshkrimin e faturës mbetet e paqartë lloji i aktivitetit që është organizuar nga kryeministria, si pritje me mësuesit, me gazetarët, me diplomatët apo me rastin e festave.

Faturat janë marrë nga të dhënat, që publikon Open Data Albania.

Nga një krahasim i thjeshtë, rezulton se Edi Rama harxhoi më shumë se kreu i Kuvendit. Ilir Meta harxhoi 16,110,860 lekë ose 160 milion lekë të vjetra. Edhe kreu i shtetit, Bujar Nishani nuk ka qëndruar pas. Ai ka harxhuar 25,121,236 leke, ose 250 milion lekë të vjetra.