RRUMPALLË DIPLOMATIKE NË LONDËR

ARBEN MANAJ
Ndoshta do të habiteni dhe nuk është humor anglez, po t’ju them se Shqipëria vetëm të martën ka festuar në Londër festat kombëtare, pikërisht më 1 Dhjetor, që faktikisht është Dita Kombëtare e Rumanisë dhe jo e jona.

Kjo rrumpallë dhe mungesë serioziteti protokollar diplomatik, mes shumë të tjerash, dukshëm është diktuar, mesa thuhet, nga fakti se vetëm së fundmi, i ka lëvruar qeveria shqiptare fondet për organizimin e një pritjeje diplomatike, i thënçin, me diplomatë të huaj që numëroheshin jo më shumë se me gishtat e njërës dorë, e më shumë me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe jo atij më të arririt dhe më të suksesshmit, që më shumë u intereson një status a foto në “Facebook”, si arritje personale.

Faktikisht, ka mbi dy vjet që Tirana nuk jep fonde për ambasadën, për të zhvilluar një pritje një herë në vit për festat kombëtare dhe kjo, pasi deri përpara një muaji, në ambasadën shqiptare në Londër ka qenë ambasador “kulaku” Mal Berisha.

Derexheja diplomatike shqiptare në Londër, një nga kryeqendrat më të spikatura të vendimmarrjes politiko-diplomatike e ushtarake botërore, është e frikshme dhe e papërgjegjshme.

Edhe kur kanë kaluar thuajse një muaj kur u vetëzgjidh ngërçi i zëvendësimit të ambasadorit shqiptar në Londër, Mal Berisha, pas ndërrimit të pushtetit, Shqipëria ende nuk ka caktuar një ambasador të saj në Londër.

Ky është një turp sa për qeverinë, aq edhe për Presidencën, që Londrën e konsiderojnë më poshtë se Malta a ndonjë vend tjetër të parëndësishëm diplomatik.

Në këto vitet e fundit, çdo aktivitet diplomatik në Britani ka kaluar përmes zyrës së Kryeministrit dhe ndonjë drejtorie që i bën të gjitha në qeveri dhe jo në kanale diplomatike zyrtare.

Që nga vizitat zyrtare e jo zyrtare të Kryeministrit e deri te vizita ministrash, që as në dyert e ambasadës nuk shkelin, sikur atje të ketë rënë Ebola.

Nuk po flas për rastin e famshëm dhe të shëmtuar të vizitës te Cameron, ku Kryeministri shkoi pa ambasadorin e shtetit, Kryeministër i të cilit është.

Rama shumë mirë mund ta konsiderojë Londrën si një domen, që i zgjidh të gjitha përmes telefonatave me Alastair Campbell e zyrën e Blerit, por këta të dy “kanë rënë nga fiku”, dhe në qeveri janë të djathtët dhe Britania ka një qeveri tjetër, te të cilët do të duhet të akreditohesh, jo vetëm zyrtarisht.

Kjo që ndodh me misionin diplomatik shqiptar në Londër, që nuk i përngjan nga funksionimi asgjëje që e lidh me një mision tipik diplomatik, nuk përputhet as reciprokisht me përfaqësimin diplomatik korrekt britanik në Tiranë, e cila ka një ambasadë dhe ambasador, që përfaqëson punët e shtetit të vet, në koordinim me Forin Ofisin, siç besoj ishte edhe vizita e fundit e sekretarit të jashtëm britanik në Tiranë, Philip Hammond, që me sa kuptohet lidhet me krizën e refugjatëve dhe sfidat e terrorizmit, sesa me barkhapjen britanike për Shqipërinë, çka të kujton qasjen e BE-së me Turqinë, prej hallit sesa prej mallit.

Londra ka nevojë për një përfaqësim urgjent në rang ambasadori, në një vend ku interesat e Shqipërisë do të duhet të jenë të mëdha dhe urgjente në proceset integruese dhe jo vetëm në luftën kundër krimit shqiptar në ishull, dhe marrëveshjet që Tirana nënshkruan pa hezitimin më të vogël dhe pa negociim me Londrën, në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.

Këdo që do të përzgjedhë Kryeministri si mëkëmbësin e vet në Londër dhe jo për t’i bërë nder për të arsimuar fëmijët e tij ose saj, në shkollat angleze, do të duhet të vijë sa më parë që ambasada jonë në Britani të rilindë dhe të rifillojë seriozisht përfaqësimin dhe të luajë atë rol koordinues e promovues, dhe të bëjë më shumë se çdo gjë, diplomaci edhe ekonomike mes dy vendeve.

Bëhet fjalë për marrëdhënie që janë në nivele mjaft të ulëta dhe ku zor se gjen ndonjë përfaqësues serioz e të madh të biznesit britanik të shfaqë interes për të investuar në Shqipëri, pa folur që faqja online e ambasadës është më keq se faqja online e ndonjë OJQ-je dhe përfaqësia diplomatike u vjen te thoi atyre të kohës së Zogut.

Kjo ambasadë as personelin nuk e ka të mjaftueshëm për nderin e këtij vendi dhe as për sfidat integruese dhe ekonomike të Shqipërisë, pa përmendur infrastrukturën e deri te më e rëndomta, një makinë diplomatike, pasi nuk ka qenë keq Shqipëria e kohës së Enverit për kësi aksesorësh, e jo më ajo e kohës sqimtare të Jaguarëve.

Kjo rrumpallë, që Kryeministri ka qejf ta zhdukë nga çdo aspekt i jetës shqiptare, është mirë ta fshijë edhe nga diplomacia, në një vend si Britania e Madhe, ku marrëdhëniet me të dhe personalitetet e saj zyrtare ose jo qofshin, janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa ato personale, qofshin edhe artistike, të çdo kryeministri të ditës.